Ushtrimi 4.5. – Të gjithë ne kemi paragjykime

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 4.5. – Të gjithë ne kemi paragjykime
Objektivat mësimore

Në këtë ushtrim, nxënësit vënë në dyshim stereotipat dhe paragjykimet për njerëzit e tjerë dhe ndaj pakicave. Ato zbulojnë perceptimet për pakicat e ndryshme.

Nxënësit ndërgjegjësohen për kufijtë e durimit të tyre dhe për sistemin e vlerave të tyre të debatueshme.

Nxënësit stërviten për të zhvilluar aftësitë e tyre të të dëgjuarit aktiv në kërkim të arritjes së marrëveshjes.

Burimet Çdo nxënës ka nga një kopje të fletës së veprimtarisë (skenar).

 

Procedura

  1. Çdo nxënës merr një kopje të skenarit dhe e lexon në heshtje.
  2. Çdo nxënës zgjedh tre shokë/shoqe me të cilët ai do të parapëlqente të udhëtonte dhe tre të tjerë që nuk do të pranonin të udhëtonin me të.
  3. Nxënësit formojnë grupe me nga katër veta.
    – Ata krahasojnë zgjedhjet vetjake dhe arsyet përkatëse për zgjedhjet e tyre.
    – Ata përpiqen të merren vesh për një listë me tri parapëlqime dhe tri mospëlqime.
    – Ata zgjedhin zëdhënësin e grupit të tyre.
  4. Çdo grup i paraqet klasës listën e shokëve të parapëlqyer dhe të përjashtuar, duke dhënë arsyet e zgjedhjeve të tyre.
  5. Mësuesi nxit një diskutim të lirë rreth përvojave, për shembull:
    – Cilët kanë qenë faktorët kryesorë përcaktues?
    – Përse grupi nuk është marrë vesh për listën e parapëlqimeve?
    – Cili nga stereotipat është përfshirë në listën e udhëtarëve?
    – Prej nga vijnë këto imazhe?
    – Si do të ndiheshit nëse askush nuk do të donte, për shembull, të ndante kabinën e trenit me ju?

Zgjerim

Lista mund të përshtatet në varësi të grup-moshës dhe të formimit shoqëror të nxënësve, por ajo duhet të përfshijë ata njerëz që përfaqësojnë pakicat që dallohen qartësisht, qysh me shikimin e parë dhe të tjerët që nuk janë si këta.

Pakicat dhe diskriminimi mund të studiohen edhe nëpërmjet historisë ose letërsisë.

Materialet

Skenari

Ju keni filluar një udhëtim të gjatë me tren që do të zgjatë për disa ditë me radhë. Në kabinë, do të flini bashkë me tre të tjerë.

Me cilin nga udhëtarët e mëposhtëm do të parapëlqenit të flinit në kabinë?

Me cilin nga udhëtarët nuk do të donit të flinit në kabinë?

  • një bankier zviceran, i dhjamosur
  • një paraqitës italian i programit diskografik, që merr drogë
  • një afrikan, që shet artikuj ekzotikë
  • një cigan, që sapo ka dalë nga burgu
  • një këngëtar gjerman rroku, që është i dhënë pas femrave
  • një student i huaj homoseksual
  • një grua e re rumune, që mban një fëmijë të vogël
  • një djalë i ri anglez kokërruar, i dehur
  • një prostitutë me HIV pozitiv
  • një refugjat, shumë i varfër
  • një ushtar i huaj, i armatosur
  • një grua e re që vetëm flet frëngjisht.