KOMUNIKIMI

Living Democracy » Principals » KOMUNIKIMI
COMMUNICATION

Në botën tonë moderne është pranuar gjerësisht se komunikimi është çelësi i një komuniteti të gjallë që funksionon mirë. Kanalet efektive të komunikimit mund ta mbështesin dhe rrisin mirëkuptimin e ndërsjellë, barazinë dhe respektin për vlerat njerëzore dhe demokratike.
Brenda komunitetit të shkollës, drejtorët e shkollave luajnë një rol kyç në këtë drejtim. Prandaj, ata duhet të jenë të njohur me të ashtuquajturën aksiomën e parë të Paul Watzlawick, e cila thotë se “Një njeri nuk mund të mos komunikojë”. Çfarëdo që drejtorët bëjnë, gjithmonë kuptohet dhe interpretohet nga njerëzit përreth tyre si një mesazh, qoftë i artikuluar apo jo. Edhe nëse një drejtor do të shmangte dërgimin e një mesazhi p.sh. duke heshtur në një takim, do të ishte subjekt i interpretimit nga të tjerët. Shprehjet e fytyrës, gjestet dhe gjuha e trupit gjithashtu do të kuptohen dhe analizohen si akte të komunikimit. Si drejtor i shkollës, ju jeni përgjegjës për një institucion në të cilin vlerat demokratike dhe format e pjesëmarrjes mund të mësohen dhe praktikohen. Mënyra se si komunikoni dhe i përcillni mesazhet verbale ose joverbale e bën një ndryshim. Komunikimi efektiv mund ta bëjë më të lehtë të nxënit, i ndihmon nxënësit të arrijnë qëllimet dhe i rrit mundësitë për të nxënit e zgjeruar. Ai e përforcon lidhjen ndërmjet nxënësve dhe mësuesve dhe krijon një përvojë të përgjithshme pozitive. Njerëzit duan të dëgjohen. Nëse një i rritur tregon interes për opinionet e nxënësve, nxënësit do ta ndiejnë se mendimet dhe idetë e tyre vlerësohen. Kjo e rrit vetëbesimin e tyre. Një nxënës me besim në vete ka më shumë gjasa të flasë në klasë, dhe pjesëmarrja më e gjerë e nxënësve në klasë do ta përmirësojë të nxënit dhe do të ndikojë pozitivisht në bashkëveprimin brenda gjithë grupit dhe shkollës në tërësi.

Fokusi i këtij materiali

Udhëheqja në një komunitet shkollor demokratik, ashtu si edhe mësimdhënia, përbëhet në një masë të konsiderueshme nga komunikimi. Kështu, mënyra e komunikimit e drejtorit është e një rëndësie vendimtare për të gjithë. Sjellja në komunikim e drejtorit mund ta përmirësojë ose pengojë transparencën në çështjet e shkollës. Udhëheqja transparente është parakusht për aftësinë e komunitetit të shkollës për t’u identifikuar me shkollën e tyre, për të ndarë përgjegjësinë dhe për të marrë pjesë në vendimmarrjen institucionale.

Ky material përqendrohet në komunikimin e drejtorit të shkollës në kontekste formale, p.sh. kur mban një takim të stafit, ose kur redakton dhe shpërndan një gazetë shkollore për palët e interesit brenda dhe jashtë komunitetit të shkollës. Materiali nuk merret me trajtimin e procesit të komunikimit në tërësi, ose sjelljen në komunikim të mësuesve, nxënësve, prindërve apo palëve të tjera të interesit, e as nuk merr në konsideratë situatat e përditshme joformale të komunikimit në shkollë, si p.sh. në korridor ose gjatë pushimeve – pavarësisht sa të rëndësishme që ato mund të jenë.

Duke kufizuar vëllimin dhe kompleksitetin e materialit, ne synojmë ta bëjmë atë sa më të përdorshëm për lexuesit dhe sa më efikas. Në atë që pason, ne i konsiderojmë mundësitë dhe mjetet brenda jush që ju mbështesin juve si drejtor, për të përmbushur kërkesat formale profesionale të pozitës tuaj kur komunikoni me komunitetin e shkollës dhe palët e jashtme. Nëpërmjet artikulimeve dhe zgjedhjes së mënyrave dhe kanaleve të komunikimit, ju mund të shërbeni si model për nxënësit tuaj dhe ta përmirësoni të nxënit e tyre dhe të përjetuarit e demokracisë në jetën shkollore.

