Mësimi 4: Një debat – këndvështrime të ndryshme

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Një debat – këndvështrime të ndryshme

Nxënësit reflektojnë për debatin

Kjo matricë përmbledh informacionin që i nevojitet një mësuesi për planifikimin dhe zhvillimin e mësimit.
Trajnimi i kompetencave i referohet drejtpërdrejt EQD/EDNJ.
Objektivi i mësimit tregon atë që nxënësit njohin dhe kuptojnë.
Detyra e nxënësit, së bashku me metodën, formojnë bërthamën e procesit mësimor.
Materialet në listën e plotë e mbështetin përgatitjen e mësimit.
Koha në dispozicion na jep një udhëzues të përafërt për menaxhimin e kohës së mësuesit.
Trajnimi i kompetencës Analiza dhe gjykimi i një përvojë të përbashkët.
Objektivat e të mësuarit Mediat ndërtojnë perceptimin tonë të realitetit. Rregullat sigurojnë mundësi të barabarta për të ushtruar të drejtat e lirisë.
Detyrat e nxënësve Nxënësit krahasojnë historitë e lajmeve në debat. Nxënësit reflektojnë për përvojën e tyre në debat.
Materialet dhe burimet

Lajme të shkruara nga nxënësit.

Materiale për mësuesit 8.1

Metoda Prezantime.
Diskutim.
Koha në dispozicion 1. Tre raportime lajmesh me diskutim. (15 min)
2. Reflektim: si ndikuan rregullat në debat? (15 min)
3. Shpjegimi. (10 min)

 

Informacion

Nxënësit reflektojnë për mësimin nga dy plane, në atë të përmbajtjes dhe në atë të kuadrit të rregullave. Nxënësit mund të jenë më të interesuar në një aspekt se sa në tjetrin dhe fokusi mund të zhvendoset në përputhje me rrethanat, duke i dhënë më shumë kohë një teme.

Shpjegimi u jep nxënësve mundësinë për disa komente të përgjithshme për kapitullin.

Nxënësit janë përgatitur për të  dhënë kontribut gjatë mësimit. Prandaj, mësuesi mund dhe duhet t’u japë nxënësve një pjesë të madhe të kohës për të folur. Ndërhyrjet e nxënësve pritet të zgjasin për të gjithë orën e mësimit (shih pyetjet kryesore për të dhënat e nxënësve). Mësuesi kryeson mësimin dhe jep të dhëna të shkurtra për të përmbledhur dhe stukturuar diskutimet.

Përshkrimi i  mësimi

Qartësimi i agjendës për mësim

Mësuesi paraqet agjendën e mësimit dhe thekson se ajo i korrespondon pyetjeve kryesore të detyrave të shtëpisë të nxënësve. Nëse nxënësit janë dakord dhe nuk bëjnë asnjë sugjerim për t’u përqëndruar në një pikë të veçantë, mësuesi paraqet fazën e parë të mësimit.

1. Tre raportet e lajmeve me diskutim

Mësuesi njofton se tre ekipet e reporterëve do të paraqesin  tregimet e tyre të lajmeve. Nxënësit kanë për detyrë të dëgjojnë dhe të krahasojnë, sepse gazetarët punojnë për lloje të ndryshme  gazetash. Për të krahasuar lajmet, nxënësit duhet të jenë gati të marrin shënime. Mësuesi sqaron detyrën duke vizatuar një matricë të thjeshtë në dërasë ose në tabelë:

Historia e lajmit Nr. 1 Nr. 2 Nr. 3
Gjuha
Vendimi

Mësuesi i referohet gazetës vetëm nga numri, duke ia lënë nxënësve për të paraqitur gazetën e tyre. Gjuha është një tipar i mundshëm nga e cila mund të krahasohen tregimet dhe nxënësit janë të lirë të marrin shënime çfarë shohin. Nëse ata preferojnë një lloj gazete dhe lajmet në të, ata duhet të japin arsyet.

Mësuesi sigurohet që nxënësit nuk kanë më pyetje për detyrat e tyre dhe pastaj i jep fjalën tre ekipeve të raportuesve për shtyp. Ekipet e raportuesve për shtyp lexojnë tregimet e tyre me radhë, pa asnjë diskutim apo koment ndërmjet tregimeve.

Pastaj nxënësit japin komentet. Mësuesi dëgjon dhe inkurajon nxënësit të shpjegojnë se çfarë kriteresh përdorën për të krahasuar dhe gjykuar tregimet.

Mësuesi përmbledh diskutimin duke vënë në dukje një aspekt të rëndësishëm: të tre ekipet e gazetarëve të shtypit ndoqën të njëjtin debat dhe imazhet që ata krijuan për audiencat e tyre të leximit ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme. Kjo tregon se media e transmeton realitetin për të gjithë ata që nuk ishin të pranishëm në këtë ngjarje. Por, duke e transmetuar realitetin, ata e ndërtojnë atë – duke zgjedhur dhe duke theksuar disa elemente, duke lënë jashtë ose duke i kushtuar më pak vëmendje të tjerëve. Mësuesi mund t’i referohet detajeve të përzgjedhura të lajmeve apo reagimeve të nxënësve për të mbështetur këtë pikë (shih Materiale për mësuesit 8.1).

2. Reflektim: si e ndikuan rregullat debatin?

Mësuesi përsëri kërkon reagimet e nxënësve. Mësuesi dëgjon dhe kështu bëjnë nxënësit. Disa komente pritet të jetë mjaft kritike (afati kohor është “jodemokratik”, ai nuk lejon shprehjen e lirë) dhe disa nxënës mund ta mbështesin këtë.

Gjatë diskutimit, mësuesi mund të kërkojë nga kritikët në mesin e nxënësve që të marrin parasysh se çfarë do të ndodhte në qoftë se hiqet afati. Ata do të kuptojnë se debati do të ketë nevojë për kohë më të gjatë, dhe kohëzgjatja e mësimit na vendos një limit absolut kohor, dhe për këtë arsye, rregullat marrin parasysh realitetin dhe shpërndajnë kohën në dispozicion të tyre në mënyrë të drejtë, nëse është e mundur, në periudha shumë të vogla. Folësit duhet komentojnë se si ata e përballuan afatin kohor: a ia dolën ata të përqendrohen në pikat kyçe?

3. Përmbledhje

Këtu nxënësit japin disa vlerësime  të përgjithshme.

Mësuesi nuk duhet të përpiqet të justifikojë punën e tij përballë kritikës dhe as të argumentojë largimin e vërejtjeve kritike. Meqenëse nxënësit kanë pasur për vete një pjesë shumë të madhe të veprimtarisë dhe përgjegjësisë, si suksesi dhe dështimi janë më shumë të tyret se sa të mësuesit. Mësuesi duhet ta theksojë këtë, në qoftë se nxënësit nuk janë të vetëdijshëm.

Nëse nxënësit kënaqen me debatin, mësuesi mund të sugjerojë shtrirje në formën e një klubi debatesh. Këtu mund të debatohen disa nga çështjet e propozuara nga vetë nxënësit. Klubet e debatit janë shumë të zakonshme në vendet ku flitet anglisht në mbarë botën, dhe po ashtu në mesin e mësuesve të gjuhës angleze si gjuhë e huaj. Interneti ofron një shumëllojshmëri të pasur të materialit të shkëlqyer për mësuesit dhe nxënësit e interesuar në debatim.