2 – Fletë pune 11: Vlerësimi i EQD/EDNJ në shkollë

Living Democracy » Textbooks » 2 – Fletë pune 11: Vlerësimi i EQD/EDNJ në shkollë

Demokracia nuk është një mekanizëm automatik. Në njërën anë, demokracia është një arritje në historinë e demokracive të vjetra dhe, në anën tjetër, eshtë  rezultat i një procesi të gjatë e të qëndrueshëm i cili varet nga situata specifike në një vend. Qëndrimet demokratike nuk janë të dhënë nga natyra, por duhet të fitohen nga çdo individ me anë të përvojave në kontekstet shoqërore, në familje dhe në shkollë. Demokracia nuk mund të mësohet vetëm në mësimet e EQD/EDNJ. Demokracia duhet të shpalosë veten në strukturat e ndryshme joformale dhe formale të një shkolle. Prandaj, shkolla ka një rol kyç për një shoqëri të qëndrueshme demokratike. Për më tepër, “një shkollë e strukturuar dhe që funksionon  në mënyrë demokratike jo vetëm promovon  EQD/EDNJ dhe përgatit nxënësit  e saj të zënë vendin e tyre në shoqëri si qytetarë të angazhuar demokratë: por ajo bëhet edhe një institucion më i lumtur, më krijues dhe më efektiv”.42

Shkollat mund të vlerësohen duke përdorur kritere të caktuara për identifikimin e cilësisë së mësimdhënies së EQD/EDNJ si edhe të shkallës së vlerave të jetuarit dhe ushtrimit të të drejtave të njeriut dhe demokracisë në shkollë. Kjo mund të bëhet duke përdorur praktikat e vetëvlerësimit.

Për vlerësimin e EQD/EDNJ në shkolla nevojiten tregues që pasqyrojnë fusha të ndryshme të shprehjes. Tri janë fushat kryesore:43

  1. kurrikula, mësimdhënia dhe të nxënit;
  2. klima në shkollë dhe etika;
  3. menaxhimi dhe zhvillimi.

Për më tepër, këta tregues e shpalosin EQD/EDNJ si një parim i politikës dhe të  organizimit të shkollës dhe si një proces pedagogjik.
Në këtë vëllim ne sugjerojmë instrumentet dhe mjetet për vetëvlerësimin e një shkolle, që përfshijnë të gjithë pjesëmarrësit e saj e jo vetëm vlerësues të jashtëm. Vetëvlerësimi, në këtë kontekst,  kërkon që vlerësimi të shihet si pikënisje e një procesi përmirësimi, jo si fundi i diçkaje që ka ndodhur.
Për një përshkrim më të hollësishëm të vlerësimit të një shkolle në drejtim të qeverisjes demokratike, ju lutem shihni fletët e punës nga 12 deri në 18.

42. Këshilli i Europës (2007), Qeverisja Demokratike e Shkollës, Strasbourg, fq. 6.
43. Këshilli i Europës (2007), Qeverisja Demokratike e Shkollës, Strasbourg.