2 – Fletë pune 8: Vetëvlerësimi i mësuesve

Living Democracy » Textbooks » 2 – Fletë pune 8: Vetëvlerësimi i mësuesve

Për praktikën e përditshme të shkollës, vetëvlerësimi i mësimdhënies është metoda më pragmatike dhe më e lehtë e vlerësimit. Zakonisht, këto lloj vlerësimesh kryhen automatikisht ndërmjet mësuesve, megjithëse jo në mënyrë sistematike. Në shumicën e rasteve, mësuesit reflektojnë për  mësimdhënien e tyre sa herë që mendojnë se është e nevojshme ose sipas intuitës, kryesisht në rastet kur ata nuk janë të kënaqur me rezultatet. Për të lehtësuar këto procese reflektimi mund të ndihmojnë pyetjet e mëposhtme:

  • Si e kam nxitur  unë procesin e të mësuarit?
  • Si mund të mbaj lart interesin e nxënësve për përmbajtjen e lëndës?
  • A janë drejtuar nxënësit drejt problemeve dhe detyrave kryesore?
  • A është i dukshëm thelbi i problemit  në mësimin e dhënë?
  • Sa pyetje drejtova unë?
  • Çfarë lloj pyetjesh drejtova unë?
  • Çfarë lloj pyetjesh drejtuan nxënësit?
  • A ishin pyetjet të lidhura me problemet ose detyrat?
  • Cili problem i shkaktoi pyetjet e bëra?
  • A i kam dëgjuar sa duhet nxënësit e mi?
  • A u respektuan rregullat e komunikimit të miratuara  në klasë?
  • Si u jam përgjigjur unë kontributeve të nxënësve?
  • A po i përsëris kontributet e nxënësve fjalë për fjalë?
  • A kam përdorur forma stereotipe të përforcimeve?
  • A është nxitur bashkëveprimi ndërmjet nxënësve?
  • Cila ishte përqindja e përafërt e kontributeve të mia?
  • Cila ishte përqindja e përafërt e kontributeve të nxënësve?
  • A ka pasur nxënës me  përqindje jashtëzakonisht të lartë të kontributeve?
  • Cila ishte pjesëmarrja e vajzave në krahasim me djemtë?
  • Çfarë lloj kontributesh kanë ofruar të ashtuquajturit nxënës “të vështirë”?
  • A jam përqendruar unë vetëm në disa nxënës?
  • Si lindi situata e konfliktit?
  • Cila ishte ecuria e konflikteve?
  • Si u trajtua konflikti?
  • A janë kuptuar nga nxënësit detyrat e dhëna?
  • Si u integruan detyrat në proces?
  • Çfarë lloj mjetesh mbështetjeje kam siguruar?
  • Si u prezantuan rezultatet?
  • Si ishin njohuritë, si janë regjistruar njohuritë ose gjetjet?
  • Pyetje të tjera.

Kur përdoren lista kontrolli si kjo, duhet të të theksohet se përdorimi i tyre ka kuptim vetëm nëse bëhet në bazë të njohurive solide, me baza shkencore dhe empirikisht të sigurta, rreth mësimdhënies dhe efekteve të saj. Në të gjitha rastet e tjera, përgjigjet e thjeshta për pyetjet do të çojnë në një akt të detyrueshëm dhe asgjë tjetër. Së dyti, shumica e listave të kontrollit të përdorura janë përzierjeje e aspekteve të ndryshme, por nuk paraqesin një tablo të plotë të të gjitha aspekteve që mund të lindin në një mësim të dhënë. Prandaj, kur përdoren listat e kontrollit është me rëndësi të veçantë që gjithmonë ato të lihen të paplotësuara ose të rezervohet një hapësirë për aspekte që nuk mund të parashihen paraprakisht.36

36. Becker G. E. (1998), Unterricht auswerten und beurteilen, Beltz, Weinheim.