Vlerësimi është shumë më shumë se testimi dhe kontrollimi

Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Përgatitja » Vlerësimi është shumë më shumë se testimi dhe kontrollimi

Vlerësimi duket si fundi i një gare. Vlerësimi duket si rrahjet e zemrës së një trupi të gjallë. Ky proces mund ta bëjë rolin tuaj si drejtor një makth ose mund t’ju ofrojë një mjet të përshtatshëm. Si pothuajse çdo gjë tjetër në shkollë, kjo është një çështje që ka nevojë për vëmendje serioze shumë kohë përpara provimeve përfundimtare.

Testimi nuk është vlerësim

Mësimdhënësi hyn në klasë. Ai/ajo e paraqet temën, nënvizon pjesët dhe faktorët e rëndësishëm, shpjegon atë që mendon se duhet shpjeguar dhe jep një ose dy shembuj. Nxënësi dëgjon dhe ndjek ritmin e mësuesit. Ai/ajo shkon në shtëpi, e gjen temën në tekst, lexon për temën, nënvizon pjesët e rëndësishme, kujton shpjegimin dhe zgjidh një ose dy ushtrime. Gjatë orës tjetër mësimore, mësuesi u kërkon nxënësve të përsërisin një pjesë të temës së dhënë. Në fund, ai/ajo i formulon pyetjet rreth elementeve të të gjithë materialit dhe pret që ata t’u përgjigjen në formë të shkruar. Dikush më jep diçka, unë merrem me të dhe ia kthej. Dhënësi e kontrollon atë për saktësi. Sipas pjesëve që mungojnë, ai/ajo i zbret notat ekuivalente.

Ky është një vlerësim përmbledhës, që fokusohet në të arriturat e të nxënit, të cilin ne të gjithë e dimë nga testimi dhe notimi. Ky lloj i vlerësimit kërkohet në sistemet tona të shkollës për të kaluar një nivel të caktuar. Është gjithashtu një mjet kontrolli, por jo i vlerësimit, pasi mat efektivitetin e mësimdhënies si një mënyrë për t’u transformuar dhe për të dhënë informacion.

Testimi dhe kontrolli kanë dobësi serioze. Kriteret e vlerësimit janë shpesh ose shumë të paqarta, kështu që nuk mund të japin matje të drejta, ose shumë të përcaktuara, kështu që nuk mund të mbajnë llogari për diversitetin e fuqive dhe dobësive të nxënësve. Nëse marrim parasysh edhe subjektivitetin e personit që gjykon performancën e nxënësve, atëherë e njëjta arritje mund të marrë nota krejtësisht të ndryshme dhe informata kthyese për nxënësin do të jetë pothuajse e padobishme.

Vlerësimi formativ dhe parashikues

Jo vetëm në EQD/EDNJ, por në mësimdhënien e mirë në përgjithësi, vlerësimi gjithashtu i merr parasysh nxënësit individualë dhe proceset e tyre të të nxënit (vlerësimi formativ) dhe cilat rezultate mund të priten (vlerësimi parashikues). Këto forma të vlerësimit pasqyrojnë personalitetet e nxënësve, përparësitë e tyre të veçanta dhe nevojat e të mësuarit.

Kriteret e vlerësimit janë mjete për të analizuar gabimet e nxënësve individualë, më shumë sesa për t’i korrigjuar ato. Mësimdhënësit diskutojnë me nxënësit se si t’i kapërcejnë vështirësitë e tyre dhe nxënësit marrin përgjegjësinë për përparimin e tyre në mësim. Në këtë mënyrë, vlerësimi formativ dhe parashikues e lidh mësimdhënien dhe të nxënit me vlerat demokratike, duke u dhënë mundësi dhe inkurajuar nxënësit të marrin pjesë në demokraci dhe të jenë të suksesshëm në studimet e tyre të mëtutjeshme.

Për informata më të detajuara mbi vlerësimin përmbledhës, formativ dhe parashikues, shihni http://living-democracy.com/sq/textbooks/volume-1/part-2/unit-5/chapter-2/lesson-3/.

Informimi i nxënësve për kriteret e vlerësimit

Vlerësimi, prandaj, duhet të jetë pjesë e etikës demokratike të një shkolle. Nga kjo rrjedh se në një vlerësim përmbledhës, kriteret duhet të jenë të drejta dhe të qarta dhe ato duhet të jenë transparente për nxënësit. Kjo jo vetëm që i shërben edukimit për qytetarinë demokratike dhe të drejtat e njeriut, por gjithashtu është parakusht për mësimdhënie të mirë – në të gjitha lëndët. Për më tepër, ju dhe stafi juaj duhet të diskutoni dhe të pajtoheni për shtrirjen e vlerësimit. Për shembull, a përqendrohet vetëm në njohuri dhe shkathtësi, ose a përfshin gjithashtu qëndrime dhe vlera?

Vetëvlerësimi i mësuesve

Mësuesit nuk mund të ikin nga perspektivat e tyre individuale dhe ndikimi që këto kanë në vlerësimin e nxënësve të tyre. Kështu, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se dallimet në vlerësim nga njëri mësues në tjetrin mund të jenë të padrejta për nxënësit individualë. Mësuesit duhet të reflektojnë në mënyrë të përhershme mbi procedurat e tyre të vlerësimit, gjë që mund të bëhet nëpërmjet vëzhgimit të kolegëve dhe ndarjes së informatave kthyese me njëri-tjetrin. Një metodë tjetër është marrja e informatave kthyese nga nxënësit. Një qasje e tretë është vetëvlerësimi. Vëllimi i parë i manualëve të EQD/EDNJ për mësuesit “Edukimi për demokracinë”, përmban një kapitull të plotë mbi vlerësimin e nxënësve, mësuesve dhe shkollave, dhe gjithashtu përfshin një listë kontrolli për vetëvlerësimin e mësimdhënësve