Çfarë ka të bëjë demokracia me shkollën

Living Democracy » Principals » PJESËMARRJA » Ndërgjegjësimi » Çfarë ka të bëjë demokracia me shkollën

Qasja themelore, efektet, kompetencat, paradokset, kufizimet

a) Të mësuarit dhe të jetuarit e demokracisë

Demokracia mund dhe duhet të mësohet në moshë të re. Qasja e të nxënit që ueb faqja jonë “Demokracia në veprim” e promovon mund të përmblidhet me sa vijon:

  • Ne duhet të mësojmë për demokracinë në mënyrë që të jemi në gjendje të jetojmë në demokraci
  • Ne duhet të jetojmë në demokraci në mënyrë që të jemi në gjendje të mësojmë për demokracinë

Këto teza tregojnë për faktin se nga njëra anë, demokracia varet nga arsimimi që të mund të vihet në praktikë, dhe nga ana tjetër, të praktikuarit e demokracisë është çelësi për të mësuar rreth saj. Prandaj, arsimi duhet të sigurojë që të rinjtë të mësojnë për demokracinë nëse një shoqëri dëshiron të mbetet ose të bëhet demokratike. Meqenëse shkollat janë zyrtarisht përgjegjëse për edukimin e brezit të ri, ato duhet të praktikojnë demokracinë në mënyrë që të nxisin të nxënit e nxënësve për demokracinë.

b) Efektet

Pjesëmarrja jo vetëm që nxit të nxënit për demokracinë, por, siç tregojnë hulumtimet, gjithashtu ka një efekt pozitiv në shëndetin e nxënësve, të nxënit e nxënësve dhe procesin mësimor në përgjithësi: Vlerësimi i rregullt i reagimeve të nxënësve për procesin mësimor dhe përfshirja e familjeve të nxënësve dhe komuniteteve në shkollim ka çuar në arritjet e përmirësuara të nxënësve dhe pëgjithësisht në cilësi më të lartë të shkollave dhe procesit mësimor. Analiza e procesit mësimor nga këndvështrimet e ndryshme (nxënësit, mësuesit) është një mënyrë shumë efektive për ta përmirësuar atë. Për më tepër, pjesëmarrja e nxënësve ka treguar se ka efekte pozitive në vetëbesim, në marrëdhëniet nxënës – të rritur dhe nxënës – nxënës, si dhe në etosin e shkollës. Përfshirja e mësuesve ose nxënësve në reformat e shkollës ka çuar në rezultate premtuese.

c) Paradokset

Paradoksi institucional

Shkollat u nënshtrohen normave, vlerave dhe ligjeve të një shteti të caktuar. Ato kanë përgjegjësinë për edukimin e brezit të ri. Nxënësit nuk mund të zgjedhin të mos ndjekin shkollën, pasi shkollimi është i detyrueshëm. Prindërit e tyre duhet t’i dërgojnë ata në shkollë. Mësuesit nuk janë të lirë t’u mësojnë atë që duan; ata janë punësuar për t’u mësuar atë që shteti e ka përshkruar në kurrikula. Atyre u kërkohet t’i vlerësojnë nxënësit sipas arritjeve të tyre në lëndët e përcaktuara. Drejtorët janë punësuar për të siguruar që shkollat funksionojnë sipas ligjeve dhe rregulloreve zyrtare. Kështu që shkollat nuk janë vende ku njerëzit e lirë dhe të barabartë bashkëveprojnë për të arritur interesin e përbashkët. Marrëdhënia midis grupeve përcaktohet nga hierarkitë dhe mjetet e ndryshme për të ushtruar fuqi me qëllim të përgatitjes së brezit të ri për jetën moderne dhe vendosjen e tyre në pozicione të ndryshme, të pabarabarta brenda shoqërisë.

Paradoksi pedagogjik

Marrëdhënia mësues-nxënës pasqyron faktin që edukatorët me më shumë përvojë dhe njohuri ua bartin njohuritë dhe përvojën e tyre nxënësve të paditur dhe të papërvojë. Pabarazia midis mësuesit dhe nxënësit, si dhe midis prindit dhe fëmijës, përcakton nevojën për arsim, por gjithashtu paraqet një pengesë për praktikën demokratike.

d) Kujdes nga kufizimet dhe kurthet

  • Filloni me veten! Zbuloni se cilat masa dhe ndryshime janë brenda mundësive tuaja personale. Ju përfaqësoni një model sjelljeje për shkollën tuaj. Vetëm nëse e demonstroni dhe e praktikoni demokracinë në veprim, mund të prisni praktika demokratike nga ana e mësuesve tuaj.
  • A jeni vërtet i gatshëm t’u jepni zë anëtarëve të komunitetit të shkollës? Askush nuk dëshiron ta zbulojë se angazhimi dhe përfshirja e tyre ishte për asgjë. Në vend që të praktikoni një aktivizëm pseudodemokratik, preferohet që të merrni vendime mbi bazën e informacionit dhe t’i komunikoni ato në mënyrë transparente. Pseudodemokracia është kundërproduktive dhe priret ta minojë besimin në praktikën e mëtejshme demokratike.
  • Edhe nëse siguroni një mundësi të vërtetë dhe të ndershme për praktikat demokratike, mos prisni që njerëzit ta ndjekin atë menjëherë. Në të vërtetë, disa njerëz madje mund t’i rezistojnë asaj. Praktika demokratike është kërkuese dhe kështu kërkon durim nga të gjithë të përfshirët. Mos u dekurajoni. Vazhdoni! Në fund do të ia vlejë.
  • Jini shumë të qartë për mundësitë brenda të cilave mund të merren vendime lirisht dhe për kufijtë që nuk duhet të tejkalohen (p.sh. kufizimet buxhetore, ligji, të drejtat e pakicave, detyrimet dhe përgjegjësia juaj si drejtues i shkollës, konflikti i roleve).