Mësimi 4: Parlamenti i nxënësve

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Parlamenti i nxënësve

Si duhet të qeverisen shkollat?

Objektivi i mësimnxënies Nxënësit mund të përcaktojnë kriteret se si duhet të qeveriset shkolla dhe roli i nxënësve në këtë proces.
Detyrat e nxënësve Nxënësit mendojnë se si do të funksiononte parlamenti ideal i nxënësve.
Burimet

Një pyetësor për çdo nxënës (prospektet për nxënës 9.3), një fletë e madhe e letrës dhe markera (shënues) për çdo grup me nga 4-6 nxënës.

Metoda Prezentime, punë individuale dhe në grupe të vogla dhe diskutim me tërë klasën.

Kuti informacioni

Të rinjtë janë qytetarë po ashtu. Ata kanë të drejtë të paraqesin mendimin e tyre për gjërat nga të cilat ndikohen ata dhe komunitetet e tyre. Kjo përfshin shkollën e tyre. Mekanizmat të cilat u mundësojnë nxënësve të shprehin mendimin e tyre lidhur me drejtimin e shkollës së tyre nuk ndihmojnë vetëm për të siguruar që të rinjtë ta gëzojnë këtë të drejtë, por ndihmojnë po ashtu që ata të mësojnë për proceset demokratike. Mirëpo, se çfarë mund të jenë këto mekanizma është çështje për t’u debatuar. Disa njerëz mendojnë se është me rëndësi që çdo shkollë të ketë parlamentin e vet të veçuar të nxënësve, të tjerët thonë se kjo nuk është e nevojshme dhe se ka mënyra të tjera të krijimit të mundësive për nxënësit që të kontribuojnë në drejtimin e shkollës së tyre.

Mësimi duhet të fillojë me opinionet e nxënësve të cilët ata i kanë përgatitur si detyrë shtëpie. Varësisht sa i kanë të pasur materialet dhe duke marrë parasysh nevojën për diskutim, plani kohor ndoshta do të duhet të zgjerohet edhe me një mësim. Meqë për këtë opsion ka kufizime, mësimdhënësi mund të mbledhë detyrat e nxënësve dhe reagimet e tij t’ua sjellë me shkrim. Por, mësimdhënësi duhet të sigurojë që punës së nxënësve t’u kushtojë vëmendjen e duhur.

Mësimi

Nxënësit e fillojnë mësimin me paraqitjen e rezultateve të anketës së tyre, duke treguar çka mendojnë familjet dhe shokët e tyre mbi përgjegjësitë e qytetarit. Nxënësit i diskutojnë rezultatet e tyre.

Mësimdhënësi e paraqet temën e re duke iu referuar materialeve për nxënës, sipas nevojës, dhe duke i pyetur nxënësit sa mendojnë ata se funksionon mirë këshilli i shkollës apo parlamenti i nxënësve. Nëse aktualisht nuk ka ndonjë formë të përfaqësimit të nxënësve në shkollë, mësimdhënësi duhet të pyes nxënësit nëse ata dinë për shkolla që këtë e kanë dhe, nëse e kanë, çfarë forme ka.

Mësimdhënësi u tregon  nxënësve se detyra  e tyre  është që të  imagjinojnë parlamentin  ideal të nxënësve – d.m.th. një grup të nxënësve të zgjedhur në mënyrë demokratike, të cilët paraqesin interesat e nxënësve në shkollën e tyre si tërësi.

Në vazhdim mësimdhënësi u jep një pyetësor (prospektet për nxënës 9.3) të cilin nxënësit e plotësojnë individualisht.

Pastaj mësimdhënësi i ndan nxënësit në grupe me nga 4-6 vetë. Nxënësit në grupe kanë pak kohë të krahasojnë përgjigjet e tyre në pyetësor dhe t’i parashtrojnë njëri tjetrit pyetje të tjera. Në vijim, mësimdhënësi i jep çdo grupi një fletë të madhe të letrës dhe disa markera. Detyra e grupeve është të hartojnë një kushtetutë për parlamentin e tyre ideal të nxënësve. Mësimdhënësi duhet të shpjegojë se çka është kushtetuta, dhe të jep disa shembuj të rregullave të cilat ata mund të presin që t’i gjejnë në kushtetutën e parlamentit të nxënësve.

Kur grupet të kenë mbaruar, ata ia paraqesin punën e tyre pjesës tjetër të klasës dhe i shqyrtojnë çështjet e ngritura, për shembull:

  • Sa pushtet duhet të kenë nxënësit dhe sa drejtori i shkollës dhe mësimdhënësit?
  • Kush duhet ta thotë fjalën e fundit në vendimet që ndikojnë në drejtimin e shkollës?
  • A mund të jetë shkolla demokraci?

Në fund, nxënësit duhet të bëjnë një prezentim në klasë për drejtorin e shkollës dhe, nëse ata duan, të bëjnë disa propozime konkrete për parlamentin e tyre të shkollës.

Për detyrë shtëpie, nxënësit duhet të bëjnë një anketë me familjen dhe shokët, duke i pyetur ata:

  • A mendoni se çdo shkollë në vendin tonë duhet të ketë parlament të nxënësve?
    Pse po (ose pse jo)?

Nxënësit duhet të paraqesin rezultatet e anketës së tyre në fillim të mësimit të ardhshëm.