Modeli i Këshillit të Evropës i kompetencave për kulturë demokratike (KKD)

Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Veprimi » Modeli i Këshillit të Evropës i kompetencave për kulturë demokratike (KKD)
Objektivat e të nxënit 1. Mësimdhënësit janë të njohur me modelin e kompetencave për kulturën demokratike.
2. Ata janë të vetëdijshëm se kultura demokratike dhe dialogu ndërkulturor janë të lidhura ngushtë dhe janë objektiva kyçe në Edukimin për Qytetari Demokratike (EQD).
3. Ata e kuptojnë se arsimimi në shkolla është çelësi për nxënësit që të fitojnë kompetencat që u duhen për të marrë pjesë në kulturën demokratike, si në shkollë ashtu edhe në jetën si të rritur.
Detyrat 1. Mësimdhënësit studiojnë diagramin dhe shënimet mbi modelin e KKD.
Ata lexojnë kapitujt e zgjedhur nga manuali i KKD-së, ua prezantojnë njëri-tjetrit dhe i diskutojnë ato.
2. Mësuesit shqyrtojnë me vëmendje edukimin për qytetari demokratike dhe të drejtat e njeriut si një qasje tërëshkollore, duke identifikuar pikat e forta dhe të dobëta.
3. Së bashku me drejtorin dhe zëvendësit, ata diskutojnë një program për zhvillimin e shkollës dhe identifikojnë nevojat e tyre në aspektin e të nxënit dhe trajnimit
Burimet Një kopje për secilin pjesëmarrës: Këshilli i Evropëes, Një kopje për secilin pjesëmarrës: Këshilli i Evropës,
„Kompetencat për Kulturë Demokratike: Diagrami“
Metodat Punë në grupe (metoda e ndërthurjes – Jigsaw), Diskutim
Komentet Është thelbësore që mësuesit ta kuptojnë se pse dhe për çfarë qëllimi duhet të angazhohen në zhvillimin e shkollës së tyre si një komunitet shkollor demokratik. Ne sugjerojmë, pra, një ditë trajnimi të brendshëm për të gjithë stafin e shkollës, përfshirë drejtorin dhe zëvendësit.
Drejtori mund ta delegojë përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e ditës së trajnimit te një ekip mësimdhënësish. Në këtë rast, drejtori dhe zv.drejtorët mund të marrin pjesë në trajnim.
Metoda e ndërthurjes u jep mësuesve mundësinë për t’ia shpjeguar modelin e kompetencave njëri-tjetrit (të nxënit e bazuar në detyra), kështu që nuk kërkohet ligjëratë. Secili pjesëmarrës merr përgjegjësinë për shpjegimin e një aspekti të modelit të KKD për kolegët e tij/saj dhe merr kontribute prej tyre në aspektet e tjera.
Kjo ditë trajnimi mund të jetë një fillim për diskutime të mëtejshme, ngjarje trajnimi ose masa konkrete. Këshillohet që, në fund të ditës, drejtori të pajtohet me stafin për hapat konkretë.

Një plan për një ditë të trajnimit të brendshëm për modelin e kompetencave për kulturë demokratike (KKD)

1. Hyrje (sesion plenar); përafërsisht 20 minuta

  • Qëllimi dhe objektivat e ditës së trajnimit
  • Orari dhe afati kohor për fazat 1 – 3 (kjo është e rëndësishme për të siguruar që trajnimi të mund të përfundojë në kohën e disponueshme); vizualizimi (prezantimi në power point ose fletë të punës për pjesëmarrësit) ndihmon për të kursyer kohë.
  • Çështjet teknike (p.sh. materialet) dhe organizimi
  • Mësuesit janë caktuar në grupe studimi prej 6 anëtarëve; grupet dhe lokacioni i punës së tyre janë të shënuara në një tabelë.

