Stilet e udhëheqjes së shkollës

Living Democracy » Principals » UDHËHEQJA » Stili demokratik i udhëheqjes së shkollës » Stilet e udhëheqjes së shkollës

A është demokracia mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur sfidave me të cilat përballet shoqëria jonë? Apo ka alternativa më të mira? Debati për këtë çështje ka qenë i pranishëm që nga kohërat e lashta e deri më sot. Ajo që vlen për shoqërinë, vlen edhe për shkollat. Nëse avokojmë për udhëheqjen demokratike të shkollës, është e nevojshme të merren parasysh alternativat. Le të shohim katër tipat kryesorë të udhëheqjes.

Udhëheqësit autokratikë priren të marrin të gjitha vendimet vetë. Ata do të argumentojnë se ky është stili më efektiv për të përfunduar shumë detyra në një periudhë të shkurtër kohore. Kjo është me të vërtetë përparësia e udhëheqjes autokratike, por dobësia e saj është se vendimet mund të kundërshtohen ose të vihen në dyshim, që si rrjedhojë e rrit mundësinë e konfliktit dhe sjell refuzimin për të bashkëpunuar. Udhëheqësit autokratikë nënvlerësojnë faktin se deri në ç’masë ata varen nga të tjerët. Rregullat shkollore që imponohen pa diskutim, më shpesh nuk respektohen, gjë që është kundërproduktive në trajtimin e sjelljeve të këqija dhe ngacmimeve. Udhëheqja autokratike shpesh ndjek status quo-në dhe zakonet, duke ofruar pak për sa i përket inovacionit dhe zhvillimit. Rezultatet akademike janë të ulëta në shkollat e udhëhequra në mënyrë autokratike, pasi nevojat specifike të nxënësve për mbështetje dhe inkurajim marrin pak vëmendje.

Udhëheqja Laissez-faire karakterizohet nga mungesa e procedurave të përcaktuara qartë për vendimmarrje dhe pak përfshirje nga udhëheqësi në proceset e vendimmarrjes. Koha për diskutime nuk është e kufizuar qartë, kështu që efikasiteti i vendimmarrjes dhe menaxhimi i shkollës është i dobët. Nga ana tjetër, përparësia e këtij tipi të udhëheqjes është niveli i ulët i sjelljes agresive dhe konfliktit në komunitetin e shkollës.

Udhëheqësit paternalistë veprojnë si figura prindërore duke u kujdesur për vartësit e tyre siç do të bënte prindi, pa u dhënë atyre ndonjë përgjegjësi ose liri të zgjedhjes. Në këtë lloj udhëheqjeje, udhëheqësi tregon shqetësim dhe kujdeset për stafin e tij. Si kthim, ai pret besim, besnikëri dhe bindje. Mësuesit pritet të jenë plotësisht të dedikuar në ato që udhëheqësi beson dhe të përmbahen nga bërja e zgjedhjeve të tyre ose nga të punuarit në mënyrë të pavarur. Mësuesit pritet të qëndrojnë të punësuar në të njëjtën shkollë për një kohë më të gjatë për të forcuar lojalitetin dhe besimin. Udhëheqja paternaliste ka tendencë për të ndarë stafin, pasi udhëheqësi i shkollës do t’i shpërblejë mësuesit e tij të preferuar për besnikërinë e tyre, me trajtim të veçantë dhe mundësi si projekte, udhëtime, trajnime, etj.

Stili demokratik i udhëheqjes ofron potencialin për të kapërcyer dobësitë që tipat e tjerë të udhëheqjes priren t’i zhvillojnë. Një udhëheqës demokratik i shkollës sigurohet që të gjithë anëtarët e komunitetit të shkollës të përfshihen në procesin e vendimmarrjes – por pjesëmarrja do të ndryshojë, në varësi të kontekstit. Nxënësit nuk do të marrin pjesë në çdo vendim dhe udhëheqësi mund të mos ketë gjithmonë fjalën e fundit. Në disa raste, ai mund të mbetet vetëm si lehtësues i një marrëveshjeje midis stafit ose tërë komunitetit të shkollës, ose edhe do t’i duhet ta pranojë një vendim që ai nuk e mbështet vetë.

Udhëheqja dhe përgjegjësia janë të shpërndara, dhe shpesh ka udhëheqës të nëngrupeve. Sa më shumë anëtarë të komunitetit të shkollës që marrin pjesë në proces – drejtuesi i shkollës, stafi, nxënësit, shtëpiakët, stafi i zyrës, ndoshta edhe prindërit dhe palët e jashtme të interesit, aq më i qartë do të jetë imazhi i interesave, pikëpamjeve dhe vlerave të ndryshme. Fuqia e udhëheqjes demokratike të shkollës qëndron në potencialin e saj për të sjellë vendime dhe zgjidhje që pranohen dhe mbështeten gjerësisht, me kushtin që të gjitha interesat dhe kërkesat janë marrë parasysh. Përpjekja që kërkohet për grupet e ndryshme në komunitetin e shkollës për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë të pjesëmarrjes mund të jetë mjaft e frikshme, por është diçka që shpërblehet. Komuniteti i shkollës mund ta zhvillojë një kulturë demokratike të shkollës me një klimë të hapur dhe miqësore. Anëtarët e tij do të jenë më të motivuar dhe të përkushtuar, komunikimi formal dhe joformal do të lulëzojë, duke përfshirë të dyja palët – udhëheqësin e shkollës dhe komunitetin e shkollës. Disiplina do të përmirësohet nëse nxënësit, po ashtu, ndihen përgjegjës për shkollën e tyre. Shkolla do të arrijë rezultate më të larta akademike duke akomoduar aftësitë dhe talentet e larmishme të nxënësve të saj.

Udhëheqja demokratike e shkollës, prandaj, ka potencial të fortë, sikurse edhe sfida. Sa më shumë anëtarë të marrin pjesë, aq më komplekse do të jenë proceset e diskutimit, ndërtimi i konsensusit dhe vendimmarrja. Atëherë, rrugët e shkurtra autokratike për vendimmarrje efikase mund të duken se ofrojnë një alternativë tërheqëse. Ne argumentojmë se ia vlen përpjekja për t’u marrë me këtë kompleksitet, pasi nxënësit tuaj duhet të mësojnë se si të ecin përpara në situata kontradiktore dhe të paqarta (Kompetencat për kulturë demokratike, f. 43). Shkollat e udhëhequra në mënyrë demokratike mbështesin shoqëritë e tyre duke i edukuar nxënësit e tyre të bëhen qytetarë që janë të aftë dhe të sigurt në vete për të marrë pjesë në proceset e diskutueshme dhe dinamike të vendimmarrjes.