1. Tri përmasat e EQD/EDNJ

Living Democracy » Textbooks » 1. Tri përmasat e EQD/EDNJ

Edukimi për qytetari demokratike dhe edukimi  për të drejtat e njeriut (EQD/EDNJ) përqendrohet më shumë në atë  që nxënësi duhet të jetë në gjëndje të bëjë, se sa në atë që mësuesi duhet t’u mësojë  atyre. Tri parimet bazë që qëndrojnë në themel të kësaj qasjeje  që vë në qendër nxënësit dhe atë që ai duhet të bëjë, mund të ilustrohen me shembullin e mëposhtëm:

  • Liria e mendimit dhe e shprehjes është kusht themelor i pjesëmarrjes demokratike dhe një ndër të drejtat themelore civile dhe politike. Në EQD/EDNJ, nxënësit njohin, kuptojnë dhe vlerësojnë të drejtën e mendimit  dhe të shprehjes së lirë dhe mënyrën si ajo mbrohet nga kushtetuta. Ky përbën dimensionin njohës të të mësuarit (njohuritë, konceptet dhe të kuptuarit).
  • Nxënësit mësojnë të përdorin të drejtat njerëzore themelore. Përdorimi aktiv i kësaj të drejte është i rëndësishëm për pjesëmarrjen në një komunitet demokratik. Për këtë arsye, nxënësit nxiten të reflektojnë për pikëpamjet e tyre dhe të jenë të aftë t’i shprehin ato në mënyra të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe aftësinë për t’i argumentuar ato publikisht (përmasa e të mësuaritqë lidhet me aftësitë).
  • Për të ushtruar lirinë e  shprehjes, nxënësit duhet të nxiten të shprehin pikëpamjet e tyre edhe në situata në të të cilat ata përballen me një shumicë kundërshtuese. Ata dëgjojnë mendimet  e të tjerëve  në frymën e tolerancës dhe të respektit. 
  • Duke i kufizuar mosmarrëveshjet dhe ndryshimet e ideve në çështjen konkrete dhe duke mos i personalizuar ndryshimet e tyre, krijohet mundësia që konfliktet të zgjidhen në mënyrë paqësore (përmasa e të kuptuarit që lidhet me qëndrimet dhe vlerat).

Ky shembull, që ia vlen të përgjithësohet, tregon jo vetëm çfarë nxënësit duhet të jenë në gjëndje të bëjnë për të ushtruar të drejtat e njeriut, por edhe për të mësuarit dhe edukimin në përgjithësi. Procesi i të mësuarit duhet të shpaloset në të tria këto përmasa, të cilat, në mënyrë të ndërsjellë, mbështesin njëra-tjetrën: njohurit, konceptet dhe të kuptuarit; aftësitë; qëndrimet dhe vlerat. Në  këtë mënyrë, procesi i të mësuarit do të lidhet dhe do t’i shërbejë formimit të kompetencave të nxënësit.

Nëse kjo është mënyra si nxënësit mësojnë, atëherë çfarë duhet të bëjnë mësuesit e  EQD/EDNJ për të garantuar shanset e duhura për të mësuar? Më poshtë për përmbledhim përgjigjen e kësaj pyetjeje:

Synimi i EQD/EDNJ është të mbështesë nxënësit për të qenë qytetarë që:

  • njohin të drejtat e tyre dhe kuptojnë kushtet në të cilat ato varen (të mësuarit “rreth” demokracisë dhe të drejtave të njeriut);
  • e përjetojnë shkollën si një mikro shoqëri, në të cilën respektohen liritë dhe barazia e nxënësve të saj dhe janë trajnuar në ushtrimin e të drejtave të tyre dhe në respektimin e të drejtave të të tjerëve (të mësuarit “përmes” demokracisë dhe të drejtave të njeriut).
  • për arsyet e mësipërme, janë të aftë dhe besimplotë në ushtrimin e të drejtave të tyre njerëzore, duke ndjerë përgjegjësinë ndaj të tjerëve dhe komunitetit (të mësuarit “për” demokraci dhe të drejtat e njeriut).