Mësimi 4: Pse njerëzit bëhen qytetarë aktivë?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Pse njerëzit bëhen qytetarë aktivë?

Pse njerëzit duan ta ndryshojnë shoqërinë dhe si mund ta bëjnë ata këtë?

Objektivat e mësimnxënies Të shqyrtohen arsyet pse njerëzit pranojnë përgjegjësi për vuajtjet e njerëzve të tjerë.
Të shqyrtohet roli i OJQ-ve në shoqërinë civile.
Detyrat e nxënësve Nxënësit punojnë në grupe për të bashkuar një tregim.
Nxënësit paraqesin supozimet e tyre mbi arsyet për sjelljen e motivuar nga marrëdhëniet shoqërore.
Nxënësit shqyrtojnë rolin e OJQ-ve.
Në grupe, nxënësit hulumtojnë punën e një OJQ-je apo të një përkrahësi shoqëror. Në grupe nxënësit paraqesin rezultatet e tyre.
Burimet Kopje të shiritave të letrës për Mia Greenwood (prospektet për nxënës 6.4), tanimë të prerë.
Burimet për mbështetjen e punës kërkimore të nxënësve.
Burimet për prezentime në grup, p.sh. fletë të mëdha të letrës, stilografë me ngjyra.
Metodat Punë në grupe.
Negocim.
Arsyetimi moral.
Vlerësim kritik.
Punë kërkimore.
Prezentim në grupe.

Të  mësuarit  konceptual

Veprimi shoqëror: Veprim i ndërmarrë nga qytetarët apo pjesëtarët e komunitetit për trajtimin e një problemi shoqëror.

Qytetari: Dikush që ka anëtarësim ligjor (shtetësi) në një komunitet shtetëror. Shtetësia sjell të drejta dhe detyrime, edhe pse njerëzit ndryshojnë për nga shkalla e ndjenjës së përgjegjësisë që ata e ndiejnë për atë çka ndodh në komunitetin e tyre.

Qytetari aktiv: Dikush që ndërmerr veprime publike për t’ju përgjigjur një problemi shoqëror apo atij të komunitetit.

Organizata joqeveritare (OJQ): Organizatë e themeluar dhe e përkrahur nga qytetarët (jo nga qeveritë) për të trajtuar një problem shoqëror. OJQ-të janë publike, nuk janë të fshehta, dhe ata punojnë brenda strukturës së një shoqërie për të sjellë ndryshime. Ata shpesh trajtojnë çështje në të cilat të drejtat e njerëzve nuk janë të mbrojtura në mënyrë adekuate apo të njohura nga qeveria. OJQ-të mund të punojnë me qeveritë ose të jenë në kundërshtim me ta. Shoqëritë demokratike kanë ligje me të cilat lejohet ekzistimi i OJQ-ve, sigurohen të drejtat e tyre ligjore dhe mbrojtja.

Shoqëria civile: Njerëzit dhe organizatat që ndërmarrin veprime shoqërore, jashtë punës së kryer nga qeveria, konsiderohet se janë pjesë e shoqërisë civile. Shoqëria civile e krijon një pjesë të lidhjes në mes të qytetarëve individual dhe qeverive.

Mësimi

Mësimdhënësi e ndan klasën në grupe me rreth katër nxënës. Në vazhdim ai u jep informacionet për Mia Greenwood (prospektet për nxënës 6.4). Do të ishte më mirë që kjo të pritej në shirita të veçantë të letrës. Mësimdhënësi kërkon që grupet të shkëmbejnë shiritat e letrës kuturu në mes të anëtarëve të grupit. Çdo anëtar i grupit me rend ua lexon me zë shiritin e tij anëtarëve të tjerë të grupit. Pastaj grupi i rregullon shiritat sipas renditjes që më së miri ka domethënie.

