Prospektet për nxënës 2.2: Meshkujt dhe femrat: tregimi

Living Democracy » Textbooks » Prospektet për nxënës 2.2: Meshkujt dhe femrat: tregimi

Tregimi 1

“Mua më ka ndodhur shumë herë. Pas darkës, nëna ime pret që fëmijët e saj t’i çojnë të gjitha pjatat dhe tavat në kuzhinë, ta pastrojnë tavolinën, t’i lajnë enët, të sigurojnë se çdo gjë është vënë nëpër rafte dhe se e tërë kuzhina është e rregulluar dhe e pastër. Edhe njëherë, dy vëllezërit e mi, edhe pse më të vjetër se unë, më thanë se kjo nuk ishte punë për ata, dhe se duhej ta bëja unë, mu për shkak se unë jam vajzë. Këtë herë unë nuk protestova, sepse isha shumë e zemëruar. Ju ankova babait tim, por ai më tha se ishte mirë që unë të bëja pak përvojë, dhe se ishte përgatitje e mirë për t’u bërë shtëpiake.”

Pyetjet

  1. A mund të përfytyroni që kjo të ndodhë në familjen tuaj?
  2. Përfytyroni sikur kjo vajzë të jeni ju: çka do të dëshironit t’ju thoni vëllezërve tuaj? Po babait tuaj?
  3. A pajtoheni ju me tekstin e nenit 1 të Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut? Si zbatohet kjo në tregimin e lartpërmendur?“Të gjitha qeniet njerëzore kanë lindur të lirë dhe të barabartë për sa i përket dinjitetit dhe te drejtave të tyre”.

Tregimi 2

“Gjashtë djem qëndronin rreth meje në oborrin e shkollës. Ata m’i kishin ngulur sytë dhe më ngacmonin. Ata thanë: ‘Hej djema, a jeni të sigurt se kjo është vajzë? A ta vërtetojmë këtë?’ Pastaj njëri prej tyre m’u afrua, duke tentuar të më prekë. Por mu në atë moment drejtori i shkollës hyri në oborr dhe djemtë u larguan.”

Pyetjet

  1. A mund të parafytyroni që kjo të ndodhë në apo rreth shkollës suaj? Jepni shembuj.
  2. Përfytyroni sikur kjo vajzë të jeni ju – çka do të dëshironit t’ju thoni këtyre djemve?
  3. Përfytyroni sikur një djalë tjetër nga distanca pa se çka po ndodhte. A do të duhej të ndërhynte ky djalë? Pse/pse jo? Si do të kishte mundur të ndërhynte ai?
  4. A mendoni se kjo që ndodhi është ”ngacmim seksual” sipas përkufizimit vijues?“Ngacmimi seksual është çdo sjellje e cila me fjalë, veprim ose efekt psikologjik të natyrës seksuale, qoftë për nga qëllimi apo ndikimi, dëmton dinjitetin e personit apo shkakton kërcënim, armiqësi ose sjellje të caktuar, situata frikësimi apo të ngjashme, dhe që motivohet nga fakti se i përket seksit tjetër apo orientimit tjetër seksual, dhe që për viktimën paraqet sjellje të papërshtatshme fizike, verbale, sugjestive apo tjetër.”

Tregimi 3

“Si inxhinier i ri, aplikova në vendin e punës menaxher i mirëmbajtjes teknike në një fabrikë me materiale ndërtimore. Mua më ftuan të marr pjesë në testet e përgjithshme, ato teknike dhe psikologjike, së bashku me 24 kandidatë të tjerë, të gjithë meshkuj përveç meje. Pas kësaj faze, pesë kandidatë ishin përzgjedhur për intervistë me menaxherin e përgjithshëm. Edhe pse sipas testeve isha radhitur e treta, unë nuk isha në mesin e tyre (Këtë informacion e kam marrë në mënyrë shumë

sekrete nga një mik i imi që punon në zyrën e administrimit të personelit). Duke mos e përmendur këtë informacion, unë tentova ta thirr menaxherin e përgjithshëm. Kur arrita të bisedoj me të, e pyeta nëse e kishin marrë parasysh faktin se jam femër. Ai e mohoi këtë, por tha se duhet pranuar se gratë shpesh mbesin shtatzënë pas disa vitesh, dhe se për vende të caktuara pune kjo shkakton probleme të vazhdimësisë së punës. Ai gjithashtu tha se, sidomos për këtë punë, do të ishte shumë vështirë për një grua, meqë të gjithë punëtorët në ekipin teknik ishin burra, dhe se ata sillen mjaft vrazhdë. Unë duhet të konsiderohem fatlume pse nuk jam përzgjedhur.”

Pyetjet

  1. A mund të përfytyroni që kjo të ndodhë në një kompani të rajonit tuaj?
  2. Përfytyroni sikur kjo grua jeni ju: çka do të dëshironit t’i thoni menaxherit të përgjithshëm?
  3. A mendoni se, në këtë rast, menaxheri i përgjithshëm vepron në kundërshtim me ligjin në vendin tuaj? Nëse po, si do ta dëshmonit këtë?“Të gjitha format e diskriminimit në bazë të gjinisë në procesin e punësimit, në shpalljen e vendeve të lira të punës, në procedurat e përzgjedhjes, punësimit dhe shkarkimit janë në kundërshtim me dispozitat ligjore.”