NJËSIA 2: Barazia – A je ti më i barabartë se unë?

Living Democracy » Textbooks » NJËSIA 2: Barazia – A je ti më i barabartë se unë?

ID_5599

Barazia si koncept pranon se çdokush, pa dallim moshe, seksi, gjinie, feje, prejardhje etnike etj., duhet të gëzojë të drejta të njëjta.

Preambula e Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut fillon me fjalët “njohja e dinjitetit të qenësishëm dhe të drejtave të barabarta e të patjetërsueshme të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë”. Koncepti i qytetarisë nuk mund të veçohet nga çështjet e barazisë. Ekzistimi i pabarazive brenda ose në mes të shoqërive pengon qytetarinë e vërtetë. Ndaj, ideja e barazisë është në qendër të edukimit për qytetari demokratike. Si e tillë, ideja e barazisë merret me çështje të barazisë dhe duhet tu jep mundësi individëve që të veprojnë kundër të gjitha formave të diskriminimit.6

Diversiteti nënkupton lëvizjen përtej idesë së tolerancës në një respektim të vërtetë të vlerësimit të ndryshimit. Ky është thelbësor për idenë e pluralizmit e multikulturalizmit, dhe si i tillë është gurthemel i EQD Prandaj, EQD-ja duhet të përfshijë mundësi për të kontrolluar perceptimet dhe për të sfiduar anësinë dhe stereotipizimin. Duhet gjithashtu të synojë që të sigurojë lartësimin  dhe pranimin e ndryshimeve brenda komuniteteve lokale, kombëtare, regjionale dhe ndërkombëtare.7

Në shumë mënyra, solidariteti mund të kuptohet si aftësi e individëve që të lëvizin përtej mundësive të tyre dhe të njohin e të jenë të gatshëm të veprojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tjerëve. Qëllim kryesor i EQD-së është po ashtu pajisja e individëve me njohuri, shkathtësi dhe vlera që atyre u nevojiten për të jetuar plotësisht në komunitetet e tyre ashtu siç duhet. Siç u tha edhe më herët, veprat e solidaritetit janë të lidhura ngushtë me idenë e veprimit. Megjithatë, solidariteti është drejtim i mendimit po aq sa është edhe model i sjelljeve.8

Paragjykimi është vlerësimi që e bëjmë për një person tjetër ose njerëz të tjerë pa i njohur ata në të vërtetë. Paragjykimet mund të jenë me karakter negativ dhe pozitiv. Ato mësohen si pjesë e procesit të shoqërorizimit dhe shumë vështirë mund të ndryshohen apo çrrënjosen. Prandaj, është e rëndësishme që të jemi të vetëdijshëm për ekzistimin e tyre.

Diskriminimi mund të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejt ose jo të drejtpërdrejt. Diskriminimi i drejtpërdrejtë karakterizohet nga synimi për të diskriminuar një person apo grup, siç është një zyrë punësimi që refuzon një kandidat rom, apo një firmë banesore që nuk u lëshon banesa me qira imigrantëve. Diskriminimi jo i drejtpërdrejtë përqendrohet në efektin e një politike apo mase. Kjo ndodh kur një masë, kriter apo praktikë, neutrale në dukje, vë një person ose një minoritet të caktuar në situatë në fakt të pafavorshme krahasuar me të tjerët. Mund të radhiten shembujt nga kushti për gjatësinë trupore minimale të zjarrfikësve (që mund të përjashtojë kandidatet femra më shumë se ata meshkuj), në dyqanet e mëdha që nuk punësojnë njerëz me funde të gjatë, ose zyrat qeveritare apo normat shkollore që ndalojnë hyrjen apo pjesëmarrjen e njerëzve që mbajnë shami koke. Këto rregulla, me sa duket neutrale për sa i përket prejardhjes etnike apo fesë, mund të dëmtojnë në mënyrë të pabarabartë pjesëtarët e grupeve të caktuara minoritare apo fetare që mbajnë funde të gjatë ose shami koke.9

Termi “gjini” i referohet roleve të ndërtuara në marrëdhëniet shoqërore të meshkujve e femrave që u ngarkohen atyre në bazë të seksit. Kështu, rolet gjinore varen nga një kontekst i veçantë shoqëroro- ekonomik, politik apo kulturor dhe ndikohen nga faktorë të tjerë përfshirë këtu racën, prejardhjen etnike, klasën, orientimin seksual dhe moshën. Rolet gjinore mësohen, dhe ndryshojnë shumë brenda dhe ndërmjet kulturave. Për dallim prej seksit biologjik të një personi, rolet gjinore mund të ndryshojnë.10

