Përfshirja e palëve të interesit në qeverisjen e shkollës

Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Stili demokratik i udhëheqjes së shkollës » Përfshirja e palëve të interesit në qeverisjen e shkollës

ugjerimet e mëposhtme jepen në doracakun Qeverisja demokratike e shkollave (e cituar këtu si QDSh) nga Elisabeth Bäckman dhe Bernard Trafford, Publikim i Këshillit të Evropës 2007, f. 54 – 61,

Në një komunitet demokratik të shkollës, është e rëndësishme që të gjitha palët e interesit ta kenë mundësinë të marrin pjesë. Ata duhet të përfshihen në komunikim, rrjetëzim dhe vendimmarrje. Duke përfshirë komunitetin lokal, shkolla juaj demonstron se nuk dëshiron të izolohet, por përkundrazi të jetë pjesë aktive në shoqëri. Anëtarët e komunitetit të shkollës janë aktorë, jo spektatorë, qoftë në mjediset e shkollës, ose në mbrojtje të shoqërisë demokratike, nëse është e domosdoshme (shih QDSh, f. 54).

Si drejtor shkolle dhe palë e përfshirë, ju luani një rol kyç në inicimin, inkuadrimin dhe inkurajimin e të gjitha palëve të tjera të interesit për të luajtur rolin e tyre. Ky rol është sfidues, pasi numri i anëtarëve të stafit, nxënësve dhe punëtorëve shpesh është i barabartë me fuqinë punëtore në ndërmarrjet e mesme. Drejtorët e shkollave bashkëveprojnë ngushtë me palët e brendshme, mësuesit, nxënësit dhe punëtorët tjerë. Nga ana tjetër, ka palë të tjera të jashtme, të tilla si prindërit, autoritetet e shkollës, politikëbërësit vendorë dhe donatorët. Si drejtor shkolle, ju nuk mund të kontrolloni sjelljen e ndonjë prej këtyre grupeve, por mund t’u kërkoni të jenë pjesë e interesit të përbashkët për suksesin e shkollës. Prandaj, këndvështrimi juaj personal dhe profesional është vendimtar kur të përpiqeni t’i përfshini të gjitha palët në jetën shkollore.

Reflektoni në këndvështrimin tuaj si drejtor shkolle

Ju jeni pala kryesore. Në një masë të madhe, varet nga ju se sa anëtarët dhe grupet e tjera aktivisht marrin përgjegjësi në komunitetin e shkollës. Prandaj, duhet ta vlerësoni këndvështrimin juaj personal dhe profesional, pasi ka një ndikim vendimtar në vendimet dhe veprimet tuaja (shih Materialin e ndërgjegjësimit 1.1 dhe QDSh, f. 54, 58).

Në bashkëveprimin me palët e brendshme dhe të jashtme të interesit, ju veproni si një rrjetëzues. Ju komunikoni përherë me mësuesit, nxënësit, prindërit dhe punonjësit e shkollës, si në kontekste formale ashtu dhe joformale. Ju jeni rregullisht në kontakt me politikëbërësit lokalë, përfaqësuesit e autoriteteve të shkollës dhe donatorët që presin vëmendjen tuaj. Mundohuni të identifikoni interesat e tyre të përbashkëta me të cilat mund t’i tërheqni.

Pyetni veten: Pse doja të bëhesha drejtues shkolle? Çfarë lloj shkolle dhe çfarë lloj shoqërie dua? Me pyetje si këto, mund të formoni një ide më të qartë për vizionet që drejtojnë veprimet tuaja si drejtues i shkollës (shih QDSh, f. 50).

Palët e brendshme të interesit

Jeta në shkollë përfshin kontekste formale dhe joformale që kërkojnë nga drejtori, mësuesit dhe nxënësit të performojnë në role specifike, por gjithashtu të ofrojnë mundësi të ndryshme. Konferencat e stafit, takimet e prindërve dhe orët mësimore janë kontekste zyrtare, ndërsa bisedat gjatë pushimeve në korridor ose në oborrin e shkollës janë kontekste joformale.

Nëse sugjerimet e mëposhtme ju duken bindëse, mund të filloni t’i zbatoni ato menjëherë.

Hapat e parë për përfshirjen e mësuesve dhe nxënësve

  • Pajisni mësuesit me informacione të rëndësishme para një takimi të stafit, duke u dhënë atyre mundësinë që të formojnë opinionin e tyre (shih QDSh, f. 39).
  • Inkurajoni mësuesit të shprehin pikëpamjet e tyre në takimet e stafit. Dëgjoni diskutimin e tyre dhe caktoni një zëvendësdrejtor të shkollës ose anëtar të stafit si udhëheqës.
  • Mbështetni anëtarët e stafit që dëshirojnë të krijojnë rrjete me shoqërinë dhe ekspertët e jashtëm (shih QDSh, f. 56).
  • Lini zyrën tuaj gjatë pushimeve dhe kohës së drekës, për të takuar mësuesit dhe nxënësit tuaj. Mos e nënvlerësoni atë që ju thuhet në kontekste joformale, pasi mësuesit zakonisht kanë një qëllim në mendje kur ju afrohen (shihni QDSh, f. 59).
  • Mundohuni të njihni me emër sa më shumë nxënës të jetë e mundur. Për shembull, një drejtoreshë shkolle në Ukrainë e arriti këtë përmes hapave të vegjël, duke i ftuar të gjithë nxënësit në grupe për çaj pasditeve në zyrën e saj.

Bindja e palëve të interesit për përfshirje: masa më të avancuara

  • Identifikoni detyra rutinore dhe delegojini ato te stafi, mbase fillimisht për një periudhë të kufizuar kohore. Të dhënit mësuesve më shumë njohuri mbi administrimin e shkollës ju lejon të përqendroheni në çështje të rëndësishme. Duke marrë më shumë përgjegjësi, stafi juaj do të identifikohet më fort me shkollën e tyre (shih. QDSh, f. 60). Ju u besoni mësuesve tuaj, në vend se t’i kontrolloni ata.
  • Rritni ose përmirësoni mundësitë për mësuesit dhe nxënësit tuaj që të takohen jashtë klasës, në vende të tilla si kafenetë e përbashkëta, vendet ku hahet dreka dhe zonat për rekreacion (shih QDSh, f. 51). Për më shumë ide, shihni sekuencat mbi të ushqyerit dhe aktivitetin fizik në këtë ueb faqe për drejtorët e shkollave.
  • Formoni një ekip mësuesish dhe nxënësish për të krijuar një ueb faqe tërheqëse të shkollës tuaj. Ueb faqja juaj mund t’i shërbejë komunitetit demokratik të shkollës duke ofruar informacione mbi temat dhe çështjet aktuale. Ftoni të gjitha palët e interesit të kontribuojnë në këtë ueb faqe.
  • Ftoni prindërit, anëtarët e bordit të shkollës, politikëbërësit lokalë, donatorët dhe/ose median në shkollën tuaj. Organizoni takime me stafin dhe nxënësit tuaj. Diskutim: Cila është shkolla më e mirë për këtë komunitet? Çfarë lloj arsimimi i përgatit nxënësit tanë më së miri për të ardhmen e tyre? Pse është e rëndësishme që një shkollë të japë një shembull të kulturës demokratike?

Për më shumë ide se si t’i përfshini palët e interesit në shkollës, shikoni temat 2 – 4.