Mësimi 2: Në cilën moshë?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 2: Në cilën moshë?

Si duhet të zbatohet ligji ndaj të miturve?

 

Objektivi i mësimnxënies Të shqyrtojnë si duhet të zbatohet ligji ndaj të miturve.
Detyrat e nxënësve Të zgjidhin çështjen e moshës ligjore kur të miturit fitojnë të drejtën të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të të rriturve.
Të shqyrtojnë sa është adekuat ligji aktual për të miturit.
Burimet Tri fletë të mëdha të letrës të shënuara me “A”, “B” dhe “C” të vendosura në tri muret e ndryshme të klasës. Kopje të prospekteve për nxënës 8.1 – një për çdo të dytin nxënës. Markera (shënues) dhe një fletë e madhe e letrës për çdo grup me nga 4-6 nxënës.
Metoda Punë në çifte dhe në grupe të vogla dhe diskutim me tërë klasën.

Kuti informacioni

Ky mësim përfshin shumë aktivitete fizike. Nëse mendoni se kjo nuk është e duhur për nxënësit tuaj, ushtrimi kryesor mund të përshtatet, ashtu që nxënësit të qëndrojnë të ulur në bankat e tyre – për shembull, duke votuar me ngritje të dorës, ose me ngritje të skedave “A”, “B” ose “C”, në vend se të lëvizin nëpër pjesë të ndryshme të klasës.

Mësimi

Mësimdhënësi e fillon mësimin duke e pyetur klasën nëse ata mendojnë se është e drejtë të kemi ligj, me të cilin të miturit i detyrojmë të shkojnë në shkollë, kur një ligj i tillë nuk ekziston për të rriturit:

  • A mendoni se është e drejtë të kemi ligj me të cilin të miturit detyrohen të shkojnë në shkollë? Pse po ose pse jo?

Pastaj mësimdhënësi i ndan nxënësit në çifte dhe atyre u jep një pyetësor (prospektet për nxënës 8.1) për ta plotësuar. Pyetësori ka të bëjë me moshën ligjore kur të miturit fitojnë të drejtën që të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të të rriturve në vendin e tyre.

Mësimdhënësi kërkon që disa çifte të paraqiten vullnetarë për të lexuar njërën prej përgjigjeve. Pas çdo përgjigjeje, mësimdhënësi bën një pauzë dhe, nëse është e nevojshme, e korrigjon përgjigjen e nxënësit. Në vazhdim nxënësit e shkruajnë përgjigjen e saktë në pyetësorët e tyre.

Për çdo përgjigje, mësimdhënësi duhet të pyes çiftet:

  • Çka mendoni ju? A është kjo moshë:
    a) shumë e vogël?
    b) shumë e madhe?
    c) pothuajse tamam?

Mësimdhënësi u jep çifteve një minutë kohë që të mendojnë dhe të vendosin, dhe kërkon që ata të zhvendosen në një pjesë tjetër të klasës, varësisht nga përgjigjja e tyre. (Mësimdhënësi tanimë ka ngjitur shenjat e mëdha të shënuara “A”, “B” dhe “C” për t’u treguar nxënësve ku të qëndrojnë.)

Mësimdhënësi pastaj kërkon nga çiftet e zgjedhura kuturu t’i shpjegojnë klasës mendimin dhe të arsyetojnë opinionin e tyre. Mësimdhënësi gjithashtu u jep mundësi edhe nxënësve të tjerë që çifteve t’u shtrojnë pyetje për vendimin e marrë.

Për ta përmbyllur këtë pjesë të mësimit, mësimdhënësi pyet:

  • A mendoni se është e drejtë që ligji i trajton të miturit ndryshe nga të rriturit?

Pse po ose pse jo? Në vijim mësimdhënësi e ndan klasën në grupe me nga 4-6 nxënës, dhe çdo grupi i jep marker (shënues) dhe një fletë të madhe të letrës. Mësimdhënësi kërkon nga grupet që të mendojnë për ndonjë ndryshim të ligjit në vendin e tyre nga i cili do të përfitonin të miturit. Ata mund të propozojnë një ligj tërësisht të ri – për shembull, që çdo shkollë të ketë parlament të nxënësve apo të sigurohet një pagë minimale për të miturit që janë duke punuar, ose ata mund të propozojnë ndryshim në ligjin ekzistues – për shembull, në ligjin mbi moshën për votim ose moshën për marrjen e patentë shoferit. Çdo grup duhet të përgatisë prezentim për klasën mbi temën e tyre të zgjedhur, duke paraqitur argumentet e tyre dhe duke treguar saktësisht si mendojnë ata se nga ligji i ri do të përfitojnë të miturit. Pas prezentimeve, klasa mund të votojë se sugjerimi i kujt grupi ishte më i miri.

Si ushtrim i fundit ose për detyrë shtëpie, nxënësit duhet të marrin parasysh hapat të cilët ata, si të mitur, ose si grup shkollor, mund t’i ndërmarrin për të bindur qeverinë që të pranojë ndryshimin(et) në ligj, të cilat ata i propozojnë.