Prospektet për nxënës 7.1: Si të shkruajmë një artikull

Living Democracy » Textbooks » Prospektet për nxënës 7.1: Si të shkruajmë një artikull

Struktura themelore e një artikulli

1. Titulli i artikullit

Çdo artikull duhet të ketë titull. Titulli plotëson një funksion të rëndësishëm: ai nuk duhet ta hutoj lexuesin, por duhet të tërheqë vëmendjen e tij dhe të zgjojë interesimin për të lexuar më tutje.

Lexuesit e gazetave lexojnë kalimthi shpejt e shpejt faqet për të përzgjedhur artikujt që atyre u interesojnë, dhe për këtë arsye titujt e artikujve duhet të kapin syrin e lexuesit. Shënoni tituj të shkurtër të artikujve, përdorni shkronja të mëdha të zeza dhe ndani titullin e artikullit nga teksti pasues.

2. Nëntitujt

Nëntitulli është zakonisht paragrafi i parë i artikullit tuaj (prodhuesit e gazetave këtë  e  quajnë “kokë”). Si rregull, shënohet me shkronja të zeza.

Koka i jep lexuesit informacionet më të rëndësishme. Në një tekst informativ kokë, lexuesi gjen përgjigjet në pyetjet kyçe.

Në tekste artistike dhe në tekste të tjera që janë emocionale dhe jo faktike, rreshtat e parë shpesh përshkruajnë qartë pamjen/vendin e ngjarjes. Në këtë rast, interesimi i lexuesit për të lexuar tutje nuk zgjohet nga informacionet faktike, por nga mënyra stilistike.

3. Përdorimi i gjuhës dhe stilit

Përdorimi i kujdesshëm dhe i menduar mirë i gjuhës është ndoshta edhe më i rëndësishëm për një artikull të mirë sesa përdorimi i saktë i formës apo stilit gazetaresk. Po ta shikojmë gazetën si një shtëpi, atëherë format e ndryshme të shkrimit dhe prezentimet gazetareske mund të jenë mobiliet, por fjalët do të ishin tullat me të cilat është ndërtuar shtëpia.

Derisa pa mobilie disi mund t’ia dalim, ne nuk do të mund të jetonim në një shtëpi pa tulla. Artikujt e shkruar në mënyrë emocionale, me “ndjenja njerëzore”, janë shumë të popullarizuara në gazeta. Por kini kujdes, kripa e tepërt e prish gjellën (teprim është i dëmshëm)!

Kjo na sjell tek fjalitë që duhet përdorur në artikull. Shënoni fjali të shkurtra dhe të thjeshta. Lexuesit do të kenë vështirësi të kuptojnë fjalitë me më shumë se 14 fjalë. Dhe fjalitë me 25 fjalë ose më shumë janë thjeshtë të pakuptueshme. Në çdo rrethanë, shmanguni strukturës së fjalisë së përbërë, e cila përfshin shumë presje dhe fjali të thjeshta të ndara. Bëjeni shprehi të lexoni çdo fjali menjëherë pasi ta keni shkruar atë. A është e qartë dhe e lehtë për t’u kuptuar? A ka fjalë të panevojshme?

Gabimet drejtshkrimore jo vetëm se lënë një përshtypje të keqe, por edhe e zemërojnë lexuesin, sepse e largojnë vëmendjen e tij nga porosia. Para se të dorëzoni artikullin tuaj, rishikojeni atë – dhe kjo do të thotë të kontrolloni nëse informacionet janë të sakta dhe të plota (d.m.th. të kontrolloni vërtetësinë dhe saktësinë e informacionit), gabimet gjuhësore, stilin dhe kuptueshmërinë.