Në vijim mësimdhënësi kërkon që nxënësit të diskutojnë pyetjet vijuese si grup dhe, për aq sa është e mundshme, të përfundojnë me një përgjigje grupore. Mësimdhënësi thekson se pjesëtarët e grupit mund të mos pajtohen, por shkëmbimi i ideve jep përgjigje më të mira. Nxënësit në mënyrë individuale mund të shënojnë përgjigjet e tyre. Mësimdhënësi në vijim diskuton çështjet kryesore me klasën, të sugjeruara nga pyetjet vijuese.

Pyetjet

  • Çfarë mendoni ju, cilat ishin arsyet kryesore pse Mia Greenwood u përfshi në Grupin 353?
  • Nga ajo që dini ju për Mia Greenwood, cilat fjalë do t’i kishit përdorur për ta përshkruar atë?
  • Pse sipas mendimit tuaj Mia Greenwood dhe Grupi 353 nuk ia lanë punën që dëshironin ta kryejnë qeverisë?
  • Çfarë nevojash përpiqet të plotësojë Grupi 353?
  • Çfarë shoqërie shpresonin të ndërtojnë Mia Greenwood dhe Grupi 353?
  • Sa mendoni se janë të rëndësishme organizatat joqeveritare (sikurse Grupi 353) në shoqëri? Çka mendoni ju se mund të arrijnë ata? Mendoni për rolin e tyre në relacion me punën e qeverive, si dhe në relacion me plotësimin e nevojave (të drejtave) të njerëzve.
  • Mendoni për shoqërinë tuaj. Për cilat nevoja jeni ju në dijeni se mund të përkrahen nga individët aktivë ose me marrjen e përgjegjësive nga OJQ-të?

Një shembull nga Evropa Juglindore mund t`i ndihmoj nxënësit për të kuptuar rëndësinë e OJQ-ve. Ky shembull mund të ndërrohet me ndonjë tjetër të zhgjedhur nga mësimdhënësi

Një raport ndërkombëtar për vitin 2003 për OJQ-të në Bosnje dhe Hercegovinë shkruante: “Sektori i OJQ-ve në Bosnje dhe Hercegovinë vazhdon të jep kontribute pozitive në procesin e ndërtimit të demokracisë dhe shoqërisë civile. […]. Aktualisht ka 7874 organizata joqeveritare në Bosnje dhe Hercegovinë, sipas ligjeve të vjetra dhe të reja për regjistrimin e tyre. […]

Sektori i OJQ-ve u tregua i aftë në drejtimin e fushatave të mëdha publike të cilat përkrahnin ndryshimet në çështjet jetike për shoqërinë e Bosnjës, duke përfshirë rininë, barazinë gjinore, ambientin, mbrojtjen e të drejtave të pakicave, etj. Një numër i madh i OJQ-ve vazhdojnë të ofrojnë shërbime në fushat e kujdesit shëndetësor dhe mirëqenies shoqërore, rindërtimit, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, mbrojtjes së ambientit dhe në mbrojtjen e pakicave.”22

Mësimdhënësi e diskuton këtë citat me nxënësit. Së pari, ata duhet të shqyrtojnë nëse fushat e veprimeve të përmendura në raport vlejnë edhe për vendin e tyre. Pastaj mësimdhënësi kërkon që ata të mendojnë për shembuj të llojit të projekteve, të cilët mund të klasifikohen nën këto fusha të ndryshme të veprimeve.

Puna në grupe

Si detyrë e fundit në këtë njësi, çdo grup mund të merr njërën prej këtyre fushave dhe të përgatisë prezentim lidhur me të, të bazuar në mësim. Mundësia tjetër është, nëse ka mjete për punë kërkimore në dispozicion, të hulumtohet jeta e qytetarëve të tjerë aktivë në atë vend dhe kjo të përbëjë temën e prezentimit të grupit. Nxënësit mund të përfshijnë edhe figura ndërkombëtare siç është Nënë Tereza dhe Nelson Mandela.

22. Burimi: USAID raporti i titulluar “2003 NGO Sustainability Index, Europe and Eurasia“ pp. 42 dhe 43; www.usaid.gov/locations/europe_eurasia/dem_gov/ngoindex/2003/bosnia.pdf