Kapitulli 9 – Materiali i mësuesit 1: media në demokraci

Living Democracy » Textbooks » Kapitulli 9 – Materiali i mësuesit 1: media në demokraci

Material shtesë për mësuesit

Në një demokraci, mediat janë në anën e popullit dhe të vërtetës. Faktet paraqiten objektivisht dhe tërësisht. Opinionet dhe gjykimet janë të shënuara në mënyrë të qartë (  për shembull, dallohet qartë mesazhi nga  komenti,), siç është informacioni për të cilin nuk ka fakte të njohura ose për të cilat mund të bëhen vetëm supozime.

Për më tepër, ekziston një larmi mediesh dhe kjo sjell parashikimin e informacionit plotësues, si dhe të korrigjimit të mundshëm të një burimi nga një media te një tjetër. Kështu, përdoruesi i medies duhet të jetë në gjendje që të marrë informacion të balancuar në të cilën të bazojnë opinionet e tyre.

Në një diktaturë mediat janë në anën e sundimtarëve. Mediet mbështesin bazën e pushtetit dhe politikën e sundimtarit, duke përdorur teknika të propagandës (si mosdhënien e informacionit, sajimin e informacionit  ose shtimin e dozës emocionuese të informacionit etj.).

Ndërsa në demokraci është e vërtetë e kundërta. Një analizë e medies në një vend mund të tregojë nëse dikush jeton në një demokraci apo jo. Në një demokraci, liria e mendimit dhe e shtypit janë të rëndësisë parësore: pa këto nuk ka demokraci, as edhe nuk gëzohen plotësisht të drejtat e njeriut. Për më tepër, në të kaluarën, media ka arritur vërtet histori suksesi në fushën e të drejtave të njeriut. Mediet, më shumë se një herë, nëpërmjet intervistave televizive ose mesazheve të tjera pamore, kanë çuar në lirimin e njerëzve të burgosur për arsye politike;   më shumë se një herë, njerëzit kanë dërguar mesazhe (SMS), duke përdorur celularët e tyre, për të paralajmëruar të tjerët rreth një katastrofe të afërt.

Gjithkush, për një arsye ose për një tjetër, alarmohet kur zhvillohet një konsolidim i masmedias në një demokraci. Zakonisht, kjo do të thotë se, të gjitha mediat raportojnë një ngjarje në të njëjtën mënyrë edhe pse mund të ketë opinione dhe gjykime të ndryshme në lidhje me këtë ngjarje.

Falë protestave dhe publikimeve të disa individëve kritikë, ndonjëherë është ende e mundur që një person të marrë informacion të plotë dhe ka një shans që një konsolidimi i tillë i medieve të mund të demaskohej herë pas here. Megjithatë, shumica e qytetarëve mund të përdorin vetëm mediet masive të konsoliduar dhe efekti i kësaj nuk duhet të nënvlerësohet.

Media gjithashtu mban përgjegjësi për informacionin që shpërndan: a mundet një gazetar të jetë i sigurt se ajo që po raporton është e vërtetë? A është qëndrimi i tij kritik i justifikuar, apo thjesht ai kërkon të jetë i pari që raporton një “skandal”?

Përdorimi i medieve do të thotë gjithashtu ushtrim i pushtetit. Kushdo që regjistron, figurë apo zë dhe i publikon ato, duhet ta bëjë këtë me një ndjenjë të madhe përgjegjësie dhe duhet të jetë i vetëdijshëm për rëndësinë e tij ose të saj në një demokraci.