Kompetencat për kulturë demokratike: një diagram

Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Përgatitja » Kompetencat për kulturë demokratike: një diagram

Burimi: Shih Kompetencat për Kulturë Demokratike Figurat nr. 1 – 7 i referohen shënimeve

Diagrami i kompetencave për kulturë demokratike: shënime

Numri i faqeve i referohet dokumentit Kompetencat për Kulturë Demokratike

Ky diagram është një përpjekje për ta bërë të dukshëm modelin konceptual të kompetencave që qytetarët duhet t’i krijojnë dhe të marrin pjesë, në një kulturë të demokracisë (shih fq. 9). Modeli është dizajnuar që t’i ngjajë realitetit në një mënyrë të thjeshtuar, duke u përqendruar në disa aspekte kryesore dhe duke lënë jashtë shumë të tjera. Një hartë rrugore, për shembull, është një model i rrjetit rrugor në një zonë të caktuar, e cila është e dobishme sepse tregon shumë pak gjëra të tjera. Ngjashëm, modeli i kompetencave për kulturën demokratike shërben si një hartë. Ai tregon se si sjellja jonë si individë është e lidhur me kulturën demokratike në tërësi dhe se si shkollat mund të luajnë rolin e tyre në edukimin e nxënësve të tyre për qytetari demokratike.

Diagrami dhe shënimet e mëposhtme synojnë të ndihmojnë lexuesit e manualit Kompetencat për Kulturë Demokratike, por nuk e zëvendësojnë atë. Ato janë të destinuara për trajnime në shërbim të mësuesve dhe drejtorëve, ose informacion për prindërit dhe palët e jashtme.

1. Kuadri institucional i demokracisë (sistemi politik) nuk mund të funksionojë ose të mbijetojë nëse nuk mbështetet nga një kulturë e demokracisë që të gjithë qytetarët ndajnë. Në një kulturë të tillë të demokracisë, qytetarët janë të përkushtuar për të respektuar sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut dhe për të zgjidhur çështjet e interesit të përgjithshëm për publikun. Ata janë të bindur se konfliktet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe ata pranojnë dhe respektojnë diversitetin në shoqëri. Qytetarët janë të gatshëm të shprehin mendimet e tyre, si dhe të dëgjojnë mendimet e të tjerëve. Ata janë të përkushtuar ndaj procesit vendimmarrës të bazuar në shumicën e votave, si dhe në mbrojtjen e pakicave dhe të drejtave të tyre. Ata janë të gatshëm të angazhohen në dialog rreth barrierave kulturore (shih fq. 15). Strukturat institucionale të demokracisë dhe kultura e demokracisë janë “qenësisht të ndërvarura” (fq.15), që do të thotë që asnjëra fushë nuk është e vetëqëndrueshme nëse nuk mbështetet nga tjetra. Fuqia e kulturës së demokracisë varet jo vetëm nga qytetarët kompetentë, por gjithashtu edhe nga fakti se deri në çfarë mase elementet kryesore të përmendura më sipër janë të ndara mes qytetarëve dhe jo të kontestuara apo të diskutueshme (shih shënimin 6).

2. Kur qytetarët marrin pjesë në diskutime dhe në marrjen e vendimeve, ata takojnë të tjerët, prejardhja kulturore e të cilëve është e ndryshme. Prandaj, dialogu ndërkulturor midis qytetarëve është shenjë dalluese e shoqërive demokratike kulturalisht diverse. Qytetarët të cilët janë të gatshëm të angazhohen në dialog rreth tjetërsive kulturore e trajtojnë njëri-tjetrin si të barabartë demokratikisht. Dialogu ndërkulturor duhet të jetë i ngulitur në kulturën e demokracisë, dhe anasjelltas, një kulturë demokratike nuk mund të lulëzojë pa dialog ndërkulturor. Kultura demokratike dhe dialogu ndërkulturor janë “qenësisht të ndërvarura” (fq.15), duke lidhur nivelin makro të shoqërisë me nivelin mikro të ndërveprimit midis individëve. Kjo ide është përmbledhur në logon e kësaj faqeje interneti, Demokracia në veprim.

3. Qytetarët kompetentë janë një parakusht i domosdoshëm për kulturën demokratike dhe dialogun ndërkulturor, por vetëm kompetencat nuk janë të mjaftueshme. Efekti i institucioneve politike në nivelin makro është thelbësor: “… në varësi të konfigurimit të tyre, aranzhimet institucionale mund të mundësojnë, kanalizojnë, frenojnë ose pengojnë mënyrat në të cilat qytetarët ushtrojnë kompetencat e tyre demokratike dhe ndërkulturore” (fq. 17 ) Për shembull, qytetarët që janë në gjendje dhe kanë dëshirë të marrin pjesë në vendimmarrje, kanë nevojë për qasje në informacione të pacensuruara të medias dhe kanë nevojë për kanale nëpërmjet të cilave ata mund të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe me politikëbërësit.

