8.1 Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit – Integrimi, jo kriminalizimi

Living Democracy » Textbooks » 8.1 Informacionet e prapaskenës vetëm për mësimdhënësit – Integrimi, jo kriminalizimi

Thomas Hammarberg, Komisioner për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës

Në shumicën e shteteve evropiane, adoleshentët nuk dominojnë në statistikat e përgjithshme të krimit. Gjithashtu, shkalla e krimeve të kryera nga të miturit qëndron pak a shumë stabile nga viti në vit në mbarë kontinentin tonë.

Kjo nuk do të thotë se problemi është i parëndësishëm. Një tendencë brengosëse që është raportuar nga disa shtete është se disa krime të kryera nga kundërvajtësit e mitur janë bërë më të dhunshme ose përndryshe më të rënda. Ky vetvetiu është një sinjal alarmues. (…).

Aktualisht, në Evropë janë dy tendenca të ndryshme. Njëra është të zvogëlohet mosha e përgjegjësisë penale dhe të burgosen më shumë fëmijë në moshat e reja. Tendenca tjetër është – në frymën e Konventës së KB-së mbi të Drejtat e Fëmijës – t’i shmangemi kriminalizimit, dhe në vend të burgimit të kërkojmë alternativa të bazuara në familje apo alternativa të tjera shoqërore.

Unë do të argumentoj qasjen e dytë. Për këtë kam mbështetje jo vetëm në Konventën e KB-së por edhe në Rrjetin Evropian të Ombduspersonave të Fëmijëve. Në një deklaratë të vitit 2003, jo më pak se 21 ombudspersona kombëtarë theksuan se fëmijët në konflikt me ligjin janë, para së gjithash, fëmijë të cilët akoma gëzojnë të drejtat e njeriut.

Ata propozuan që mosha e përgjegjësisë penale të mos ulet por të rritet – me qëllim që gradualisht të arrihet mosha 18 vjeçare – dhe të provohen metodat inovative për t’ju përgjigjur keqbërësve të mitur nën këtë moshë, me një përqendrim të vërtetë në edukimin e tyre, riintegrimin dhe rehabilitimin.

Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës – e ratifikuar nga të gjitha shtetet evropiane – kërkon nga qeveritë që të caktojnë moshën minimale, nën të cilën fëmijët do të konsiderohen se nuk e kanë aftësinë që të shkelin ligjin penal. Traktati nuk e cakton saktësisht moshën ku duhet vënë kufirin. Mirëpo, Komiteti i cili monitoron zbatimin e Konventës ka shprehur shqetësimin për moshën ligjore në disa shtete. Në shumicën e shteteve evropiane, fëmijët përgjigjen penalisht në mes të moshës 12 dhe 15 or 16 vjeçare, por ka edhe shembuj të kufizimeve të moshës që shkojnë deri në 7, 8 dhe 10.

Edhe pse porosia e Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës është që t’i shmangemi kriminalizimit të fëmijëve, kjo nuk do të thotë se kundërvajtësit e mitur duhet të trajtohen sikur të mos kishin fare përgjegjësi. Përkundrazi, është me rëndësi që kundërvajtësit e mitur të përgjigjen për veprimet e tyre dhe, për shembull, të marrin pjesë në riparimin e dëmit që e kanë shkaktuar.

Shtrohet pyetja se çfarë mekanizmi duhet të zëvendësojë sistemin e zakonshëm të drejtësisë penale në rastet e tilla. Procedura duhet të pranojë dëmin që i është shkaktuar viktimës dhe duhet ta bëjë kundërvajtësin e mitur të kuptojë se vepra ishte e papranueshme. Një mekanizëm i tillë i veçantë për të mitur duhet të synojë që i mituri të pranojë fajin, dhe të shqiptohen sanksione të cilat kanë karakter rehabilitues.

Ndryshimi nga procedura e zakonshme penale është në procesin e sanksionimit. Në drejtësinë për të mitur nuk duhet të ketë ndëshkim. Qëllimi është që të vendoset përgjegjësia dhe, në të njëjtën kohë, të përkrahet riintegrimi. Kundërvajtësi i mitur duhet të mësojë nga ky mësim/përvojë dhe asnjëherë të mos e përsërisë keqbërjen.

Kjo në realitet nuk është e lehtë për t’u arritur. Për këtë nevojiten sanksione me punë në dobi të komunitetit, të cilat janë risi dhe efektive. Në parim, duhet të përfshihen prindërit e keqbërësit apo kujdestari tjetër ligjor, përveç nëse kjo konsiderohet kontraproduktive për rehabilitimin e fëmijës. Cilido proces qoftë, fëmija duhet të ketë mundësi që të kundërshtojë akuzat, madje edhe të paraqesë ankesë.

Në Slloveni është prezentuar një procedurë interesante për arritjen e “marrëveshjeve”. Atje, rasti i një të mituri të akuzuar mund t’i referohet ndërmjetësit nëse pajtohet prokurori, viktima dhe  i akuzuari. Pastaj ndërmjetësi përpiqet të arrijë marrëveshje e cila do të ishte e  pranueshme  për viktimën dhe për të akuzuarin, dhe kështu mund t’i shmangemi procesit gjyqësor.

Duhet potencuar edhe një aspekt tjetër: rëndësinë për t’ju përgjigjur menjëherë keqbërësit. Procedurat e vonuara – të cilat sot janë problem në disa shtete evropiane – janë veçanërisht të pasuksesshme kur kemi të bëjmë me keqbërësit e mitur, veprimet e këqija të të cilëve duhet parë si thirrje për ndihmë të menjëhershme. (…)

Thomas Hammarberg, Komisioner për të drejtat e njeriut, Këshilli i Evropës, fragment nga “The human rights dimension of juvenile justice”, prezentim i paraqitur në Konferencën e prokurorëve të përgjithshëm të Evropës, Moskë, 5-6 korrik 2006. Burimi: http://www.coe.int/t/commissioner/