Të marrurit me të nxënit është pjesë e punës suaj. A është mësimdhënia pjesë e saj gjithashtu?

Living Democracy » Principals » TË NXËNIT » Ndërgjegjësimi » Të marrurit me të nxënit është pjesë e punës suaj. A është mësimdhënia pjesë e saj gjithashtu?

Shumë njerëz trokasin shpesh në derën e zyrës suaj, për udhëzime, këshilla dhe përgjigje. Nëse ka probleme, që zakonisht ndodhin shpesh, ju do të jeni ai që do t’i zgjidhni. Ju jeni përgjegjës për organizimin e shkollës. Ju doni të keni rezultate të mira. Ju e drejtoni shkollën, kështu që çdo gjë që bëni ka ndikim të madh në mësimdhënie dhe në të nxënë.

Ekzistojnë disa debate të fshehta ose të dukshme në lidhje me mësimdhënien në shkollë. Për shembull, a është mësimdhënia ngjarje e shenjtë që ndodh në klasë ekskluzivisht në fushën e mësuesve dhe nxënësve? A ka ndonjë lidhje të përbashkët ndërmjet lëndëve të ndryshme, veçanërisht atyre që merren me shkencën, me edukimin e orientuar në vlera apo edukimin fizik? A ka ndonjë lidhje midis punës që bëhet në klasë, në laborator ose në oborrin e shkollës? A nuk duhet që drejtori i shkollës të merret me punën e tij administrative dhe t’ia lë mësimdhënien specialistëve?

Pavarësisht nga fakti që pothuajse në mbarë botën ligjet dhe rregulloret e shkollave kërkojnë qëllime mësimore të gjalla demokratike, si dhe pavarësisht nga evolucioni i pedagogjisë dhe didaktikës që përshkruajnë rrugën nga mësimdhënia autoritare në të nxënit në bashkëpunim, në shkollat e sotme mund të gjendet shumëllojshmëri e praktikave të mësimdhënies, duke filluar nga të besuarit se mësimdhënia është transmetim i njohurive e deri te të pranuarit se është proces shumëdimensional.

Megjithatë, në qoftë se demokracia duhet të mësohet, ajo duhet jo vetëm të dihet në mënyrë kognitive, por edhe të provohet dhe të përjetohet. Kështu, koha e mësimdhënies, që përfshin shumicën e kohës së kaluar në shkollë, është një agjent thelbësor, dhe roli i drejtorit në këtë drejtim është vendimtar.