Mësimi 4: Drejtësia shoqërore

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Drejtësia shoqërore

Si duhet të përballemi me padrejtësitë?

Objektivat e mësimnxënies Nxënësit vetëdijesohen për problemet që lidhen me drejtësinë shoqërore.
Detyrat e nxënësve Nxënësit diskutojnë çështje të ndarjes së drejtësisë.
Nxënësit rishqyrtojnë tërë njësinë.
Burimet (Sipas dëshirës) Kopje të prospekteve për nxënës 2.3 dhe pyetjet.
Metoda Diskutime të bazuara në tekstet, punë në çifte, të menduarit kritik.

 

Kuti informacioni

Në shoqërinë tonë, nuk ka marrëveshje të përgjithshme se çka në të vërtetë do të thotë drejtësia shoqërore. Tregimi i përdorur në këtë mësim synon të ndihmojë nxënësit për të reflektuar mbi parimet themelore në të cilat duhet të rrënjoset drejtësia shoqërore, duke treguar në të njëjtën kohë edhe kompleksitetin e kësaj çështjeje.

Mësimi

Mësimdhënësi u shpjegon nxënësve se ai/ajo do t’ju jep një tregim në katër pjesë, dhe pas leximit të çdo pjese do të zhvillohen diskutime. Përndryshe, mësimdhënësi mund ta lexojë tregimin edhe me zë.

Pastaj, mësimdhënësi e ndan klasën në çifte, dhe çdo çifti i jep pjesën e parë të prospekteve për nxënës 2.3. Mësimdhënësi mund ta lexojë me zë, të kërkojë që këtë ta lexojë një nxënës tjetër, ose nxënësit mund ta lexojnë në qetësi.

Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit: pjesa e parë

“Kaloi më shumë se një orë ndërmjet alarmit të parë dhe fundosjes së anijes lundruese ’Mbretëresha Maddy’. Kështu udhëtarët mundën të vetorganizoheshin sadopak para se të hipnin në anijet e shpëtimit. Një stuhi e fuqishme kishte bërë që anija të përplasej me një anije-cisternë nafte duke shkaktuar kështu mbytjen e anijes.

Pas një gjysmë dite, disa nga anijet e shpëtimit zbarkuan në një ishull të vogël shkëmbor. Ishulli kishte formë vezake, ishte i gjatë rreth 1.5 km e i gjerë sa gjysma e kësaj gjatësie, dhe pjesërisht ishte i mbuluar me drunj të harlisur. Nuk kishte ndonjë ishull tjetër përbrenda një largësie të arsyeshme. Ky ishull me mjaft diell, nuk ishte i banuar, përveç familjes Richalone, të cilët jetonin në një vilë luksoze në majë të bregut dhe e zotëronin tërë ishullin.

Vite me parë, kjo familje ishte vendosur në ishull, duke mos mbajtur pothuajse fare kontakt me botën e jashtme; ata thjesht rregulluan furnizimin mujor me ushqim të freskët, me benzinë dhe të mira të tjera që u nevojiteshin. Jeta e tyre ishte e organizuar mirë: ata prodhonin energjinë e tyre elektrike, ishin në gjendje të blinin ushqim e pije të mjaftueshme dhe kishin të gjitha komoditetet bashkëkohore që ata i dëshironin. Në të kaluarën, pronari kishte qenë një afarist shumë i suksesshëm. Pas një konflikti me administratën rreth një çështjeje tatimi, ai u zhgënjye nga jeta dhe vendosi që prej asaj kohe t’ju shmanget  kontakteve me botën e jashtme.

Pronari i vilës i kishte vëzhguar anijet e shpëtimit duke u zbarkuar në ishullin e tij të bukur dhe ju kishte afruar të mbijetuarve.”

Mësimdhënësi pastaj sqaron se çështjen e parë të cilën nxënësit duhet ta trajtojnë është nëse, për mendimin e tyre, pronari i ishullit është moralisht i obliguar që t’i lejojë këta njerëz të rrinë në ishullin e tij. Për t’i ndihmuar nxënësit të arrijnë në një përfundim, mësimdhënësi do t’ju lexojë atyre disa formulime (të paraqitura më poshtë) dhe secila palë duhet të vendosë se me cilin/cilat formulim/e ata pajtohen dhe pse. Nxënësit i shtjellojnë në çifte dhe i shënojnë përgjigjet e tyre.