2. Mësuesit e studiojnë dhe ia shpjegojnë modelin e KKD njëri-tjetrit (punë në grupe, metoda Jigsaw)

Faza 2.1: Dhënia e detyrave në grupet e diskutimit ( A – DH); përafërsisht 30 minuta
  • 36 mësimdhënësit e parë hyjnë në grupe me nga gjashtë anëtarë secili, me emërtimin A – DH. Nëse janë të pranishëm 72 ose më shumë pjesëmarrës, ata formojnë një rrjet të dytë me gjashtë grupe, të emërtuar E – H. Për t’iu përshtatur numrit të pjesëmarrësve, grupet e studimit mund të rriten deri në tetë pjesëmarrës.
  • Grupet studiojnë diagramin me shënimet për modelin e KKD dhe diagramin “flutur” për kompetencat në Kompetencat për kulturën demokratike, fq. 11 (anglisht)
  • Grupet caktojnë detyrat e mëposhtme, të numëruara 1 – 6, tek anëtarët e tyre:
    1. Shpjegoni konceptin e kulturës (shënimi 6, Kompetencat për kulturën demokratike, kapitulli 3). Jepni një shembull të dialogut ndërkulturor në shkollën tuaj.
    2. Shpjegoni konceptin e kompetencës dhe kompetencave (shënimi 7, Kompetencat për kulturën demokratike, kapitulli 4). Mendoni një shembull për të treguar se si grumbujt e kompetencave janë të mobilizuara në një situatë të caktuar.
    3. Shpjegoni rëndësinë e vlerave në modelin e kompetencave (Kompetencat për kulturën demokratike, kapitulli 6, fq. 36 e tutje.) Zgjidhni një shembull për ta treguar rëndësinë e vlerave për kulturën demokratike dhe komunitetin e shkollës.
    4. Shpjegoni rëndësinë e qëndrimeve në modelin e kompetencave (Kompetencat për kulturën demokratike, kapitulli 6, fq. 38 e tutje.) Zgjidhni një shembull për të treguar rëndësinë e qëndrimeve për kulturën demokratike dhe komunitetin e shkollës.
    5. Shpjegoni rëndësinë e aftësive në modelin e kompetencave (Kompetencat për kulturën demokratike, kapitulli 6, fq. 43 e tutje.) Zgjidhni një shembull për të treguar rëndësinë e aftësive për kulturën demokratike dhe komunitetin e shkollës.
    6. Shpjegoni rëndësinë e njohurive dhe të kuptuarit kritik në modelin e kompetencave (Kompetencat për kulturën demokratike, kapitulli 6, fq. 50 e tutje.). Zgjidhni një shembull për të treguar rëndësinë e njohurive dhe të kuptuarit për kulturën demokratike dhe komunitetin e shkollës.
    7. Nëse janë të pranishëm më shumë se 6 anëtarë të grupit, një detyrë u caktohet 2 anëtarëve të grupit të cilët do të punojnë si çift.
Faza 2.2: Përgatitja në grupe studimi (1 – 6); përafërsisht 45 – 60 minuta
  • Pjesëmarrësit hyjnë në një grup studimi, të emërtuar prej 1 – 6. Në grupin 1, gjashtë pjesëmarrësit që kanë marrë detyrën 1 takohen për të përgatitur shpjegimet e tyre. Grupet e tjera të studimit fokusohen në detyrën 2 – 6, në të njëjtën mënyrë.
  • Pjesëmarrësit studiojnë materialet që u janë caktuar atyre. Ata qartësojnë pikat që mund të jenë të vështira dhe përgatitin kontributin e tyre për grupet e tyre të diskutimit. Detyra e tyre është të informojnë, jo të gjykojnë ose të diskutojnë.
  • Të gjithë pjesëmarrësit kanë përvojë të mësimdhënies, kështu që ata do të kuptojnë se kontributet e tyre duhet të mbahen të shkurtra dhe të thjeshta, për dy arsye: së pari, koha në dispozicion duhet të ndahet në mënyrë të barabartë për gjashtë kontributet; Së dyti, kohëzgjatja e vëmendjes e çdo pjesëmarrësi është e kufizuar.
Faza 2.3: Prezantimet në grupet e diskutimit (A – DH); përafërsisht 60 – 75 minuta
  • Pjesëmarrësit kthehen në grupet e tyre të diskutimit.
  • Me radhë, ata shpjegojnë aspektin e modelit të KKD që kanë zgjedhur. Ata respektojnë kohën në dispozicion për t’u siguruar që çdo anëtar të mund të dëgjohet.
  • Nëse lejon koha, pjesëmarrësit i ndajnë mendimet dhe përshtypjet për modelin e KKD.

3. Diskutimi në seancë plenare; përafërsisht 60 – 75 minuta

  • Pjesëmarrësit mblidhen për seancë plenare.
  • Pjesëmarrësit japin përshtypjet e tyre personale: çfarë m’u duk interesante ose e parëndësishme; çfarë do të doja të di më shumë; çfarë kam mësuar në lidhje me kompetencat e mia, etj. Këto deklarata nuk komentohen ose diskutohen para se të përfundojë radha e përshtypjeve. Pastaj, mund të pasojnë komentet dhe diskutimet.
  • Pjesëmarrësit diskutojnë hapat e mëtejshëm të planifikimit ose veprimit, si në vijim:
    • Vlerësimi: kultura demokratike në komunitetin tonë shkollor: potencialet, përparësitë, dobësitë
    • Çfarë kontributi mund të jap, p.sh. si një shembull për t’u ndjekur për dialogun ndërpersonal dhe ndërkulturor?
    • Çfarë kontributi mund të jap në mësimdhënien time?
    • Cilat janë objektivat tona në mësimdhënie për të mbështetur kulturën demokratike?
    • Çfarë do të dëshironim për të mësuar dhe për t’u trajnuar?

Drejtori i dëgjon kërkesat dhe sugjerimet e mësuesve dhe më pas përgjigjet. Para se të mbyllet takimi, drejtori dhe stafi duhet të kenë rënë dakord për hapin tjetër ose hapat tjerë që do t’i marrin së bashku.