Mësimi 3: Në çfarë aspektesh ndryshojnë njerëzit?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 3: Në çfarë aspektesh ndryshojnë njerëzit?

Sa janë ndryshe nevojat e njerëzve?

Objektivat e mësimnxënies Nxënësit mund të:

  • identifikojnë arsyet pse disa njerëz mund të kenë qasje të pabarabartë në arsim;
  • shqyrtoni barrierat e barazisë në një komunitet më të gjerë;
  • gjykoni kush mban përgjegjësi për kapërcimin e barrierave të barazisë.
Detyrat e nxënësve Nxënësit analizojnë në mënyrë kritike një situatë hipotetike që ka të bëjë me konceptet kyçe.
Nxënësit i zbatojnë parimet kyçe në situatat e tyre shoqërore.
Nxënësit diskutojnë çështjet kyçe që dalin nga mësimi.
Nxënësit bëjnë një detyrë me shkrim.
Burimet Kopje të tregimit.
Metodat Të menduarit kritik.
Diskutim.
Përpilimi i argumentit me shkrim.

Të  mësuarit  konceptual

Diversiteti: Diversiteti ekziston jo vetëm në relacion me prejardhjen etnike dhe kombësinë. Ka edhe shumë lloje të tjera të dallimeve që i ndajnë njerëzit nga njëri tjetri, dhe të cilët mund të jenë shkaqet e dallimeve të rënda sociale, veçanërisht nëse ata që i përkasin shumicës apo ata që e kanë pushtetin dhe kanë ndikim, nuk bëjnë asgjë për shkak të mungesës së mirëkuptimit ose mëshirës.

Barazia: Ekzistojnë dy lloje të barazisë – barazia e mundësisë ose barazia e rezultatit. Është e mundshme që secilit t’i jepet një mundësi e barabartë (për shembull, të shkojë në shkollë) por nëse barriera të caktuara (siç është paaftësia) nuk kapërcehen, kjo mundësi disave mund t’ju mohohet. Barazia e rezultatit do të synonte që çdo fëmije t’i mundësonte edukimin, pavarësisht paaftësisë së tij.

Diskriminimi: Trajtim i padrejtë në bazë të racës, gjinisë, seksualizmit, moshës, besimit, etj.

Mësimi

Mësimdhënësi ia lexon klasës tregimin (prospekte e nxënësve 3.2). Ky tregim trajton një sërë çështjesh komplekse, të cilat nxënësve mund tu shpëtojnë pa i vënë re po të mos i shqyrtojnë më për së afërmi. Për t’i ndihmuar ata, mësimdhënësi u jep atyre fletushkën për nxënës 3.3 dhe u shpjegon detyrën vijuese.

Nxënësit punojnë në çifte për të identifikuar sa më shumë probleme që të munden me të cilat përballet stafi i Kolegjit të Shpresës. Ata i regjistrojnë këto në formë të shënimeve në kolonën e parë të materialit (“Problemet”). Ata pastaj propozojnë mënyra përmes të cilave mund të trajtohen problemet (“Zgjidhje”) dhe tregojnë se kush mendojnë ata se duhet të jetë përgjegjës për realizimin e këtyre zgjidhjeve në kolonën tre (“Përgjegjësitë”). Kolona e fundit mund të lihet e zbrazët deri në një fazë të mëvonshme.

Pastaj nxënësit i paraqesin, i krahasojnë dhe i diskutojnë rezultatet e tyre. Për të mbështetur prezentimet e nxënësve, disa nxënës duhet të përgatisin një tabelë shfletuese (flip chart) me renditje (faqosje) të njëjtë si prospektet e nxënësve. Nëse ndonjë grafoskop ose projektor është në dispozicion, prospektet për nxënës mund të kopjohen në folie dhe një çift i nxënësve të përkujdeset për plotësimin e tyre.

Diskutim në klasë

Nxënësit mund të shtrojnë disa nga pyetjet vijuese, ose mësimdhënësi mund të fillojë diskutimin duke i pyetur ata:

  • A mendoni se drejtoresha e arriti qëllimin e saj për të trajtuar çdo nxënës në mënyrë të njëjtë?
  • A mendoni se drejtori duhet të respektojë vlerat e prindërve refugjatë dhe t’i edukojë djemtë dhe vajzat ndarazi? Mendoni për argumentet në të dyja anët.
  • A do të ishte më mirë nëse fëmijët refugjatë do të mbanin mësim të veçuar nga nxënësit tjerë? Shënoni përparësitë dhe të metat e çdo qasjeje, së pari për nxënësit dhe pastaj për komunitetin më të gjerë.

