Mësimi 3: Si mund të filloj unë të jem përgjegjës?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 3: Si mund të filloj unë të jem përgjegjës?

Nxënësit ndërmarrin hapat e parë për ta bërë më ekologjike shkollën  e tyre

Objektivat e mësimit Nxënësit bëjnë planin e zbatimit konkret të hapave individual që ndërmarrin. Aspekte të tilla si menaxhimi realist i kohës, aftësia për të bërë kompromis në grup dhe fleksibiliteti i përgjithshëm duhet të jenë qëllimet e nxënësve.
Detyrat e nxënësve Nxënësit përdorin kohën e caktuar për zbatimin e aktiviteteve të planifikuara.
Burimet Veprimet individuale në varësi të planit të veprimeve.
Metodat Zbatim praktik.

Përshkrimi i mësimit

Grupet e nxënësve bëjnë prezantime të shkurtra të listave të tyre. Për herë të parë në këtë mësim, mësuesi duhet të drejtojë një bashkëbisedim në lidhje me llojet e përgjegjësisë ose pushtetit të vërtetë të nxënësve:

  • Çfarë mund të ndryshojmë ne?
  • Çfarë nuk  duhet të ndryshojë?
  • Çfarë lloj qëndrese do të ketë?

Pas këtij diskutimi plenar, duhet të merren disa vendime:

  • Çfarë hapash duam të ndërmarrim?
  • Sa kohë duhet të investojmë?
  • A duhet të formojnë një ” grup ekologjik” për këtë?
  • A duam të përqendrohemi në një fushë (p.sh. uji, energjia elektrike ose mbeturinat) apo duam të përpiqemi që të marrim masa të përgjithshme  në të gjitha fushat ekologjike?

Është e rëndësishme që të zgjidhen detyra të realizueshme nga nxënësit. Kjo kërkon mbledhjen e informacionit dhe një fushatë ndërgjegjësimi në të gjithë shkollën.

Nën udhëheqjen e një grupi nxënësish (“grup ekologjik” ) duhet të hartohet  një plan i shkurtër veprimi me detyra të përcaktuara që paraqiten në një tabelë, në një fletë të madhe letre ose në dërrasën e zezë.

Mësuesi drejton  procesin e vendimmarrjes , në varësi nivelit të klasës. Është e rëndësishme që nxënësit të mbeten realistë dhe  të mos planifikojnë ose projektojnë diçka që s’mund të arrihet me burimet  ekzistuese.. Mund të nevojiten shtesa financiare ose  konsulta me  organizata të tjera të jashtme. Këto vendime duhet të merren patjetër nga klasa.

Në varësi të vendimit, përmirësime të vogla duhet të jenë objekt i vendimmarrjes së përbashkët,  për shembull, mbyllja, në orë të caktuara, e dritave, ndarja e mbeturinave në oborrin e shkollës në organike dhe jo-organike etj.

Këto detyra duhet të plotësohen para mësimit të ardhshëm, individualisht ose në grupe të vogla. Përvoja tregon se dokumentimi i këtyre proceseve me fotografi, vizatime etj., mund të jetë motivues i fuqishëm për nxënësit e tjerë.