Kapitulli 1 – Krijimi i atmosferës në klasë

Living Democracy » Textbooks » Kapitulli 1 – Krijimi i atmosferës në klasë

V6_P11&92

Hyrje

Figura tregon nxënës që punojnë në klasë. Në të majtë, një djalë dhe një vajzë po punojnë së bashku; në tryezë gjenden materialet e tyre, duke përfshirë edhe një glob. Ata duket se janë përfshirë  në diskutim. Në sfond, një nxënës ose mbase një mësues po prezanton diçka. Vajza në të djathtë ka ngritur dorën dhe pret të përgjigjet. Çdonjëri në klasë është duke punuar pa u lodhur dhe, si duket, kjo u pëlqen. Atmosfera në klasë është vendimtare për punë dhe të mësuar të frytshëm.

Këto pesë ushtrime përqendrohen në krijimin ose kthimin në klasë të një atmosferë të tillë që i bën ata të ndihen rehat dhe  të sigurt. Kjo kërkesë themelore mbështet efektshmërinë e mësimdhënies dhe të mësuarit,  meqë përçarja fiton terren dhe konsumon kohë dhe energji.

EQD/EDNJ ka shumë anë të përbashkëta me mësimdhënien e mirë. Kjo nuk vlen vetëm për këto pesë modele, por për të gjitha ushtrimet në këtë libër.

Megjithëkëtë, këto modele,  kryesisht nuk janë konceptuar si mjete për administrimin e klasës; ato përmbajnë një mesazh më të thellë e më kuptimplotë. Sot reforma arsimore është, në një masë të madhe, një çështje se si të shkojë përpara nga dhënia e një mase njohurish dhe kuptimesh të caktuara në dukje të përhershme drejt një koncepti më dinamik të të mësuarit që zgjat gjithë jetën,  që kërkon më shumë zhvillimin e kompetencave, se sa grumbullimin e fakteve dhe shifrave. Nga ky këndvështrim, shkolla konceptohet si një mikro-shoqëri – një vend ku nxënësit ndeshen me përvojat dhe problemet që kanë mjaft gjëra të përbashkëta me jetën e të rriturve. Prandaj, nxënësit duhet të mësojnë se si t’i zgjidhin probleme të tilla në shkollë. Këto ushtrime i ndihmojnë ata të bëjnë këtë  mikro-shoqërisë të funksionojë, nëpërmjet njohjes së njeri-tjetrit,  duke u marrë vesh për rregullat brenda grupit, duke ndarë përvojën vetjake me të tjerët dhe duke vlerësuar veten, duke përcaktuar identitetin brenda grupit dhe duke bashkëpunuar me të tjerët. Këto detyra janë njësoj të rëndësishme dhe të përshtatshme si për nxënësit e rinj, ashtu edhe për ata më të mëdhenj, por në nivele të ndryshme reflektimi..

Së fundi, nga pikëpamja e EQD/EDNJ, këto ushtrime i japin një mesazh të qartë mësimdhënies nëpërmjet frymës së demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Çdo nxënës është një individ që ndihmon me diçka të veçantë nga vetja në bashkësinë e nxënësve dhe mësimdhënësve në klasë. Çdo nxënës duhet të trajtohet me interes dhe respekt. Çdo rregull duhet të zbatohet njësoj për të gjithë. Kjo do të thotë: «Ajo që unë pres nga të tjerët është e njëjtë me atë që ata presin prej meje.» Nxënësit duhet të bëhen të vetëdijshëm për këtë mesazh, kështu reflektimi dhe të menduarit kritik në klasë janë thelbësore.