4. Ekziston një grumbull i dytë faktorësh në nivel makro që mund të prodhojnë “modele sistemike të disavantazhit dhe diskriminimit” (fq. 18) ashtu që qytetarët që kanë nivele të barabarta të kompetencave demokratike dhe ndërkulturore përballen me mundësi të pabarabarta për t’i ushtruar ato dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje. Pabarazia sociale mund të shfaqet për shkak të shpërndarjes së pabarabartë të të ardhurave, kohës së disponueshme, qasjes në rrjetet e informacionit ose të komunikimit dhe burimeve të energjisë. Shpërndarja e pabarabartë e burimeve brenda shoqërive lidhet me sistemin ekonomik (p.sh. paga e pabarabartë, papunësia, fuqia e ndërmarrjeve ndërkombëtare) dhe/ose sistemin politik. Ndarjet midis grupeve të privilegjuara dhe të pafavorizuara mund të nxisin çështje të pabarazisë gjinore, varfërisë, migrimit, arsimimit ose kontrollit të pushtetit. “Margjinalizimi sistematik dhe përjashtimi nga proceset demokratike dhe shkëmbimet ndërkulturore” (fq. 18) mund t’i privojë shumë qytetarë që të marrin pjesë në kushte të barabarta, pavarësisht nga nivelet e tyre të kompetencave, duke rezultuar në “mosangazhim dhe tjetërsim qytetar” (ibid.).

5. Nëse nuk trajtohet në mënyrë adekuate, pabarazia sociale mund të perceptohet si e padrejtë dhe mund të kërcënojë kulturën demokratike dhe legjitimitetin e kuadrit institucional të demokracisë. Prandaj është me rëndësi që në komunitetet demokratike të adresohen çështjet e pabarazisë dhe përjashtimit social, për të siguruar “barazi të vërtetë të gjendjes” (ibid.) për të gjithë qytetarët. Me këtë që u tha, është e rëndësishme të kujtojmë se drejtësia shpërndarëse, ose të drejtat e njeriut dhe ato civile janë arritje historike që po zënë vend për një periudhë të gjatë kohore, siç tregon lufta për votën universale dhe të drejtat e grave në të gjithë Evropën. Të drejtat e njeriut dhe pjesëmarrja demokratike janë zhvilluar në një proces të gjatë që ende vazhdon. Për këtë arsye angazhimi i qytetarëve kompetentë është vendimtar për të siguruar që të gjithë anëtarët e shoqërisë, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror, gëzojnë njohje dhe mundësi të barabarta për pjesëmarrje.

6. Koncepti i kulturës: “Çdo kulturë e dhënë mund të konceptohet se ka tri aspekte kryesore: burimet materiale që përdoren nga anëtarët e grupit (p.sh. mjetet, ushqimet, veshjet), burimet e përbashkëta shoqërore të grupit (p.sh. gjuha, feja, rregullat e sjelljes shoqërore) dhe burimet subjektive që përdoren nga anëtarët individualë të grupit (p.sh. vlerat, qëndrimet, besimet dhe praktikat të cilat anëtarët e grupit zakonisht i përdorin si kuadër të referencës për ta kuptuar dhe për të bërë lidhjen me botën). Kultura e grupit është një përbërje e krijuar nga të trija aspektet – ajo përbëhet nga një rrjet burimesh materiale, sociale dhe subjektive”. (fq. 19). Megjithatë, grupet kulturore janë heterogjene brenda vetit. Kulturat dhe normat janë të diskutueshme dhe ndryshojnë me kalimin e kohës. Anëtarët individualë në një grup kulturor bëjnë zgjedhjet e tyre në miratimin e elementeve të caktuara të burimeve kulturore dhe refuzimin e të tjerave.

Çdo grup social mund të ketë kulturën e vet të dallueshme. Këto grupe përfshijnë kombet, grupet etnike ose fetare, qytetet, lagjet, organizatat e punës, grupet profesionale, komunitetin LGBT, grupet e aftësisë së kufizuar ose gjeneratave dhe familjet. Prandaj, shoqëritë janë kulturalisht diverse, me individë të cilët në mënyrë të njëkohshme u përkasin grupeve të ndryshme shoqërore dhe marrin pjesë në konstelacione të kulturave, në mënyrë të ndryshme dhe individualisht unike. Brenda një grupi kulturor, individët dallojnë në pozicionimin kulturor, gjë që është arsyeja pse burimet kulturore janë të diskutueshme brenda grupeve kulturore.

