Materialet për mësuesit 6.2: Deklaratat kyçe në modelin ciklik të politikave

Living Democracy » Textbooks » Materialet për mësuesit 6.2: Deklaratat kyçe në modelin ciklik të politikave

1. Politika ka dy anë: zgjidhjen e problemeve dhe luftën për pushtet. Cikli politik, si një model, përqendrohet në aspektin e parë – në zgjidhjen e problemeve. Aspekti i pushtetit është përfshirë, gjithashtu, në mënyrën se si vendosja e agjendës varet nga presioni që mund të prodhojë një protagonist. Por shqetësimi kryesor i modelit është të përshkruajë anën praktike të politikës – në fjalët e Max Weber, ” bërje vrimash ngadalë dhe fuqimisht përmes dërrasave të trasha, me pasion dhe gjykim të mirë.” Kjo do të thotë se përpjekjet propagandistike në konkurrimin për përkrahjen e votuesve – përfshirë kritikat personale ndaj kundërshtarëve politikë, populizmin dhe turpërimin – mund të shtrembërojnë tablonë, por janë të filtruara nga ky model.

2. Ky model jep një pamje interesante për konceptin e së mirës së përbashkët. Në një demokraci, asnjë protagonist nuk e di se çfarë është e mirë për të gjithë. Ky është dallimi i madh midis demokracisë dhe diktaturës. Përkundrazi, ne duhet të gjejmë së bashku, të negociojmë dhe bëjmë marrëveshje, të argumentojmë dhe në fund të bëjmë kompromis. Nëse ne e kemi gabim ose zgjidhja ishte e padrejtë, ne së shpejti do ta dimë dhe do të provojmë përsëri. Një shoqëri e hapur kërkon një qasje pragmatike konstruktiviste për t’ju përgjigjur pyetjes për të mirën e përbashkët.

3. Hartat, ashtu si cikli i politikave, janë modele. Ato tregojnë disa aspekte të realitetit në mënyrë të qartë, por mund ta bëjnë këtë vetëm duke lënë jashtë të tjera. Modeli i ciklit politik mund të shërbejë si një hartë për t’iu përgjigjur pyetjes se në cilën fazë ne si qytetarë mund të ndërhyjmë dhe të bëjmë veten të dëgjohemi. Në qoftë se ne nuk jemi anëtarë të parlamentit ose qeverisë, ne nuk do të marrim pjesë në debatin në të cilin do të merret vendimi – kjo është ana e produktit të sistemit politik. Por, fazat e tjera tregojnë anën e të dhënave; këtu ne mund të bëhemi aktivë. Ne mund të komentojmë për një vendim, e mbështesim atë ose protestojmë kundër tij dhe ne, me siguri, mund të marrim pjesë në debatet për hartimin e agjendës politike. Problemet politike nuk janë thjesht aty, por duhet të përcaktohen dhe të njihen si të tilla (shih temën e mësimit 4).