Deklarata e misionit të shkollës – projekti tërëshkollor

Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Kompetencat për kulturë demokratike » Deklarata e misionit të shkollës – projekti tërëshkollor

Deklarata e misionit të shkollës – Mbajeni shkurt dhe thjeshtë

Shumë institucione arsimore dhe shkolla, por edhe ndërmarrje biznesi dhe institucione qeveritare përdorin deklaratat e misionit. Një deklaratë e misionit të shkollës është si një kartë biznesi për partnerët e jashtëm dhe një pikë referimi për punën e përditshme në shkollë, një rikujtim për komunitetin e shkollës për vizionin dhe drejtimin e përbashkët.

Një deklaratë e misionit të shkollës duhet ta ndjekë parimin Mbajeni shkurt dhe thjeshtë (anglisht: Keep it Short and Simple – KISS). Me pak fjalë dhe në një gjuhë që ka kuptim edhe për ata që nuk janë ekspertë, ajo tregon perspektivën e zhvillimit apo parimet kryesore që përcaktojnë vizionin dhe profilin e përbashkët të shkollës. Deklarata e misionit nuk shpjegon arsyet e zgjedhjeve të bëra dhe as nuk jep ndonjë informacion mbi zbatimin. Një deklaratë e misionit duhet të jetë ambicioze, por qëllimi nuk duhet të jetë i paarritshëm. Një deklaratë e misionit është e hapur për shqyrtim, por do të humbiste besueshmërinë nëse do të ndryshohej shpesh.

Shih (në anglisht)
https://www.missionstatements.com/school_mission_statements.html
https://www.educationworld.com/a_admin/admin/admin229.shtml

Përqendrohuni në një pyetje të thjeshtë gjatë një stuhie mendimesh

Një komunitet shkollor është heterogjen, që sjell së bashku dy ose tre breza, edukatorë profesionistë, fëmijë dhe adoleshentë. Nëse edhe prindërit përfshihen, komuniteti shkollor i ngjan një mikrokozmosi të larmisë dhe pluralizmit në shoqëri si tërësi. Në shoqëri të tilla moderne, sfida për demokracinë është të sigurojë që të gjithë qytetarët, pavarësisht prejardhjes së tyre, janë të angazhuar dhe e kuptojnë atë që është në rendin e ditës, pasi përndryshe vendimmarrja do të shndërrohej në privilegjin e një elite të specialistëve.

Kështu, procesi i krijimit të një deklarate për misionin e shkollës duhet të fillojë me një fazë të stuhisë së mendimeve brenda secilit grup – ekipi i drejtuesve të shkollës, mësuesve, nxënësve dhe prindërve. Për këtë ushtrim stuhie mendimesh, është e rëndësishme të zgjidhni një pyetje kuptimplote për të gjitha grupet. Për një deklaratë të misionit që nxjerr në pah një objektiv kryesor, është e mjaftueshme një pyetje e thjeshtë, e hapur, siç është “Çfarë e bën një shkollë të mirë?” Pyetja duhet t’i lejojë çdo anëtari të komunitetit të shkollës të përgjigjet, bazuar në nivelin e të kuptuarit dhe duke u mbështetur në përvojën personale ose profesionale. Me fjalë të tjera, të gjithë duhet të jenë në gjendje të veprojnë si ekspertë. Drejtori dhe stafi i shkollës duhet të diskutojnë mbi zgjedhjen dhe formulimin e pyetjes kryesore, dhe të marrin parasysh implikimet e saj për deklaratën përfundimtare të misionit.

Stuhia e mendimeve fillon me idetë dhe interesat e të gjithë individëve. Kështu, duhet të pritet një larmi e kontributeve që reflekton një komunitet pluralist. Për të arritur në një deklaratë të thjeshtë, është i domosdoshëm një proces i integrimit dhe renditjes së përparësive, mu sikurse në vendimmarrjen demokratike dhe krijimin e politikave. Në EQD/ EDNJ, modele të ndryshme tregojnë se si të organizohet një proces i tillë stuhie mendimesh. Ato janë të përshtatshme për nxënësit e të gjitha grupmoshave, mësuesit, drejtuesit e shkollës dhe prindërit. Siç u sugjerua më lart, i gjithë procesi i stuhisë së mendimeve përqendrohet në të njëjtën pyetje, në secilin grup.