Në çdo situatë ku njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin, ata mund të perceptojnë dallimet në kulturën e personit ose grupit tjetër, kështu që “çdo situatë ndërpersonale është potencialisht një situatë ndërkulturore” (fq. 20). Kuadri jonë i referencës pra mund të zhvendoset nga individuale dhe ndërpersonale në atë ndërkulturore, që do të thotë se ne i perceptojmë të tjerët si anëtarë të një grupi social më shumë sesa si individë. Situata të tilla ndërkulturore mund të lindin kur takojmë njerëz nga vende të ndryshme ose grupe etnike, besime të ndryshme, gjini, orientim seksual ose klasë shoqërore, ose vërejmë dallime në arsim. Dialogu ndërkulturor ka potencialin për të ndërtuar ura mes grupeve kulturore, me kusht që të zbatohet si një “shkëmbim i hapur i pikëpamjeve, në bazë të mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë, ndërmjet individëve ose grupeve që e perceptojnë veten të kenë përkatësi të ndryshme kulturore nga njëri-tjetri.” (fq. 20 e tutje.)

Dialogu ndërkulturor është i rëndësisë më të madhe për ta forcuar kohezionin social në shoqëritë demokratike kulturalisht diverse. Megjithatë, nëse grupet kulturore e perceptojnë njëri-tjetrin si armiq, për shembull për shkak të konfliktit të armatosur në të kaluarën, ose një grup kulturor perceptohet si i privilegjuar në kurriz të tjetrit, dialogu ndërkulturor mund të provohet të jetë shumë i vështirë, duke kërkuar një nivel të lartë të kompetencës ndërkulturore, ndjeshmëri, forcë dhe kurajo personale (shih fq. 21).

7. Koncepti i kompetencës dhe kompetencave: (fq. 23 e tutje) Në modelin e kompetencave për kulturë demokratike, koncepti i kompetencave (në shumës) i referohet “burimeve psikologjike” të një individi – vlerat, qëndrimet, aftësitë, njohuritë dhe/ose të kuptuarit kritik. Ne mund të imagjinojmë këto burime që t’i ngjajnë një kutie të madhe mjetesh me një shumëllojshmëri të gjerë të mjeteve mendore dhe psikologjike. Kompetenca (në njëjës) i referohet vullnetit dhe aftësisë së një personi që t’i vë në përdorim këto kompetenca ose mjete, siç konsiderohet adekuate në një situatë të caktuar, ose në trajtimin e një problemi. Koncepti i kompetencës ka kuptimin e në një “procesi dinamik” (fq. 24) në të cilin një person përzgjedh, aktivizon, organizon dhe bashkërendon burimet psikologjike (kompetencat) në një situatë të caktuar, si dhe monitoron dhe përshtat vendosjen e kompetencave në varësi të kushteve. Kompetencat përdoren në grupe më shumë sesa veçmas. Kompetenca dhe kompetencat janë të padukshme dhe të arritshme vetëm nëpërmjet teorive dhe modeleve. Ato janë të dukshme në sjelljen e një personi, me fjalë tjera atë që dikush bën, mendon, thotë, ose se si një person ndërvepron me të tjerët. Prandaj, mësuesit mund të vlerësojnë shkallën e zhvillimit të kompetencës së nxënësve të tyre duke vëzhguar sjelljen e tyre në situata demokratike ose ndërkulturore. Manuali mbi modelin e kompetencës për kulturën demokratike përshkruan tre shembuj për të treguar se si grupet e kompetencave mobilizohen në situata të caktuara: dialogu ndërkulturor, qëndrimi kundër gjuhës së urrejtjes dhe pjesëmarrja në debatin politik (shih fq. 24 e tutje).

8. Për të fuqizuar qytetarët e ardhshëm për të marrë pjesë në një kulturë të demokracisë në nivelin makro, fëmijët dhe të rinjtë duhet t’i mësojnë dhe t’i praktikojnë kompetencat për kulturë demokratike dhe dialog ndërkulturor në nivelin mikro të shoqërisë, në komunitetin e shkollës (shih fq. 16). Kjo kërkon që shkolla ta adoptojë Edukimin për Qytetari Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (EQD/EDNJ) si një qasje tërëshkollore, që do të thotë mësimdhënie dhe të nxënit lidhur me, përmes dhe për demokracinë dhe të drejtat e njeriut – ku demokracia dhe të drejtat e njeriut janë çështje e lëndëve mësimore (“lidhur me”), një udhëzues pedagogjik për të gjithë shkollën (“përmes”), dhe përgatitje për pjesëmarrje përmes përvojës praktike në shkollë (“për”). Për informatë më të plotë rreth tri përmasave të EQD/EDNJ shih http://living-democracy.com/sq/textbooks/volume-1/part-1/unit-3/chapter-1/. Mësuesit dhe drejtorët duhet të fitojnë kompetenca për kulturë demokratike dhe t’i praktikojnë ato në shkollë për të ofruar modele sjelljeje për nxënësit e tyre. Diversiteti në shoqëri pasqyrohet në komunitetin e shkollës dhe në klasë, kështu që dialogu ndërpersonal midis mësuesve dhe nxënësve, dhe midis nxënësve gjithmonë përfshin përmasën e dialogut ndërkulturor. Të nxënit për kulturën demokratike nuk do të mjaftojë për ta ndryshuar për të mirë tërë shoqërinë në nivelin makro, por pa qytetarë kompetentë do të jetë e pamundur.