Hyrje

Living Democracy » Textbooks » Hyrje

Shkolla është vendi i mësimdhënies dhe të mësuarit. Kjo ka qenë gjithmonë e tillë dhe shpresojmë se do të qëndrojë në këtë rrjedhë. Por, ajo që ka ndryshuar, ka të bëjë me çfarë është mësuar në shkollë dhe se si është mësuar ajo. Shoqëria ka ndryshuar dhe ndryshon me shpejtësi në drejtim të jetës ekonomike dhe sociale dhe shkollat ​​janë nën presion që të përshtaten sa më mirë të munden me kushtet e reja.

Ajo që ka ndryshuar në mendjet e shumë njerëzve ka të bëjë me faktin se shkolla nuk është vetëm një vend ku nxënësit përgatiten për jetën e të bëhen gati kur të rriten; ajo është gjithashtu një vend ku njerëzit kalojnë shumë kohë së bashku. Kjo, në vetvete, jep një mundësi për të mësuar nga të tjerët, por në të njëjtën kohë, në mënyrë të qartë, i detyron nxënësit të mësojnë aftësitë sociale.

Nëse një shkollë vendos për të integruar EQD/EDNJ – Edukimin për Qytetarinë Demokratike dhe Edukimin për të Drejtat e Njeriut – në sistemin e saj (shumë shkolla gëzojnë një shkallë të lartë autonomie), atëherë ajo vendos për të ndërtuar jetën shkollore në mënyrë aktive dhe për të krijuar një situatë të mësuari model për edukimin e demokracisë. Gjithë shkolla – jo vetëm një klasë – mund të bëhet një mikro-shoqëri. Kjo nuk është thjesht një foto e idealizuar, por një realitet. Askush nuk thotë se të jetuarit së bashku është i lehtë dhe pa konflikte, aq më tepër që shkolla nuk mund të përjashtohet. Por, sidoqoftë, ky nuk duhet të bëhet një qëllim në vetvete. E pra, në shkollë duhet të kemi mundësi e të jemi në gjendje të njohim interesat e ndryshme, t’i sqarojmë këto interesa dhe të mësojmë prej tyre, sepse këto aftësi do të jenë thelbësore për jetën si qytetar.

Ky manual kryesisht u kushtohet  mësuesve. Përvoja ka treguar se ai u shërben  edhe trajnuesve, zhvilluesve të kurrikulës, autorëve të teksteve, redaktorëve dhe përkthyesve në shtetet anëtare të Këshillit të Evropës dhe ndoshta edhe më larg, moshës së pleqërisë.

Ky manual përmban nëntë kapituj mësimorë për Edukimin për Qytetari Demokratike (EQD) dhe Edukimin për të Drejtat e Njeriut (EDNJ). Kapitujt, të përbërë nga katër mësime secili, janë të destinuara për nxënësit e vitit të fundit të shkollës fillore – përgjithësisht të moshës 10 ose 11 vjeç. Çdo kapitull përqendrohet në një koncept kyç lidhur për EQD ose EDNJ: identiteti – pluralizmi – barazia – konfliktet – rregullat dhe ligjet – qeveria – përgjegjësia – liria – komunikimi. Për çdo mësim sugjerohen hapat që duhet të ndiqen me detaje, sigurisht për aq sa kjo është e mundur.

Nëntë Kapitujt e paraqitur në këtë manual nuk mund të grupohen së bashku për të formuar një lëndë të quajtur “Edukimi i demokracisë”, “Edukimi qytetar”ose çfarëdo tjetër që ju zgjidhni për ta quajtur atë. Kapitujt e veçantë munden, megjithatë, të përdoren në mësimet e gjuhëve, gjeografisë, historisë, në lëndët shoqërore, etikë dhe arte etj. Në marrëveshje me ekspertë të ndryshëm nga shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, autorët kanë zhvilluar njësitë mësimore me synim të veçantë tek elementet shtesë të EQD/EDNJ, të cilat mund të integrohen lehtësisht në kurrikulën ekzistuese. Temat e EQD/EDNJ nuk janë për t’u studiuar në mënyrë të izoluar, por të lidhen, në këndvështrime të ndryshme në lëndët që mësohen normalisht në shkollën fillore. Autorët e kanë integruar këtë ide në strukturën dhe organizimin e këtij manuali dhe i kanë organizuar njësitë mësimore, në mënyrë të tillë që ato të bazohen në kompetencat ekzistuese të mësuesve të shkollave fillore dhe në kompleksitetin e mësimdhënies në lëndë të ndryshme. Për ta përmbledhur, nga këndvështrimi i përdoruesit, është e rëndësishme t’i përgjigjemi pyetjes nëse EQD/EDNJ është një lëndë e re apo jo.

Për shumicën e shkollave në shumicën e vendeve, EQD/EDNJ nuk është një lëndë e re në shkollën fillore. Ajo shton një këndvështrim të ri në mësimdhënien dhe në të mësuarit brenda kurrikulave ekzistuese. Kjo do të thotë se mësuesit dhe nxënësit nxiten të punojnë në  mënyrë të ndryshme dhe më frytdhënëse.

