Hyrje

Living Democracy » Parents » Hyrje

Si bëhet dikush anëtar i fuqishëm i një shoqërie pluraliste e të larmishme demokratike?

Edukimi për demokraci nuk zë vend vetëm në shkollë gjatë orëve të qytetarisë kur nxënësit mësojnë lidhur me, për dhe përmes demokracisë. Edukimi demokratik ndodh edhe në jetën tonë të përditshme, nëpërmjet dinamikës familjare, situatave në sheshe të lojërave, në parqe, apo në punë.

Në të gjitha këto bashkëveprime, mund të lindin çështje, për shkak të mendimeve, vlerave, interesave, bindjeve apo qëndrimeve të ndryshme. Si merremi me këto situata? Si përpiqemi t’i zgjidhim konfliktet? Cilat shkathtësi dhe burime mund t’i aktivizojmë kur ndërveprojmë me njerëzit tjerë?

Vlerat tona të përbashkëta demokratike si liria, barazia e qenieve njerëzore dhe dinjiteti i çdo personi, nuk lejojnë përdorimin e dhunës ose zbatimin e «ligjit të më të fortit». Na duhen opsione alternative për ndërveprim të respektueshëm dhe paqësor për t’u marrë së bashku me ato situata në jetën e përditshme.

Komunikimi, mënyra se si flasim dhe dëgjojmë njëri-tjetrin është kërkesë themelore për veprim demokratik. Kompetenca komunikuese praktikohet në jetën e përditshme dhe mund të mësohet nga fëmijët dhe adoleshentët e çdo moshe. Të njohurit e ndjenjave, nevojave, interesave dhe mendimeve tona, dhe të qenit në gjendje t’i shprehim ato në mënyrë të qartë dhe të ndershme, si edhe të dëgjuarit e të tjerëve me vëmendje e pa paragjykime, duke marrë njëkohësisht parasysh perspektivat e ndryshme, mund të na ndihmojë që të mos angazhohemi në ndërveprime të dhunshme. Këto kompetenca duhet të mësohen si parakushte themelore për jetesë në një shoqëri demokratike. Kur prindërit komunikojnë me fëmijët e tyre, ata mund të mësojnë nëse interesat, nevojat, ndjenjat dhe mendimet e fëmijëve të tyre respektohen dhe nëse ata ndihen të kuptuar, të pranuar dhe të vlerësuar si persona. Vetëm fëmijët me vetëbesim mund të zhvillohen në qytetarë të përgjegjshëm dhe politikisht të pjekur. Mënyra juaj e komunikimit me fëmijët tuaj në situata të përditshme familjare do të ndikojë fuqishëm, do të forcojë personalitetin e tyre dhe do t’u mundësojë atyre të bëhen anëtarë me vetëbesim të një shoqërie demokratike. A doni të dini se si të veproni në lidhje me këtë?

Kjo faqe ofron sugjerime të dobishme për prindërit se si të komunikojnë në mënyrë efektive me fëmijët e tyre rreth çështjeve dhe shqetësimeve, bazuar në shembuj dhe situata të nxjerra nga jeta e përditshme me të vegjlit, fëmijët dhe adoleshentët, me qëllim të avancimit të kompetencave të tyre demokratike. Klikoni mbi fotot ose përshkrimet dhe punoni përmes materialeve të ofruara. Duke vepruar kështu, ju do të vlerësoni preferencat tuaja komunikuese në situata të ndryshme të jetës reale, situata këto që janë përzgjedhur pas konsultimeve me prindër të ndryshëm. Shpresojmë që do të jeni në gjendje t’i zbatoni njohuritë dhe të kuptuarit e fituar në situata të përditshme me fëmijët tuaj.

Kini parasysh se të gjithë ne i bartim këndvështrimet tona, sistemet e vlerave dhe edukatën, bazuar në normat dhe zakonet sociale e kulturore të cilat i kemi përjetuar vet. Prandaj, disa nga alternativat e sugjeruara për veprim mund të jenë të pazakonshme për ju. Kur prindërit kanë për qëllim t’i zhvillojnë më tutje kompetencat demokratike të fëmijëve të tyre, ndonjëherë duhet të jenë të hapur dhe t’i provojnë gjërat e pazakonshme edhe vet. Prandaj, shkojini materialit duke i përdorur ‘thjerrëzat’ tuaja, dhe provoni t’i zbatoni sugjerimet me të cilat ndiheni më rehat. Ndërsa vazhdoni, mund të doni të eksperimentoni me ide të reja, me të cilat nuk jeni të familjarizuar, duke mbajtur në mendje se nuk janë vetëm fëmijët tuaj ata që rriten dhe zhvillohen. Qëndrimi dhe shkathtësia e të qenit i hapur dhe i adaptueshëm në një botë që ndryshon shpejt është po ashtu kompetencë e qytetarëve të rritur. Ne ndryshojmë së bashku me botën rreth nesh.

< Praba