Kultura e të nxënit

Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Ndërgjegjësimi » Kultura e të nxënit

Si drejtor, ju nuk mund të impononi një kulturë të të nxënit në shkollën tuaj, por shembulli të cilin e jepni dhe angazhimi juaj janë vendimtare. Prandaj, zgjedhja që bëni është një nga vendimet më të rëndësishme që duhet të marrë një drejtor: Çfarë lloj kulture të të nxënit dëshironi që shkolla juaj të përvetësojë? A janë mësuesit tuaj në përgjithësi të vetëdijshëm se nxënësit duhet të jenë të përfshirë në procesin e tyre të të nxënit dhe se metodat bashkëpunuese të mësimdhënies dhe të të nxënit i inkurajojnë ata që të qasen në mënyrë kritike dhe të interesohen për të gjitha dimensionet e mundshme të një teme, duke i ftuar ata që të diskutojnë dhe të mos pajtohen, të formojnë opinionet e tyre, t’i argumentojnë, negociojnë dhe madje edhe t’i ndryshojnë ato. Një kulturë e tillë e të nxënit nuk është luks, sikur nuk është luks as mësimdhënia e mirë dhe as edukimi për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Për më tepër, një kulturë e tillë e të nxënit jo vetëm që u shërben nxënësve tuaj, por po ashtu ka shumë të përbashkëta me kulturën e demokracisë. Mund ta konceptojmë shkollën si një mikrokomunitet që u ofron të rinjve mundësi të marrin përgjegjësi për çështjet në jetën shkollore dhe të përjetojnë proceset e vendimmarrjes gjatë trajtimit të tyre. Komunitetet demokratike, si në nivelin mikro ashtu edhe në atë makro, janë komunitete të të nxënit, pasi asnjë palë nuk mund ta definojë e vetme, të mirën e përbashkët. Shumicat vendosin, por vendimet e tyre mund të mos e zgjidhin problemin ose mund të jenë të padrejta. Një komunitet i të nxënit mund të nxjerrë përfundime nga këto vendime dhe t’i korrigjojë ato.

Si mundet mësimdhënia t’i inkurajojë dhe t’ua mundësojë nxënësve të marrin pjesë aktivisht në shoqëritë e tyre?

Metoda shkencore

Shqyrtimi dhe arsyetimi janë të pamundura nëse nxënësit nuk janë të interesuar. Në didaktikë pranohet se thelbi i të nxënit është motivimi. Nxënësit duhet të jenë në gjendje ta lidhin çështjen në fjalë me njohuritë e tyre ekzistuese dhe ajo duhet të jetë në përputhje me interesimin e tyre. Të dyja, njohuritë dhe interesimi, duhet të kultivohen në procesin e të nxënit. Në eksplorimin e botës, “metoda shkencore” ka evoluar. Është një proces hap pas hapi që përfshin vëzhgimin, pyetjen, hipotezën, eksperimentin, analizën, përfundimin dhe fillimin nga e para përsëri. Shqyrtimi dhe arsyetimi në mësimdhënie kërkon që mësuesit të marrin në konsideratë karakteristikat, interesimin dhe nevojat e nxënësve gjatë planifikimit ose mbajtjes së njësive të tyre. Duke ua bërë të mundur nxënësve për ta zotëruar procesin e kërkimit shkencor jepet përgjigjja më mirë e mundshme për “Pse-të” e mësimdhënies.

Qasja me kujdes

Elementi kryesor i qytetarisë demokratike është ajo që ne e quajmë “qasje kritike”. Është një proces që ndjek hapat e metodës shkencore. Ajo kërkon që qytetari të jetë i interesuar për të mirën e përbashkët dhe të jetë i njohur me metodën e mbledhjes së informacionit mbi aspekte të ndryshme përpara se të formojë një opinion mbi një çështje. Nxënësit mund të trajnohen në të menduarit dhe të gjykuarit kritik në shkollë, duke kërkuar një qasje tërëshkollore në emër të mësuesve. Nxënësit kanë nevojë për shumë detyra dhe mundësi të të mësuarit përmes lëndëve mësimore në kurrikulë. Mësimdhënia e mirë mbivendoset fuqishëm me EQD/EDNJ. Modeli i Këshillit të Evropës i kompetencave për kulturën demokratike përfshin aftësitë që po ashtu mbështeten në metodën shkencore “të të nxënit të pavarur” dhe “të të menduarit analitik dhe kritik”. Shih Kompetencat për Kulturë Demokratike, fq. 43-44.

Mjedisi i të nxënit

Në shkollë, klasat janë komunitete të vogla ku qytetarët e rinj mund të fuqizohen dhe të inkurajohen të luajnë rol aktiv. Mësimdhënia mund t’i pajisë të rinjtë me aftësitë themelore që u duhen për t’i zhvilluar kompetencat e tyre në kërkimin shkencor, të menduarit kritik, pjesëmarrjen dhe vendimmarrjen. Nxënësit që e kanë pasuruar përvojën e tyre në mënyra të tilla të të nxënit, janë të përgatitur mirë për t’u bërë qytetarë demokratikë dhe pjesëmarrës aktivë.

Ju nuk jeni vetëm

Ndoshta kjo perspektivë për rolin tuaj si drejtor në zhvillimin e një kulture të të nxënit në shkollën tuaj duket e panjohur dhe detyrat që priten nga ju duken mjaft frikësuese. Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për gamën e detyrave dhe përgjegjësive në duart tuaja dhe se sa kohë duhet t’u kushtoni detyrimeve tuaja ligjore. Megjithatë, mund t’ju sigurojmë se nuk jeni vetëm. Këshilli i Evropës ka një histori të gjatë të promovimit dhe zhvillimit të Edukimit për Qytetari Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (EQD/EDNJ), në një proces të vazhdueshëm në të cilin janë të përfshirë drejtorët nga shkollat në gjithë Evropën. Nëse dëshironi të mësoni më shumë për historinë e EQD/EDNJ, vizitoni http://living-democracy.com/sq/textbooks/volume-1/part-1/unit-4/ në këtë ueb faqe.