Prospektet për nxënës 3.2: Shpresa është për të gjithë

Living Democracy » Textbooks » Prospektet për nxënës 3.2: Shpresa është për të gjithë

Drejtoresha e Kolegjit të Shpresës ishte një grua bujare dhe zemërmirë. Ajo fuqishëm besonte në rëndësinë e edukimit. “Çdokush meriton një fillim të mbarë në jetë,” i thoshte ajo stafit. “Unë nuk dua që ju të trajtoni një person në mënyrë më të favorshme se tjetri në këtë shkollë. Kjo nuk do të ishte e drejtë.”

Pastaj një ditë, një grup i fëmijëve refugjatë shkuan në shkollë. Familjet e tyre kishin ikur nga një konflikt në një shtet fqinj. Drejtoresha i tha stafit,

“Këta të rinj fatkeq kanë humbur çdo gjë. Dëshirojuni atyre mirëseardhje në klasat e juaja. Ata duhet të vuajnë mundësisht sa më pak. Lufta nuk u bë me fajin e tyre.”

Stafi u pajtua. Fëmijët u vendosën nëpër klasa varësisht nga mosha e tyre. Shumica e fëmijëve refugjatë ishin vetëm në klasë, por në një klasë ishte një grup prej katër djemve refugjatë.

Nuk kaloi shumë kohë para se stafi filloi të kuptojë se kishte vështirësi në trajtimin e fëmijëve refugjatë në mënyrë të njëjtë me të tjerët në klasë. Ata shkuan te drejtoresha një nga një me problemet e tyre. “Fëmija refugjat në klasën time nuk e flet gjuhën tonë,” tha njëri mësimdhënës. “Unë nuk kam kohë të përkthej çdo gjë për të. Kjo më merr shumë kohë. Nxënësit tjerë po pësojnë.” “Nxënësi refugjat në klasën time nuk flet me askënd,” tha mësimdhënësi tjetër. “Ai mund të jetë i traumatizuar nga lufta. Ose ai vetëm ka vështirësi me mësimnxënien. Çka mund të bëj unë?” Mësimdhënësi i tretë tha, “Unë kam një fëmijë që është i lënduar. Ajo nuk mund të ecë. Ajo nuk mund të merr pjesë në asnjë aktivitet fizik dhe nuk mund të ngjitet shkallëve për në laboratorin e shkencave.”

Pastaj filluan të paraqiten edhe probleme të tjera. Në kohën e drekës, disa nga fëmijët refugjatë ishin bezdisur dhe ngacmuar. Ata i kishin përqeshur me emra ofendues dhe disa nga fëmijët tjerë u kishin thënë atyre të kthehen në vendin nga kishin ardhur.

Katër djemtë që ishin në klasën e njëjtë formuan një bandë për t’u mbrojtur. Një ditë, ndodhi një përleshje në mes të njërit prej tyre dhe një djali të vendit. Djali refugjat e lëndoi kundërshtarin e tij shumë keq. Personeli mësimor u ankua tek drejtoresha duke thënë se djali duhet të përjashtohej nga shkolla, por drejtoresha pyeste veten nëse kjo do të ishte e drejtë, duke ditur çka kishte përjetuar refugjati i ri. Personeli mësimor tha:

“Jemi përpjekur që kjo të funksionojë, por fëmijët tanë po pësojnë shumë. Ne nuk mund t’i mësojmë këta fëmijë dhe, në të njëjtën kohë, të bëjmë atë çka është më së mirë për nxënësit vendorë.”

Shumë shpejt pas kësaj, prindërit e fëmijëve refugjatë kërkuan që të takohen me drejtoreshën. Ata thanë:

“Ne nuk na pëlqen fakti se ju i mësoni djemtë dhe vajzat bashkë në klasat e sportit. Kjo është në kundërshtim me religjionin dhe me kulturën tonë.”

Drejtoresha përfundimisht filloi të humb durimin. Ajo e konsideronte këtë si një problem shumë të vështirë, por në shpirt e dinte se nuk duhej të humbte shpresën.