2.1 Demokracia merr jetë përmes qytetarëve të saj

Living Democracy » Textbooks » 2.1 Demokracia merr jetë përmes qytetarëve të saj

Një shembull:

Zgjedhjet parlamentare kanë fitues dhe humbës. Shumica formon qeverinë e re, kurse pakica formon opozitën. Qeveria  mëparshme mund të humbasë funksionet, kurse qeveria e re, me një pamje të ndryshme politike, e zëvendëson atë.

Rregullat janë të qarta, por kjo nuk është e mjaftueshme. Sistemi zgjedhor mund të funksionojë vetëm nëse mbështetet tek humbësit, te pakica, e cila pranon rezultatet. Nëse kjo nuk ndodh,   atëherë zgjedhjet mund të shkaktojnë konflite të dhunshme, që përçajnë shoqërinë në vend që të fuqizojnë kohezionin shoqëror ndërmjet anëtarëve të saj.

Një fushatë zgjedhore u jep partive mundësinë për t’ua komunikuar idetë e tyre qytetarëve. Çfarë ndodh nëse partitë  që marrin pjesë  nxisin programe raciste, fondamentaliste ose antidemokratike?

Që zgjedhjet të kryejnë rolin e tyre, si një ndër rrugët më të rëndësishme për pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje demokratike, nuk mjafton vetëm kuadri ligjor që rregullon sistemin e zgjedhjeve. Për këtë është i nevojshëm besimi në procesin politik dhe sigurimi i rrugëve që garantojnë kryerjen e duhur të tyre.

Shembujt tregojnë se demokracia varet njëlloj si nga rregullat ashtu edhe nga qëndrimet e qytetarëve ndaj saj. Qytetarët duhet të kuptojnë e të vlerësojnë sistemin dhe të ndihen përgjegjës për qëndrueshmërinë e tij. Partitë duhet të trajtojnë njëra-tjetrën si konkurrente dhe jo si armike. Vetëm në këtë mënyrë, demokracia do të dëshmojë fuqinë e saj si sistemi i vetëm në të cilin ndryshimet e qeverive janë të mundshme pa qenë e nevojshme të ndryshohet sistemi politik.

Demokracia ngrihet mbi një sistem institucionesh dhe procesesh që përfshijnë zgjedhje të përgjithshme, përfaqësim parlamentar dhe kontroll mbi pushtetet përmes sistemit tëllogaridhënies. Disa institucione përfshijnë pjesëmarrjen e drejtpërdrejt përmes referendumit ose një gjykate kushtetuese. Kjo është skena dhe qytetarët janë aktorët e saj. Kjo do të thotë që qytetarët duhet të kenë vullnetin dhe aftësinë të luajnë rolin e tyre, duke u identifikuar me sistemin politik të demokracisë.

Demokracia është një sistem institucionesh që i ka rrënjët në kulturën politike. Sistemi institucional mund të përcaktojë kuadrin e një kulture të tillë, por ai nuk mund ta krijojë ose të sigurojë qëndrueshmërinë e saj. Këto parime zbatohen  edhe në qeveritë autokratike, sepse edhe një autokrat varet nga një kulturë e përshtatshme politike, që bazohet më shumë në  subjekte politikisht pasive se në sisteme aktive dhe të përkushtuara.