Kuadri për diskutim dhe vendimmarrje

Përdorni kornizën institucionale që është në fuqi në shkollën tuaj (shiko Materialin e përgatitjes 3.1). Përndryshe ndiqni këtë model për të formuar grupe të veçanta. Një këshill i zgjedhur i mësuesve, nxënësve dhe prindërve, i kryesuar nga drejtori i shkollës, përfundimisht duhet ta miratojë deklaratën e hartuar të misionit. Kjo formë e demokracisë përfaqësuese siguron që të gjitha palët e interesit, pavarësisht nga madhësia e tyre, janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë. Për të siguruar mbështetjen e gjerë dhe për të siguruar të identifikuarit tuaj me deklaratën e misionit, këshillohet që të caktohet një kuorum prej 75% ose 80% për miratim (shih Qeverisja demokratike e shkollave, publikim i KE 2007, f. 36).

Kompetencat për Kulturën Demokratike (KKD) si deklaratë e misionit të shkollës

Deklarata e misionit të shkollës duhet të vlerësohet gjerësisht në komunitetin e shkollës. Nga kjo rrjedh se askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga përmbajtja e saj për shkak të diskriminimit në bazë të moshës, besimit fetar, origjinës etnike, gjinisë, interesave personale ose grupore. Deklarata e misionit nuk duhet të identifikohet me ndonjë qëndrim ose identitet të grupit të veçantë, por përkundrazi të theksojë parimet kryesore dhe një perspektivë në zhvillim që mund të mbështetet nga të gjithë anëtarët e komunitetit të shkollës. Ne besojmë se KKD (shih Materialin e ndërgjegjësimit 2.1) i plotëson këto kritere.
“KKD dhe qasja tërëshkollore ofron një perspektivë të vlefshme zhvillimi për shkollat se si të bëhen më demokratike, duke marrë parasysh sferat kryesore të jetës shkollore, siç janë mësimdhënia dhe të nxënit, qeverisja dhe kultura e shkollës dhe bashkëpunimi me komunitetin. Në këtë mënyrë, zhvillimi i kulturës demokratike të shkollës dhe i kompetencave të kulturës demokratike te nxënësit, bëhet një mision shkollor. ”(në anglisht: Kuadri i Referencës së Kompetencave për Kulturë Demokratike, vëll. 3, f. 96.)

Përvijimi i procesit të diskutimit dhe vendimmarrjes

  • Stuhia e mendimeve në klasë, në mbledhjet e prindërve dhe të stafit (shiko detajet më lart).
  • Zëdhënësit paraqesin kontributet e tyre nga stuhia e mendimeve për grupin e punës, detyra e të cilit është ta hartojnë deklaratën e misionit. Ky grup duhet të përfshijë vullnetarë që përfaqësojnë të gjitha grupet e komunitetit të shkollës.
  • Deklarata e misionit prezantohet për secilën klasë, stafin dhe prindërit. Anëtarët e grupit punues marrin pjesë në çdo mbledhje, shpjegojnë vendimet e tyre dhe mbledhin reagime.
  • Grupi punues pastaj diskuton mbi komentet e marra dhe përfundon draftin e tij.
  • Këshilli i shkollës, pavarësisht nëse është ekzistues ose i formuar aty për aty, e miraton deklaratën e misionit të shkollës me shumicë votash.

Përmbledhja dhe zbatimi

  • Deklarata e misionit shfaqet në mënyrë të dukshme në ueb faqen e shkollës, në fletushkat e shkollës për vizitorët dhe prindërit e rinj, dhe në posterët në dhomën e stafit dhe në çdo klasë.
  • Nxënësit e diskutojnë me mësuesit e tyre përvojën e tyre të pjesëmarrjes demokratike në këtë proces vendimmarrës, duke e lidhur atë me konceptin e kulturës demokratike të shkollës.
  • Përfaqësuesit e prindërve, në një takim të stafit, japin përshtypjet për pjesëmarrjen e prindërve.
  • Komuniteti i shkollës diskuton hapat e ardhshëm për të zbatuar deklaratën e misionit.