Mësimdhënia dhe të nxënit e bazuar në vlera si parandalim i problemeve me sjelljet në shkollë

Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Veprimi » Mësimdhënia dhe të nxënit e bazuar në vlera si parandalim i problemeve me sjelljet në shkollë

Aktiviteti 1

Lista kontrolluese personale e drejtorit për vlerat dhe shkollën

(bazuar në E. Bäckman/B. Trafford (2007) Qeverisja demokratike e shkollave, Fusha kyçe 2: Edukimi i bazuar në vlera – kontekstet informale, fq. 50). Ky libër është i disponueshëm në ueb faqen e Këshillit të Evropës si pjesë e paketës së EQD/EDNJ

“Një shoqëri homogjene me vlera të përbashkëta, nëse ka ekzistuar ndonjëherë, është gjë e së kaluarës. Historikisht, shkollimi publik ka qenë gjithmonë vegël e atyre që kanë qenë në pushtet, për të përhapur vlera të caktuara te shtetasit e tyre. Kjo ende vazhdon të jetë kështu, por, në një shoqëri demokratike, vlerat që duam t’i transferojmë te gjeneratat e reja ndërtohen dhe mirëmbahen në mënyrë të hapur dhe përmes proceseve demokratike” Qeverisja demokratike e shkollave, fq. 45

Qëllimet e mira në dokumentet e shkruara kanë vlerë të vogël nëse udhëheqësit dhe personeli i shkollës nuk demonstrojnë shpesh dhe në situata të përditshme, se deklaratat zyrtare vërtet tregojnë të vërtetën.

Pikëpamja personale
Hapi 1:
Vlerat tuaja personale nuk janë të rëndësishme. Ju u besoni autoriteteve mbi ju. Vlerat nuk i konsideroni prioritet, përveç ndoshta stabilitetit, rendit dhe dëgjueshmërisë.
Provoni këtë:
Pyeteni veten: cilët janë stimujt e mi? Çfarë shkolle dëshiroj? Çfarë shoqërie? Cilat vlera dëshiroj t’ua transferoj nxënësve të mi? (ose thjesht do të mund ta pyetni veten: pse dëshiroj të bëhem drejtor i shkollës?)
Hapi 2:
Ju e keni të qartë se çka dëshironi në kuptim të vlerave të cilat duhet të jenë evidente në mësimdhënie dhe në jetën e përditshme në shkollë. Keni filluar gjithashtu t’i përhapni mendimet e juaja te njerëzit rreth jush.
Provoni këtë:
Rritni ambiciet tuaja: ju dëshironi që e tërë shkolla t’i përqafojë të njëjtat vlera, prandaj harxhoni kohë dhe energji ta përhapni këtë mesazh. Ju gjithashtu i përfshini nxënësit në biseda formale dhe joformale për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe respektin për të gjithë. Si gjithmonë, inkurajoni nismat e mira.
Hapi 3:
Ju vërtet i gëzoheni aspekteve të reja të jetës, ashtu siç reflektohen në sjelljet dhe në vlerat e të gjitha palëve të ndryshme të shoqërisë që janë të përfaqësuara në shkollën tuaj. Angazhimi juaj personal është burim i inspirimit për nxënësit dhe për personelin.
Provoni këtë:
Bëni që të gjithë ta kuptojnë fuqinë e shembujve të mirë. Mësimdhënësit dhe të rriturit e tjerë në shkollë duhet të bëhen thellësisht të vetëdijshëm për funksionin e tyre si model sjelljeje, ndërsa nxënësit më të rritur duhet ta dinë se i shërbejnë të njëjtit qëllim për nxënësit e moshës më të re.