Në vend se të diskutojnë për të gjitha pyetjet, nxënësit duhet të kenë kohë të studiojnë një pyetje detajisht. Është e rëndësishme që ata të kuptojnë se, në një shoqëri pluraliste, njerëzit kanë nevoja të ndryshme dhe se kjo mund të shpie në konflikte. Ndaj, është e rëndësishme që këto konflikte të zgjidhen në mënyrë të drejtë, duke u kushtuar vëmendje të duhur të gjithë individëve dhe grupeve (për më shumë detaje shih Njësinë 4 për zgjidhjen e konflikteve). Në këtë studim të rastit, shkolla mund të konsiderohet si një mikro-shoqëri, në të cilën qytetarët e rinj përballen me problemet e njëjta që ekzistojnë në shoqëri si tërësi.

Çështjet në vazhdim tregojnë sa i thellë është ky studim i rastit, dhe se çështjet ia vlen që të studiohen. Për një studim më të gjerë, do të jetë i nevojshëm edhe një mësim shtesë. Mësimdhënësi duhet të vendosë nëse do të zgjedhë aspekte të caktuara, varësisht nga koha në dispozicion dhe nga niveli i interesimi të nxënësve.

Sa ndryshojnë nevojat edukative të fëmijëve?

Pyetjet kyçe në të cilat duhet të përgjigjen nxënësit, natyrisht, janë se si këto probleme duhet trajtuar, dhe nëse ndonjëri nga këto probleme duhet të injorohet nga shkolla (dhe nëse po, pse).

Këtyre pyetjeve mund t’ju përgjigjemi në dy mënyra: së pari, duke gjykuar nevojat e kujt do të dëmtoheshin me zgjidhjen apo injorimin e një problemi të caktuar, dhe së dyti, duke identifikuar ato probleme të cilët mund të zgjidhen nga komuniteti i shkollës.

Duke ndjekur rrugën e parë, nxënësit do të kuptojnë më mirë nevojat specifike të nxënësve refugjatë (dhe të atyre vendorë) nëse marrin parasysh pyetjen vijuese: “Cilat të drejta të njeriut – apo të drejta të fëmijëve – u janë mohuar fëmijëve refugjatë?”

Më poshtë janë dhënë disa kategori të nevojave edukative. Nxënësit duhet të gjejnë shembuj të këtyre në tregimin, dhe ato t’i shënojnë në kolonën e katërt të materialeve për nxënës:

  • emocionale;
  • për të mësuar;
  • religjioze;
  • kulturore;
  • gjuhësore;
  • fizike

Për çdo kategori të nevojave, nxënësit duhet të japin shembujt e tyre.

Përgjegjësia dhe kufijtë e saj

Çështjet specifike që dalin nga tregimi duhet të shpien në një diskutim më të përgjithësuar për të drejtat e barabarta dhe edukimin.

Sa është e lehtë të sigurohet edukim më i mirë për çdo fëmijë, sipas nevojave të tij? Çka mund të bëjë shkolla, dhe për cilat probleme nevojitet mbështetje nga jashtë, për shembull, financim shtesë nga këshilli lokal?

Këtu, nxënësit ndjekin rrugën e dytë, dhe kjo analizë shpie në një zbulim të rëndësishëm – problemet tipike komplekse nuk mund të zgjidhen me ndërmarrjen e një hapi të rëndësishëm, që në këtë rast do të thotë, për shembull, zgjerimi i shkollës, punësimi i stafi të trajnuar në mënyrë speciale, etj. Masat e tilla të reformës arsimore janë shumë të dëshirueshme, por ato mund të mos ndodhin asnjëherë sepse varen nga vendimet politike (për shembull, sa para të caktohen për taksa)  që vendosen nga të tjerët (siç është këshilli lokal i bashkisë (komunës) ose ministria e arsimit). Në të vërtetë, njerëzit të cilët vetëm mendojnë ndërmarrjen e hapave të tillë, me sa duket radikale, mund të përfundojnë duke mos bërë asgjë, përveç lënies së fajit tek të tjerët. Në anën tjetër, gjërat mund të përmirësohen me ndërmarrjen e hapave të vegjël, që në këtë studim të rastit do të thotë, marrja parasysh e atyre pjesëve të problemit të cilat drejtori, mësimdhënësi, nxënësit apo prindërit mund t’i ndryshojnë nesër – po të donin, ose po të binin në ujdi.