EQD/EDNJ përqendrohet në arritjet më të mira të nxënësve, që ata të bëhen qytetarë aktivë, të gatshëm dhe në gjendje për të marrë pjesë në formësimin e të ardhmes së bashkësive të tyre, (me fjalë të tjera, edukimin për demokracinë dhe të drejtat e njeriut). Njëkohësisht, EQD/EDNJ ndjek parimet themelore të mësimdhënies së mirë. Pjesëmarrja në demokraci mundet dhe duhet të edukohet në shkollë, dhe mund të integrohet në çdo lëndë, në çdo nivel moshe. Ndërtimit të kompetencave  i jepet përparësi ndaj qasjes tradicionale të mësimdhënies në bazë të kurrikulës bazë.

Sigurisht, EQD/EDNJ ka gjithashtu dimensionin që bazohet te përmbajtja, – edukimi për demokracinë dhe të drejtat e njeriut. Elemente të tilla mund të integrohen në lëndë të tilla si edukimi qytetar, ose mund të përfshihen në histori dhe shkencat sociale.

Por elementi kyç i mësimdhënies së EQD/EDNJ është mësimi në frymën e (ose nëpërmjet) demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe kjo këndvështrim i ri trajtohet në gjithë shkollën. Ky manual tregon se këndvështrimi i EQD/EDNJ sjell metoda të reja të mësimdhënies dhe të mësuarit  në klasë, duke pasuruar kësisoj rolet e mësuesit dhe nxënësit. Nxënësit kanë në dispozicion një kohë më të madhe, si kohë e të mësuarit real, ndërsa mësuesi vepron si mbështetës dhe vëzhgues, përveç rolit të tij tradicional si instruktor. Modelet mësimore inkurajojnë mësuesin të përqendrohet në temat e zgjedhura dhe për t’u dhënë nxënësve kohë që t’i trajtojnë këto çështje tërësisht – me fjalë të tjera “të bëjë më pak, por ta bëjë atë mirë”.

Mjete dhe fletë pune – manuali për nxënësit

Parim qendror i të gjithë kapitujve është veprimtaria e nxënësve. Kjo   bazohet në faktin se të mësuarit është një proces aktiv i të mësuarit dhe jo vetëm një proces i të dëgjuarit pasiv.  Në këtë mënyrë, njësitë  mësimore shndërrohen në momentet e komunikimit, të kërkimit të informacionit, e pyetjeve dhe shpjegimit. Mësuesi i mbështet këto procese dhe e di mirë se të mësuarit për demokracinë është një proces i vazhdueshëm dhe se, në këtë drejtim, gabimet janë të natyrshme. Të mësuarit e pavarur  mbështetet në të ashtuquajturat “mjete”. Dymbëdhjetë metodat e zgjedhura mbështesin këtë të mësuar të pavarur dhe të vetë-drejtuar (duke studiuar në biblioteka, kërkime në Internet, kryerjen e intervistave dhe sondazheve, interpretimin e imazheve, një lloj planifikimi me mend, krijimin e afisheve, organizimin e ekspozitave, duke bërë prezantime, përgatitje të sliderave me projektorë ose prezantime në PowerPoint, shkrimi i artikujve në gazeta, organizimi i shfaqjeve ose debateve).

Fletët e punës të nxënësve japin një mjet tjetër mbështetjeje. Këto fletë pune janë të veçanta, u përkasin kapitujve dhe u shpërndahen nxënësve. Të gjitha Fletët e punës së nxënësve mund të gjenden në fund të këtij manuali. Paketa e plotë e tyre mund të merret lehtësisht jashtë dhe të fotokopjohet për nxënësit. Çdo fletë është me numër sipas kapitullit dhe mësimit në të cilën  përdoret (p.sh. Kapitulli 2, mësimi 2). Mësuesi vendos se si dhe kur do të përdoren Fletët e Punës nga nxënësit dhe se si do të mblidhen prej tyre. Në disa raste mund të jetë praktike një dosje, në disa raste të tjera mësuesit mund të preferojnë për ta vënë çdo gjë në një libërth të veçantë, ose për ta përdorur si paketë ashtu siç jepet në këtë manual – si një broshurë e integruar.

Përvoja e kaluar në përdorimin e materialeve të kopjuara ka treguar se kërkesa më e rëndësishme për mësuesit është se ato duhet të jenë praktike dhe vetë-shpjeguese. Fletët e Punës duhet të jenë plotësuese dhe të dobishme, jo të vështira për t’u kuptuar dhe pa konsum kohe për t’u shpjeguar. Për këtë arsye të gjitha Fletët e Punës të paraqitura në këtë manual janë të lehta për t’u përdorur, të lehta për t’u kuptuar, të lehta për të modifikuar dhe të lehta për t’u përshtatur me nevojat specifike të një klase ose për variacione në metodat e mësimdhënies. Përveç vlerësimit të zakonshëm për formimin e nxënësve, pjesëmarrjes në veprimtaritë e klasës, regjistrimit të pjesëmarrjes së tyre si dhe motivimin e tyre, Fletët e Punës përfaqësojnë gjithashtu edhe një mjet mund të shërbejë për vlerësimet  me shkrim.