Kompetencat

Qëllimi i këtij materiali është që t’i zhvilloni më tej ato kompetenca që mbështesin punën tuaj profesionale si drejtor dhe t’ju ndihmojë në transformimin e shkollës në një komunitet demokratik. Këshilli i Evropës i ka përshkruar këto kompetenca në Kompetencat për Kulturë Demokratike (2016) (në dispozicion për shkarkim në disa gjuhë të Evropës). Demokracia moderne nuk varet vetëm nga kuadri institucional, p.sh. ligjet për mbajtjen e zgjedhjeve, por po aq nga vlerat dhe qëndrimet që ndahen mes qytetarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit, nga aftësitë e tyre, p.sh. në komunikimin dhe ndërveprimin me njëri-tjetrin, si dhe nga njohuritë dhe të kuptuarit e roleve të tyre. Përmes sjelljes suaj në komunikim si drejtor i shkollës, ju mund t’u ofroni nxënësve në shkollën tuaj mundësinë për të mësuar kompetencat që janë jetike për demokracinë në vendin tuaj, që ajo të lulëzojë dhe zhvillohet.

Qëndrimi i respektit (fq.12, 39 e tutje)

Modeli i kompetencës i Këshillit të Evropës përfshin qëndrimin e respektit, duke e përcaktuar atë si njohjen e “dinjitetit të brendshëm dhe barazisë së të gjitha qenieve njerëzore” dhe mënyrave të tyre specifike të sjelljes, nevojave dhe interesave. Respekti është më shumë se toleranca, e cila në thelb nënkupton të duruarit e gjithçkaje. Respekti i lejon një personi të mbajë një distancë kritike dhe përfundon kur ballafaqoheni me njerëz që, për shembull, avokojnë për dhunë, racizëm apo seksizëm dhe, në këtë mënyrë, e mohojnë respektin ndaj të tjerëve. Qëndrimi i respektit është thelbësor për një komunitet demokratik në nivel shkolle ose nivel vendi; ajo lehtëson bashkëveprimin e hapur dhe demokratik me njerëzit e tjerë dhe është parakusht për komunikim konstruktiv në shkollë. Duke treguar respekt për çdo pjesëtar të komunitetit të shkollës, ju ofroni një shembull për nxënësit dhe anëtarët e stafit tuaj.

Shkathtësitë komunikuese (fq. 14, 48 e tutje)

Qëllimi i këtij materiali është t’i praktikoni aftësitë tuaja komunikuese. Sipas fjalëve të modelit të kompetencës, “aftësia për të komunikuar qartë në një varg situatash, që përfshin shprehjen e besimeve, opinioneve, interesave dhe nevojave të veta, shpjegimin dhe qartësimin e ideve, përkrahjen, argumentimin, arsyetimin, diskutimin, debatimin, të bindurit dhe negocimin (…), aftësinë për t’u shprehur me vetëbesim dhe pa sulmuar (…) dhe për të shprehur (…) mosmarrëveshjen me një person tjetër në një mënyrë që është me respekt për dinjitetin dhe të drejtat e atij personi”.

Duket e qartë se aftësitë komunikuese jo vetëm që rrisin performancën tuaj profesionale si drejtor shkolle, por gjithashtu ua mundësojnë nxënësve dhe personelit të marrin pjesë në një komunitet demokratik të shkollës.

Njohuritë dhe të kuptuarit kritik të gjuhës dhe komunikimit (fq.14, 51 e tutje)

Përveç të qenit në gjendje të komunikojmë në mënyrë më efikase, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për çfarë arsye zgjedhim një stil, mënyrë ose kanal të caktuar. Ne pastaj mund të kuptojmë “ndikimin social dhe efektet ndaj të tjerëve të stileve të ndryshme të komunikimit” dhe se si ato mund të inkurajojnë çiltërsinë e gatishmërinë për të bashkëpunuar, se si mund të ndihmojnë t’i zgjidhin konfliktet, në vend që t’i intensifikojnë ato.

lexo më shumë
lexo më pak