Këtu është e rëndësishme kolona e tretë e prospekteve për nxënës. Kush është përgjegjës, d.m.th. kush e ka pushtetin për të ndryshuar diçka? Nxënësit mund të diskutojnë nëse hapat e vegjël – përmirësimet brenda hapësirës ku shtrihet komuniteti i shkollës – janë të mjaftueshme, dhe ku ata kanë kufizime. Ata gjithashtu mund të shqyrtojnë një kombinim të hapave të vegjël, afatshkurtër dhe hapave më të rëndësishëm, për të cilët nevojitet kohë.

Këtu sërish, “shkolla është jeta”, një mikro-shoqëri. Diskutimi i strategjive për zhvillimin e shkollës i shtie nxënësit të mendojnë për vendimmarrjen politike dhe planifikimin strategjik.

Shkolla është jeta

Nxënësit mund të krahasojnë Kolegjin e Shpresës me situatën në shkollën e tyre, duke përdorur idenë vijuese.

“Në shkollën tuaj, me çfarë pengesash edukative përballen disa nxënës? Përgjegjësi e kujt mendoni ju është trajtimi i këtyre nevojave (për shembull, e qeverisë, drejtorit, stafit apo e nxënësve)?”

Metoda të ndryshme janë të mundshme për trajtimin e kësaj çështjeje. Kjo mund të jetë temë e një sesioni plenar, e projektit të intervistave me nxënës të tjerë ose mund të lidhet me projektin e gazetës së shkollës (shih Njësinë 5).

Detyrë me shkrim

Gjatë organizimit të proceseve të mësimdhënies dhe mësimnxënies, është me rëndësi të sigurohemi se nxënësit kanë kuptuar dhe mund të zbatojnë atë çka e kanë mësuar. Një mënyrë për ta bërë këtë është lidhja e diskutimit plenar me një detyrë me shkrim. Kjo u ofron mundësi të gjithë nxënësve të mendojnë për çështjet që janë diskutuar në sesionin plenar, dhe mund të jetë veçanërisht e dobishme për ata që mendojnë ngadalë dhe për ata që mendojnë më thellë, të cilët shpesh janë të prirur të heshtin në një diskutim, edhe pse, në të vërtetë, kanë shumëçka për të thënë.

Mësimdhënësi duhet të vendosë se cila temë më së miri i përshtatet nivelit të mendimit dhe të të kuptuarit të nxënësit. Për nxënësit mund të jetë e mjaftueshme të përsërisin diskutimin dhe ata të japin gjykimin e tyre. Në një ushtrim ku kërkohet më shumë, nxënësit mund t’u referohen të drejtave të njeriut dhe/ose p.sh. çështjeve të pabarazisë në shoqëri:

Në “Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut dhe të Drejtat e Fëmijëve thuhet se, është detyrë e qeverive që çdo fëmije t’i sigurojë arsimin.

  • Shpjegoni nëse mendoni se shkolla e ka përmbushur këtë obligim.
  • Çka nevojitet për t’ju dhënë fëmijëve edukimin që ata e meritojnë?
  • Kush mendoni se është përgjegjës për ta bërë këtë të mundshme?
  • Cilat fusha tjera të jetës ndikohen si pasojë e pabarazive në shoqëri?
  • Diskutoni.”

Rezultati i propozuar i diskutimit plenar (tabela shfletuese, prospektet e kompletuara të nxënësve)

Help for Hope College

Problemet Zgjidhjet Përgjegjësit Nevojat arsimore
(1) Fëmijët refugjatë
Problemet e gjuhës Kurse speciale Drejtori Këshilli lokal Gjuha
Djali nuk flet Terapi, shkollim special Këshillë:
drejtori, mësimdhënësi
Gjuha, emocionale
Vajza nuk mund të ecë Trajtim mjekësor Shkollim special
Këshilla për prindër
Fizike
(2) Nxënësit refugjatë dhe ata vendor
Ngacmimi, bezdisja Bandat
Kërcënimet
Përleshjet, djali i lënduar
Diskutime në klasë Rregullat e sjelljes Nxënësit si monitorues Mësimdhënësit Nxënësit Prindërit Emocionale Shoqërore Qëndrimet dhe vlerat
(3) Mësimdhënësit
Nuk mund të kujdesen për nxënësit refugjatë dhe ato vendorë Klasë më të vogla Mësim me ndërrime Më shumë mësimdhënës Këshilli lokal Mësimnxënia Gjuha Kulturore Religjioze
(4) Prindërit
Duan klasa të ndara për djemtë dhe për vajzat “Jo”?
“Mirë”?
? Kulturore
Religjioze