Si i përgatis mësuesit dhe aktivitetet në shkollën time

Living Democracy » Principals » SHKOLLA AKTIVE » Përgatitja » Si i përgatis mësuesit dhe aktivitetet në shkollën time

Një shkollë fizikisht aktive nuk është vetëm për nxënësit, por për të gjithë! Prandaj, edhe mësuesit dhe stafi duhet të jenë pjesë e këtij programi. Kjo do të thotë që ne fillojmë me veten para se të fillojmë me nxënësit në shkollën tonë.

Programi ynë do të dizajnohet që të jetë më gjithëpërfshirës, aktiv dhe argëtues ndërsa ndihmon të gjithë anëtarët e komunitetit të shkollës për të zhvilluar një angazhim të përjetshëm për shëndet.

Së bashku me një ekip të vogël, unë si udhëheqës i shkollës, do të hartoj përmbajtjen dhe planin kohor për shkollën time. Ekipi bërthamë NUK DO TË PËRBËHET VETËM NGA MËSUESIT E EDUKIMIT FIZIK. Kolegët josportivë do të duhet të marrin pjesë, gjithashtu.

Programi ynë u lejon pjesëmarrësve të zhvillojnë një larmi të aftësive të lëvizjes dhe të punës ekipore, në mënyrë që të gjithë të ndihen më rehat si në mjedise grupore ashtu edhe mjedise të lëvizjes, duke rritur kështu gjasat që njerëzit të vazhdojnë vetë me programin, ose të marrin pjesë me të tjerët.

A. Informatë: Të kuptuarit tonë si mësues dhe personel

  1. Ne përqendrohemi në aktivitete gjatë gjithë jetës më shumë sesa në sporte ekipore apo individuale. Ndërsa stërvitja me pesha, vrapimi, joga, aerobia, frisbi dhe softbolli mund të konsiderohen të gjitha sporte ekipore dhe/ose individuale, këto aktivitete priren të vazhdojnë deri në moshën madhore më shpesh sesa sportet e tjera konkurruese si ragbi, basketbolli, futbolli dhe atletika.
  2. Ne zbatojmë aktivitete fizike me të cilat nxënësit kënaqen dhe do të vazhdojmë t’i kërkojnë vetë. Kështu, ne u mësojmë atyre aktivitete lëvizjeje që u pëlqejnë aq shumë sa që dëshirojnë t’i bëjnë ato gjatë pushimit, pas shkollës, dhe po ashtu në shtëpi, duke i preferuar ato më shumë sesa video-lojërat ose shikimin e televizionit. Pjesë e qëllimit është të kuptojmë dhe planifikojmë aktivitetet si “argëtim” dhe jo si “ushtrime”.
  3. Ne do të ofrojmë orë mësimore dhe pajisje për stërvitje me pesha dhe me rezistencë, si alternativë për orët tradicionale të edukimit fizik, duke ua mësuar një fushë specifike të lëvizjes dhe ushtrimeve gjatë gjithë jetës që fëmijët shpesh i bartin me vete në moshën e rritur. Ne do të ofrojmë një program më të shkurtër, katër deri në gjashtë javë, për t’u dhënë nxënësve tanë një shije të zgjedhjeve të tyre të ardhshme fizike.
  4. Do të përfshijmë aktivitete për të gjithë nxënësit dhe të rriturit. Disa janë më atletikë se të tjerët, dhe disa kanë çështje zhvillimore ose aftësi të kufizuara fizike që ua bën më të vështirë të marrin pjesë në aktivitete tradicionale. Programet tona të edukimit fizik do të përqendrohen në ofrimin e një llojshmërie aktivitetesh të bazuara në lëvizje që i lejojnë të gjithë të përfshihen, dhe madje mund të sfidojnë disa nga fëmijët e prirë për palestër me aktivitete që nuk janë të njohura për ta.

B. Stërvitja për ne si mësues dhe personel

  1. Ne kemi një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit dhe mirëqenies. Të zhvilluarit e nxënësve të shëndetshëm dhe të lumtur fillon me veten tonë.
  2. Të gjithë individët vendosin qëllimet e veta. Çdo qëllim që dikush e vendos është i mirë! Me shprehitë e mira që ne i përvetësojmë, do t’u tregojmë nxënësve tanë se nuk jemi të kufizuar në edukimin fizik, por që ekzistojnë mënyra të thjeshta për t’u kujdesur për shëndetin tonë. Disa anëtarë të personelit mund të tregojnë rezistencë. Kjo është krejt normale. Por mos hiqni dorë; programet e shëndetit dhe të mirëqenies janë përgjegjësi thelbësore arsimore e nevojshme për shkolla.
  3. Të jetuarit dhe të mësuarit e demokracisë e gjen paralelen e saj në të jetuarit dhe të mësuarit e qasjeve të jetesës së shëndetshme. E gjithë shkolla mund të përfshihet duke mësuar këto koncepte në lëndët shoqërore, shkencë, madje dhe lëndët e bazuara në shkencat humane. Së bashku do t’i planifikojmë këto elemente. Kush do t’u mësojë çfarë? Si mund të sigurohemi që të gjithë nxënësit të marrin informacionin e nevojshëm në klasë?
  4. Së bashku ne planifikojmë t’i integrojmë programet e shëndetit dhe nutricionin në lëndën e edukimit fizik dhe mjediset e rregullta në klasë. Shëndeti dhe nutricioni janë po aq të rëndësishëm sa matematika dhe gjuhët, nëse me të vërtetë duam ta bëjmë kurrikulën tonë relevante. Për më tepër, nxënësit e fortë dhe të shëndetshëm mësojnë më mirë.
  5. Përmirësimi i programeve të edukimit fizik dhe programit të klasave është vetëm pjesë e strategjisë së suksesit. Shkolla jonë do të kërkojë mënyra për të vlerësuar nivelet e zhvillimit të nxënësve, për të identifikuar fushat në të cilat duhet të bëhen më shumë përparime dhe përmirësime. Për më tepër, të gjithë nxënësit (dhe të rriturit) do të mbajnë ditarin ose portofolin e tyre personal në të cilin ata mund të ndjekin zhvillimin e tyre.

Pasi të rriturit në shkollën tuaj t’i kenë nisur hapat e tyre të parë, mund të filloni me programin për nxënësit.