Të drejtat ekonomike dhe shoqërore kanë të bëjnë kryesisht me kushtet e nevojshme për zhvillimin e plotë të individit dhe sigurimin e një standardi adekuat jetësor. Të quajtura shpesh “gjenerata e dytë“ e të drejtave të njeriut, këto të drejta janë më të vështira për t’u zbatuar, pasi që konsiderohen të jenë të varura nga resurset që janë në dispozicion. Ato përfshijnë të drejtat siç është e drejta për të punuar, e drejta për tu edukuar, e drejta për kohë të lirë dhe e drejta për një standard adekuat jetese. Këto të drejta janë paraqitur ndërkombëtarisht në Konventën mbi të Drejtat Ekonomike dhe Sociale, e cila u adoptua nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara, më 1966.11

Njerëz të ndryshëm kanë opinione e qëndrime të ndryshme për atë se si shoqëria jonë duhet të merret me çështjet e drejtësisë shoqërore. Këto opinione dhe qëndrime mund të ndahen gjerësisht në tri kategori:

  • Darvinistët, që mendojnë se individët janë plotësisht përgjegjës për problemet e tyre dhe duhet të merren vetë me ta. Ata besojnë se njerëzve ju duhet nxitje për të provuar me këmbëngulje. Darvinistët tentojnë të qëndrojnë jashtë arenës së politikës shoqërore.
  • Dashamirësit, të cilët ndiejnë keqardhje për ata që vuajnë  dhe duan të bëjnë diçka për të lehtësuar dhimbjen e tyre. Ata i shohin të drejtat sociale dhe ekonomike si objektiva të dëshiruara politike, më tepër sesa të drejta të njeriut. Kjo, shpesh, rezulton me një qasje mbështetëse për njerëzit që jetojnë në kushte të vështira sociale.
  • Kërkuesit e drejtësisë, të cilët janë të shqetësuar për trajtimin jo të drejtë të njerëzve, kryesisht për shkak të vendimeve të qeverisë. Ata besojnë se duhet të ndërrojnë sistemin politik dhe ekonomik, në mënyrë që njerëzit të mos jenë të detyruar të jetojnë në varfëri.12

NJËSIA 2: Barazia

A je ti më i barabartë se unë?

 

Titulli i mësimit Objektivat e mësimnxënies Detyrat e nxënësve Burimet Metoda

Mësimi 1:

Dallimet dhe ngjashmëritë

Nxënësit mund të shpjegojnë barazitë dhe dallimet në mes të njerëzve.

Nxënësit vlerësojnë barazinë edhe dallimin.

Nxënësit gjejnë dallimet dhe ngjashmëritë në mes të njerëzve.

Nxënësit diskutojnë për disa nga pasojat e të qenit ndryshe.

Fletore ose fletë të letrës dhe  stilolapsa për punë individuale. Aktiviteti shtesë është sipas dëshirës, por grupeve do tu nevojiten fletë të mëdha të letrës dhe shënues (markera) nëse mësimdhënësi

i përdorë ato.

Punë individuale dhe në grupe të vogla.

Mësimi 2:

Tregimi i Xhevahires

Nxënësit vetëdijesohen për paragjykimet dhe diskriminimin në shoqëri. Nxënësit janë të aftë të kuptojnë pikëpamjet e viktimave të diskriminimit.

Nxënësit diskutojnë për një rast të diskriminimit dhe këtë e krahasojnë me situatën në shtetin

e tyre.

Sipas dëshirës, një kopje e prospekteve të nxënësve 2.1. Punë në grupe e bazuar në tekst.

Mësimi 3:

Barazia  në mes të meshkujve dhe femrave

Nxënësit janë të aftë te reagojnë ndaj situatave të diskriminimit. Nxënësit gjykojnë se si ata, dhe shoqëria në tërësi, i trajtojnë gratë. Kopje e një tregimi nga prospektet për nxënës 2.2 për çdo grup me katër apo pesë nxënës. Punë në grupe të vogla.

Mësimi 4:

Drejtësia shoqërore

Nxënësit vetëdijesohen për diskriminimin në baza gjinore në shoqëri.

Nxënësit diskutojnë çështje për ndarjen e drejtësisë.

Nxënësit mendojnë sërish për tërë njësinë.

Kopje të prospekteve për nxënës 2.3, me ndarje të veçanta për çdo çift të nxënësve (sipas dëshirës).

Punë në çifte, të menduarit kritik.

 

 

6.Nga “Fjalori i termave të edukimin për qytetarisë demokratike” (“A glossary of terms for education for democratic cit- izenship”), Karen O’Shea, Këshilli i Evropës, DGIV/EDU/CIT (2003) 29.
7. Po aty.
8. Po aty.
9. Po aty.
10. Po aty.
11.Nga “Fjalori i termave të edukimin për qytetarisë demokratike” (“A glossary of terms for education for democratic cit- izenship”), Karen O’Shea, Këshilli i Evropës, DGIV/EDU/CIT (2003) 29.
12. Marr nga “Duties sans Frontières. Human rights and global social justice”, Këshilli Ndërkombëtar i Politikave për të Drejta të Njeriut.