A. Pronari mund të mos pranojë që të mbijetuarit të qëndrojnë në ishullin e tij.

B. Pronari mund të mos i pranojë të mbijetuarit të qëndrojnë në ishullin e tij, por me kusht që atyre t’ju  sigurojë ushqimin edhe pijet e nevojshme.

C. Pronari mund të mos i pranojë të gjithë ata që nuk janë në gjendje të paguajnë (me para, xhevahir apo përmes punës) të qëndrojnë në ishullin e tij.

D. Pronari duhet t’i lejojë njerëzit të qëndrojnë në ishullin e tij për sa kohë të jetë e nevojshme. Njerëzit e mbijetuar kanë obligim moral që të respektojnë intimitetin dhe gjërat personale të pronarit.

E. Pronari duhet t’ju lejojë të mbijetuarve hyrje të pakushtëzuar në ishull dhe ata t’i konsiderojë si bashkëpronar.

Mësimdhënësi mund të merr reagimin (informatën kthyese) e klasës, për shembull duke pyetur pyetje të tilla si “Sa prej juve kanë zgjedhur formulimin A?” “Sa kanë zgjedhur formulimin B?” “Pse?”

Më pastaj mësimdhënësi shpërndan pjesën e dytë të rrëfimit.

Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit: pjesa e dytë

“Pronari i ishullit vendosi t’i lejojë të mbijetuarit të qëndrojnë në ishull për një kohë. Ai priste që ata të paguajnë për shërbimin dhe ushqimin nga rezervat e tij. Për sa kohë që kishte ushqim të mbetur nga anija, ai refuzoi që t’ju shiste atyre ndonjë gjë.

Ishin 13 të mbijetuar nga anija e mbytur. Ishte Viktori, gruaja e tij shtatzënë Josepha dhe dy fëmijët e tyre (3 dhe 7 vjeçar). Abramovitch, 64, ishte një tregtar i pasur i xhevahireve. Ai ishte pjesëtari më i moshuar dhe nuk kishte ndonjë farefis apo miq. Ai mbarte me vete një koleksion me unaza ari, diamante dhe gjerdanë të tjerë të çmuar. John, Kate, Leo dhe Alfred ishin katër shokë të rinj, të cilët ishin të fuqishëm, të shëndetshëm dhe shumë të zotë . Ata kishin jetuar së bashku në një shtëpi alternative në komunitet dhe e kishin rinovuar vetë shtëpinë ku jetonin.

Maria, një juriste që punonte me gjysmë orar në një universitet, ecte shumë ngadalë për shkak të problemeve me këmbën dhe ijën e saj të majtë (si pasojë e një aksidenti). Ajo shoqërohej nga Max-i, asistenti i saj në universitet, pasi që udhëtonin për në SHBA për të mbajtur një ligjëratë në një konferencë dhe për të shqyrtuar publikimin e një libri me një botues. Që të dy kishin specializuar në të drejtën penale, por jo edhe të talentuar në shkrim. i fundit, por jo më i pakti, ishte Marko dhe e dashura e tij Vicky, që të dy anëtarë të ekuipazhit të varkës të cilët, në momentin e fundit, kishin marrë aq sa kishin mundur të mbartin nga depoja e anijes: kuti me ushqime, biskota, vaj dhe disa tiganë për gatim. Të gjithë këta të mbijetuar kishin ca para, por kryemarinari Marko mbarte një shumë të madhe, të cilën ai e kishte vjedhur nga një banesë në portin e fundit ku ishin ndalur.

Në ishull kishte një strehë të vogël e të vjetër në faqe të bregut, fare afër detit. Kishte vetëm një dhomë që mund të shërbente si strehë e thjeshtë për dy a tre njerëz.”

Mësimdhënësi pastaj sqaron se secila palë duhet të vendosë se kush, për mendimin e tyre, duhet të lejohet të përdorë strehën. Mësimdhënësi u lexon atyre formulimet në vazhdim dhe kërkon nga nxënësit që të diskutojnë në çifte se me cilën/cilat formulime ata pajtohen, pse dhe nëse kanë ndonjë zgjidhje tjetër:

A. Gruaja shtatzënë dhe fëmijët.

B. Katër shokët e rinj, që janë të vetmit që mund ta rinovojnë atë.

C. Tregtari i gjerdanëve, që paguan për të (duke lejuar kështu të tjerët të blejnë ca ushqime).

D. Kryemarinari dhe e dashura e tij, me kusht që ata të ndajnë ushqimin e tyre me gjithë njerëzit e tjerë.

E. Juristja, e cila është në gjendje të veprojë si ndërmjetësues dhe të zgjidhë zënkat në mes të të mbijetuarve.

Pas raportimit të nxënësve, u shpërndahet pjesa tjetër e rrëfimit.

Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit: pjesa e tretë

“Të mbijetuarit duhet gjithashtu të vendosin se çfarë të bëjnë me rezervat e ushqimit që i kishte marrë me vete kryemarinari, dhe të  cilat ai nuk kishte  ndërmend t’i ndante. Në fakt,  ndarja nënkuptonte  zvogëlimin e mundësive për mbijetesën e tij dhe të dashurës së tij.”

Tani palëve u kërkohet të gjykojnë se kush duhet të merr ushqimin nga furnizimet e anijes. Mësimdhënësi u lexon përsëri formulimet dhe kërkon nga ata që të shqyrtojnë dhe të vendosin se me cilën/cilat formulime ata pajtohen, pse dhe nëse shohin ndonjë zgjidhje tjetër.

A. Kryemarinarit duhet t’i lejohet që të mbajë ushqimin për vete dhe për të dashurën e tij.

B. Ushqimi në dispozicion duhet të shpërndahet, në mënyrë të barabartë, në mes të gjithë të të mbijetuarve.

C. Ushqimi në dispozicion mund të blihet nga ofruesi më i lartë (qoftë me para, të mira apo shërbime).

Pas raportimit, shpërndahet pjesa e fundit e rrëfimit.

Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit: pjesa e katërt

Në çifte, nxënësit diskutojnë se kush duhet ta pyes pronarin për ushqim dhe se si duhet të bëhet kjo.

“Të mbijetuarit vendosin se ushqimi duhet të ndahet pa ndonjë kompensim. Ata e detyruan Markon që t’i dorëzojë rezervat e tij duke joshur ndjesinë e tij për obligim moral. Pas afërsisht një jave nuk kishte ushqim të mbetur, dhe zgjidhja e vetme ishte të provonin të merrnin ushqim nga pronari i vilës.”

Më tej mësimdhënësi u lexon nxënësve formulimet në vijim dhe pyet se me cilën/cilat nga ato pajtohen, pse dhe nëse shohin zgjidhje tjetër.

A. Secili person duhet të diskutojë individualisht kushtet e tregtisë me pronarin (pagesën me para, gur të çmuar apo punë). Në këtë rast, probleme do të kenë veçanërisht familja me fëmijët dhe juristja me asistentin e saj.

B. Të gjitha burimet në dispozicion (gurët e çmuar, paratë) duhet të ndahen në mes të gjithë njerëzve, pavarësisht nga pronari i parë. Ushqimi i blerë në këtë mënyrë duhet të shpërndahet në sasi të barabarta. Veç kësaj, individualisht mund të blihet ushqim plotësues në këmbim të punës.

C. Njësoj sikurse B, por gjithkush supozohet të punojë në nivel me aftësitë e tij ose saj dhe  të ndajë me të tjerët ushqimin që e fiton në këtë mënyrë.

D. Tregtari i gjerdanëve lejohet që të blejë gjithçka që pronari është i gatshëm të shesë dhe t’i “ndihmojë“ të tjerët me pako ushqimi.

Pas raportimit, mësimdhënësi mund të kryesojë diskutimin në klasë me qëllim që nxënësit t’i ndihmojë të zbatojnë rrëfimin në botën reale:

A njihni situata të ngjashme në shoqërinë tonë?

A. … në lagjen tënde ose në familje?

B. … në vendin tënd?

C. … në përmasa globale?

Cilat rrethana reale që ti i di të godasin si rrethana të padrejta sa i përket ndarjes së ushqimit, ujit, banimit, etj.?

A. … në lagjen tënde ose në familje?

B. … në vendin tënd?

C. … në përmasa globale? Pse?

Në fund të këtij mësimi, duhet të ketë një diskutim për konceptet themelore të kësaj njësie. Mësimdhënësi mund të vendosë të shtojë një mësim shtesë. Për të filluar, mësimdhënësi mban një ligjëratë të shkurtër duke përdorur informacionet qendrore të barazisë dhe diversitetit nga kjo njësi. Ai/ajo madje mund të përgatisë prospekte me përkufizimet e ndryshme. Nxënësit pastaj do të reflektojnë për katër mësimet në grupe të vogla: Çka kanë diskutuar ata? Çka kanë mësuar ata? Për cilat pyetje të reja janë vetëdijesuar ata? Ata japin sugjerime se  si duhet reaguar në situata të pabarazisë në jetën e tyre.