Metodat – Zgjidhja e konflikteve, kafeneja e botës (World Café), forumi i diskutimit

Living Democracy » Principals » PJESËMARRJA » Veprimi » Metodat – Zgjidhja e konflikteve, kafeneja e botës (World Café), forumi i diskutimit

Zgjidhja e konflikteve:

Konfliktet midis personave ose grupeve të personave duhet të trajtohen në mënyrë sistematike. Ato ofrojnë mundësi të rëndësishme të të nxënit në qytetarinë demokratike, pasi nxënësit mund të mësojnë se konfliktet i përkasin jetës shoqërore, por mund të zgjidhen duke marrë parasysh interesat e të dyja palëve.

Një procedurë standarde për zgjidhjen e konflikteve (zakonisht e aplikuar me nxënësit):

  1. I gjithë grupi merr miratimin nga palët kundërshtare për ta zgjidhur konfliktin e tyre.
  2. Konflikti përshkruhet nga çdo person i përfshirë në konflikt.
  3. Konflikti analizohet dhe interesat dhe nevojat sqarohen.
  4. Grupi përpiqet t’i ndryshojë këndvështrimet dhe tregon empati me të gjitha palët në konflikt.
  5. Grupi kërkon zgjidhje (p.sh. përmes stuhisë së mendimeve).
  6. Personat e përfshirë në konflikt i konsiderojnë zgjidhjet (të dobishme, të realizueshme) dhe zgjedhin disa.
  7. Personat e përfshirë në konflikt arrijnë marrëveshje.
  8. Personat e përfshirë në konflikt (me ndihmën e grupit) planifikojnë si ta zbatojnë marrëveshjen (kush, çfarë, kur, si).

Kafeneja e botës:

Kafeneja e botës (ang.World Café) është një metodë për ta drejtuar një dialog të madh në grup dhe mund të jetë e dobishme për një sërë nevojash. Kjo metodë është e përshtatshme për zgjidhjen e problemeve të vështira ose përgjigjen e pyetjeve komplekse së bashku me shumë njerëz. Nxit përdorimin e inteligjencës kolektive dhe mbështet shprehjen e mendimeve, ideve ose zgjidhjeve të ndryshme. Ueb faqja (www.theworldcafe.com) ju ofron të gjitha informatat e nevojshme për metodën.

Forumi i diskutimit:

Kjo metodë është vërtetuar të jetë e përshtatshme për nxënësit, por mund të aplikohet edhe me të rriturit. Ajo synon të zhvillojë të kuptuarit e thellë të një çështjeje dhe të demonstrojë një ndryshim të mundshëm në qëndrimeve pas diskutimit: Së pari, ju shpërndani një pyetësor të shkurtër (zakonisht me pyetje të mbyllura) për pjesëmarrësit, duke kërkuar të ofrojnë qëndrimet e tyre rreth çështjes në fjalë, p.sh. integrimi i refugjatëve. Në hapin e dytë, pjesëmarrësit marrin informacion të balancuar mirë në lidhje me çështjen. Në një sesion plenar (hapi i tretë), ekspertë dhe grupe të ndryshme të interesit nga komuniteti shkollor mund të ftohen të paraqesin para pjesëmarrësve argumentet dhe qëndrimet e tyre. Hapi i katërt: pjesëmarrësit janë të ndarë në grupe të ndryshme dhe zhvillojnë pyetje për t’ua shtruar politikanëve nga parti të ndryshme. Hapi i pestë: në një sesion të dytë plenar, politikanët mund të reagojnë ndaj pyetjeve brenda një afati të caktuar kohor. Në fund, çdo pjesëmarrës e plotëson pyetësorin që nga fillimi, përsëri. Pyetësorët janë anonimë, por të shënuar me një kod. Në këtë mënyrë, është e mundur të tregohen ndryshimet në qëndrimin e njerëzve.

Shënim:

Nëse nuk arrini të organizoni çdo hap, p.sh. të ftuarit e gjithë ekspertëve ose politikanëve, ju mund të kapërceni ose ndryshoni një hap, për shembull duke zëvendësuar ekspertët me pjesëmarrës. Këta pjesëmarrës duhet të informohen në detaje për një çështje, ose të marrin pozicionin e një grupi të caktuar interesi).

Burimet: www.theworldcafe.com