Kapitulli 3 – Njohja me të drejtat e njeriut

Living Democracy » Textbooks » Kapitulli 3 – Njohja me të drejtat e njeriut

V6_P25&94

Hyrje

Ilustrimi tregon një sërë objektesh që janë të njohura për fëmijët dhe të rinjtë. Secili prej tyre mund të lexohet si simbol që shpreh një të drejtë të njeriut ose të fëmijës – një tendë (koha e lirë), një çadër (mbrojtja), një pjatë me ushqim (nevojat fizike), një libër (edukimi, liria e mendimit), një arushë pelushi (koha e lirë dhe të luajturit), një flamur (mbrojtja e të drejtave të qytetarëve nga shteti), çanta e ndihmës së shpejtë (kujdesi mjekësor), një zarf (liria e fjalës dhe e të shprehurit), një shtëpi (privatësí). Globi mund të shprehë idenë e mbrojtjes të të drejtave të njeriut për çdo qenie njerëzore. Simbolet janë rregulluar, këndshëm, mbi njëri-tjetrin dhe mund t’i përfytyrojmë sikur rrotullohen. Në këtë mënyrë, ato lidhen në një strukturë të vetme, që përbëhet dhe nënkupton më shumë se pjesët e saj. Nëse masës së përftuar i heqim qoftë edhe vetëm një element, e gjithë struktura do të shembet.

Kjo pikturë është një shembull që tregon se sa të fuqishme, mund të jenë simbolet, në dukje të thjeshta. Gjetja e simboleve për të drejtat e njeriut është një ushtrim që mund t’i jepet çdo nxënësi fare të ri, sikurse, afërmendsh, edhe më të mëdhenjve. Kjo u lejon atyre të lidhin përvojën e tyre me të drejtat e njeriut dhe të zbulojnë domethënien e të drejtave të njeriut për jetën e tyre dhe disa nga ushtrimet në këtë kapitull ndjekin këtë drejtim.

Ushtrimet në këtë kapitull kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut – ato janë thelbi i edukimit për të drejtat e njeriut. Kapitujt e tjerë, për shembull, ato që flasin për vlerat, e vënë theksin te mësimdhënia përmes të drejtave të njeriut, gjë që mund të shfrytëzohet si udhëzues pedagogjik. Këto ushtrime përqendrohen në mësimdhënien rreth  të drejtave të njeriut:

  • njohja e të drejtave të njeriut: nxënësit njohin me hollësi, p.sh., njërën ose disa nga të drejtat e njeriut dhe kuptojnë parimet themelore;
  • leximi për të drejtat e njeriut – ngadalë dhe me kujdes, në mënyrë që çdo fjalë të ketë kuptim;
  • lidhja e të drejtave të njeriut me jetën e përditshme; nxënësit shohin përvojën e tyre, nevojat dhe dëshirat e tyre nga pikëpamja e të drejtave të njeriut.

Kjo qasje është e përshtatshme për  nxënësit e çdo moshe.

Disa ushtrime janë shembuj të të mësuarit me bazë detyrën. Nxënësit bëjnë një afishe ose një arkë kursimi dhe krijojnë simbole që paraqitin disa drejta të njeriut. Ushtrime të tilla, që  nxitin aftësitë krijuese të nxënësve, përbëjnë një ndryshim nga qasja e zakonshme e mbështetur mbi tekstin.

Të gjitha ushtrimet kërkojnë reflektime të kujdesshme në klasë. Nxënësit duhet të kuptojnë se, të drejtat e njeriut mund të dhunohen, dhe për këtë arsye, ato duhet të mbrohen nga ligjet dhe institucionet e zbatimit të ligjit (policia, burgjet etj.).

Me nxënësit më të rritur është e mundur të ndërmerren disa hapa të mëtejshme. Të drejtat e njeriut janë të drejta themelore, që do të thotë se asnjë autoritet nuk ka nevojë t’i dhurojë këto të drejta ose të gëzojë një pozitë të tillë të na i marrë ato. Nxënësit duhet të vihen në dijeni të qenies së traktateve të të drejtave themelore të njeriut të tilla si: Konventa për të Drejtat e Njeriut. Lipset që ata të kuptojnë se të drejtat tona kanë kufij që janë vendosur nga të drejtat e të tjerëve. Ne kemi nevojë të gjejmë se si ta bëjmë këtë dhe, në e lyptë nevoja, ligjvënësit dhe gjyqtarët do të duhet të marrin vendime për këtë gjë. Siç e tregojnë raportet e Këshillit të Evropës ose të organizatave joqeveritare (OJF), vetë shteti mund të jetë kërcënim për të drejtat e njeriut. Në raste të tilla, qytetarët mund t’u drejtohen gjykatave të tyre kombëtare kushtetuese ose Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.