Mësimi 3: Anketa: çfarë mendojnë dhe dinë njerëzit rreth nesh

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 3: Anketa: çfarë mendojnë dhe dinë njerëzit rreth nesh

Nxënësit zhvillojnë një studim të shkurtër rreth të drejtave të njeriut

Objektivat e mësimit Nxënësit e çojnë më tej përvojën e të mësuarit duke intervistuar më të rriturit, rreth qëndrimeve dhe njohurive të tyre për të drejtat e njeriut. Ata vërejnë se sa ndryshon vlerësimi i të drejtave të njeriut.
Detyrat e nxënësve Nxënësit përgatisin një anketim dhe e praktikojnë duke punuar me të në klasë. Anketa në vetvete duhet të zhvillohet si detyrë shtëpie gjatë javës së ardhshme.
Burimet Fleta e punës, letër, lapsa dhe stilolapsa.
Metodat Sondazhe në grupe.

Përshkrimi i mësimit

Klasa, tani, ka një listë të të drejtave të njeriut (kjo nuk është ende një listë të plotë). Sidoqoftë, nga lista bëhet e qartë se, edhe pa dijeninë e konceptit të të drejtave të njeriut, të gjithë e dinë se njerëzit kanë nevoja dhe se këto nevoja janë shumë të ngjashme me të drejtat e paraqitura në nenet e Deklaratës Universale të Drejtave të Njeriut. Duke mësuar këtë, nxënësit kanë rindërtuar, pjesërisht, historinë e të drejtave të njeriut, të cilat, në fund të fundit, nuk janë krijuar rastësisht në mënyrë të izoluar, por janë zhvilluar nga ideja se të gjitha qeniet njerëzore kanë të drejta themelore që askush nuk mund t’ia heqë.

Në mësimet 3 dhe 4, nxënësit duhet të kryejnë një studim të shkurtër. Në komunitetin e tyre lokal, ata duhet të përpiqen të zbulojnë se çfarë lidhet me të drejtat e njeriut, si gjykohen këto të drejta dhe çfarë niveli të njohurive themelore kanë njerëzit për të drejtat e njeriut.

Nxënësit duhet të krijojnë, të zhvillojnë dhe të vlerësojnë një studim të shkurtër, i cili synon të kuptojë se si të drejtat e njeriut janë të pranishme në mjedisin e tyre rrethues. Mësuesi u jep atyre fletën epunës,   në të cilin mund të vihen re kategori të ndryshme përgjigjesh: qëndrimet personale ndaj të drejtave të njeriut, njohja e këtyre të drejtave dhe gjendja aktuale në vendin e tyre. Nxënësit duhet të intervistojnë të rriturit, (të afërm, miq, fqinjë, kalimtarë) dhe t’u drejtojnë pyetjet e mëposhtme:

  • A mendoni se është e rëndësishme që të drejtat e njeriut janë vendosur në të gjithë botën? Nëse është kështu, pse? Nëse jo, pse jo?
  • Cilat të drejta duhen mbrojtur në të gjithë botën?
  • Kush është përgjegjës për ta bërë këtë?
  • Cilat të drejta duhen mbrojtur në vendin tonë?
  • Kush është përgjegjës për ta bërë këtë?

Nxënësit duhet të jenë të kujdesshëm për të mos gjykuar, nëse qëndrimet, opinionet ose njohuritë e shprehura janë të sakta. Përkundrazi, ata duhet thjesht të shënojnë përgjigjet.

Intervistat nuk janë të lehta për t’u bërë. Për këtë arsye, do të ishte mirë nëse ato do nxiteshin  në klasë. Një grup i vogël nxënësish mund të marrë rolin e intervistuesit dhe dy nxënës mund të marrin rolin e kalimtarit të panjohur. Intervistat me miqtë ose me të afërmit mund të nxiten. Është e rëndësishme që nxënësit të mos harrojnë të prezantojnë veten dhe të shpjegojnë qëllimin e intervistës. Kur shihen provat e intervistave, nxënësit e tjerë mund të japin ide konstruktive. Në këtë mënyrë të gjithë mësojnë.

Pyetje për  reflektim:

  • Si janë marrë shënimet?
  • Cila është ndarja e roleve brenda grupit të intervistës?
  • Si do të paraqiten rezultatet në mësimin tjetër?

Mësuesi u jep nxënësve një javë kohë, për të kryer intervistat. Është e përshtatshme që intervistat të kryen në grupe të vogla.