NJËSIA 6: Përgjegjësia

Living Democracy » Textbooks » NJËSIA 6: Përgjegjësia

Çfarë përgjegjësish kanë njerëzit?

ID_5599

Përgjegjësia  ligjore

Qytetarët e cilitdo shteti kanë të drejtë të dinë se cilat janë të drejtat e tyre sipas ligjit, dhe gjithashtu të çmojnë shtrirjen e përgjegjësive të tyre ligjore që ata i kanë ndaj shtetit dhe ndaj qytetarëve të tjerë. Përgjegjësitë e qytetarëve të shteteve demokratike ndonjëherë përmblidhen në tri detyra kryesore, pra, të votojnë, të paguajnë taksat dhe t’i binden ligjit.

Përgjegjësitë janë shpesh plotësim i të drejtave. Për shembull, e drejta për liri të fjalës sjell me vete përgjegjësinë për t’ua lejuar të njëjtën të drejtë të tjerëve. Mirëpo, njerëzit të cilët kryejnë krime nuk i humbin domosdoshmërisht të drejtat që ata ua mohuan të tjerëve (si në rastin e vrasjes apo diskriminimit). Po ashtu, njerëzit shpesh kanë obligime të cilat nuk janë reciproke, për shembull, përgjegjësitë ndaj fëmijëve.

Përgjegjësia  morale

Në EQD është shumë me rëndësi që të rrisim kapacitetin e të rinjve që ata të mendojnë moralisht. Pa këtë kapacitet, nuk mund të ketë vlerësim kritik të ligjeve të shoqërisë apo të  strukturave shoqërore nga pikëvështrimi nëse ata janë të drejtë (paanshëm). Për këtë arsye, kur nxënësit t’i mësojmë për ligjet të cilat i dëmtojnë ata, nxënësit duhet gjithashtu inkurajuar që të bëjnë vlerësim kritik të funksionit dhe qëllimit të tyre, dhe nëse ata duhet ndryshuar në çfarëdo mënyre.

Të mësuarit mbi përgjegjësitë

Duke shikuar arsyet pse njerëzit sillen në mënyrën që është në favor të shoqërisë, ose duke theksuar shtrirjen e nevojave të njerëzve të tjerë, mësimdhënësit mund të ndihmojnë nxënësit të bëhen më të vetëdijshëm për nevojat dhe të drejtat e të tjerëve. Gjithashtu është me rëndësi që mësimdhënësit të demonstrojnë sjellje të përgjegjësisë para nxënësve.

Nxënësit mësohen të bëhen qytetarë të përgjegjshëm jo vetëm përmes mësimit në klasë, por, gjithashtu, duke u dhënë mundësinë të mësojnë nga përvoja. Në këtë aspekt, shkolla e mirë e EQD-së do të jetë e interesuar të inkurajojë nxënësit të përfshihen në jetën e shkollës dhe në komunitetin më të gjerë, për shembull, përmes këshillave të shkollës.

Në këtë njësi nxënësit do të:

  • eksplorojnë vargun e përgjegjësive të përjetuar nga qytetarët në shoqëri;
  • eksplorojnë llojin e përgjegjësive ligjore të njerëzve;
  • marrin parasysh llojin e ndarë të përgjegjësive shoqërore;
  • mendojnë pse njerëzit marrin përgjegjësi personale për të sjellë ndryshime shoqërore

NJËSIA 6: Përgjegjësia

Çfarë përgjegjësish kanë njerëzit?

Titulli i mësimit Objektivat Detyrat e nxënësve Burimet Metoda

Mësimi 1:

Përgjegjësitë në shtëpi

Të shqyrtohet vargu i përgjegjësive që e kanë njerëzit.

Të kuptojmë se përgjegjësitë mund të bien në konflikt njëra me tjetrën.

Nxënësit analizojnë dilemën morale.

Nxënësit diskutojnë për analiza alternative.

Nxënësit bëjnë paraqitjet e tyre individuale

.

Kopje të tregimit “Andrea bën një zgjedhje”.

Letër për detyra me shkrim.

Diskutim individual dhe në grupe të vogla. Diskutim plenar. Punë individuale me shkrim.

Mësimi 2:

Pse njerëzit duhet t’i binden ligjit?

Të shqyrtohet arsyetimi moral që qëndron pas vendimeve lidhur me konfliktet e përgjegjësisë.

 

Nxënësit analizojnë një dilemë morale.

Nxënësit vlerësojnë në mënyrë kritike arsyet për bindje ligjore.

Nxënësit propozojnë situata në të cilat detyra morale mund të mbizotërojë mbi detyrën për t’ju bindur ligjit.

Kopje të tregimit “Dilema e Schmitt”.

Letër për detyra me shkrim.

Dërrasa e zezë

Shkëmbim i analizës për dilemën morale.

Analizë e mbështetur nga mësimdhënësi.

Shkrimi (përpilimi) i tregimeve. Diskutim plenar.

Mësimi 3:

Problem i kujt është kjo?

Të shqyrtohet natyra e  përgjegjësive ligjore të njerëzve.

Të gjendet dallimi në mes të obligimeve morale dhe ligjore

Nxënësit diskutojnë përgjegjësinë për probleme të caktuara shoqërore.

Nxënësit plotësojnë një kornizë të të menduarit.

Nxënësit përpilojnë përgjigje me shkrim për çështjet e ngritura.

Kopje të “letrës”. Dërrasa e zezë

Letër për detyra individuale me shkrim të nxënësve.

Analiza kritike të strukturuara. Analiza në grupe të vogla dhe diskutim. Arritja e konsensusit dhe negocimi. Shënim personal.

Mësimi 4:

Pse njerëzit bëhen qytetarë aktivë?

Të shqyrtohet natyra e ndarë e përgjegjësisë për probleme shoqërore.

Të shqyrtohen arsyet pse njerëzit pranojnë përgjegjësi për vuajtjet e njerëzve të tjerë.

Të shqyrtohet roli i OJQ-ve në shoqërinë civile.

Nxënësit punojnë në grupe për të bashkuar një tregim.

Nxënësit paraqesin supozimet e tyre mbi arsyet për sjelljen e motivuar nga marrëdhëniet shoqërore.

Nxënësit shqyrtojnë rolin e OJQ-ve.

Në grupe, nxënësit hulumtojnë punën e një OJQ-je apo të një përkrahësi shoqëror.

Në grupe nxënësit paraqesin rezultatet e tyre.

Kopje të shiritave të letrës për Mia Greenwood (prospektet për nxënës 6.4), tanimë të prerë.

Burimet për mbështetjen e punës kërkimore të nxënësve.

Burime për prezentime në grup, p.sh. fletë të mëdha të letrës, stilografë me ngjyra.

Punë në grupe. Negocimi. Arsyetimi moral. Vlerësimi kritik. Punë kërkimore. Prezentim në grupe.