Mësimi 3: Stereotipat dhe paragjykimet

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 3: Stereotipat dhe paragjykimet

Idetë tona për njerëz tjerë, grupe ose shtete

Objektivi i mësimnxënies Nxënësit kuptojnë se si janë të lidhur stereotipat dhe paragjykimet dhe si ato mund të na shpijnë në pikëpamje të thjeshtësuara por edhe të padrejta për individët, grupet e njerëzve dhe shtete të tëra.
Detyrat e nxënësve Nxënësit mendojnë për pikëpamjet e tyre për të tjerët dhe ato i diskutojnë në grupe.
Burimet Fletë të bardha të letrës dhe shënues (markera).
Metoda Punë në grupe, diskutime plenare.

 

Termat kyç

Stereotipat: Këto janë opinione që grupet i kanë për veten ose për grupet tjera.

Paragjykimet: Këto janë opinione të mbushur me emocione për grupe sociale (shpesh për pakicat) ose njerëz të caktuar (shpesh nga grupet e pakicave).

Mësimi

Objektivi i këtij mësimi është që të aftësojë nxënësit të transferojnë të kuptuarit e  tyre  se  si vëzhgohen të tjerët nga një nivel individual, në atë më të përgjithësuar, d.m.th. si vlerësohen grupet më të mëdha, komunitetet fetare, grupet etnike ose shtetet.

Mësimdhënësi përgatit një ligjëratë të shkurtër, të strukturuar qartë, për dallimin në mes të stereotipave dhe paragjykimeve të cilën e jep në fillim të mësimit.

Duke përmbledhur proceset e mësimnxënies dhe rezultatet e vështrimet e fituara nga dy mësimet e kaluara, mësimdhënësi ndihmon nxënësit të kuptojnë dallimin në mes të stereotipave dhe paragjykimeve. Mësimdhënësi i paraqet të dy konceptet duke iu referuar pikëpamjeve të ndryshme për djaloshin që u analizua në dy mësimet e mëparshme. Ai/ajo përpiqet që këto pikëpamje t’i paraqet si stereotipa dhe paragjykime (shih informacionet e prapaskenës për mësimdhënës në fund të këtij kapitulli, ku është përfshirë një model për këtë ligjëratë të shkurtër kryesore). Në veprimin tjetër, nxënësit formojnë grupe të vogla. Ata punojnë në përshkrimin e grupeve sociale, për shembull:

  • djemtë dhe vajzat;
  • njerëzit e profesionit;
  • grupet etnike;
  • shtetet;
  • kontinentet.

Është me rëndësi që nxënësit të mos i pyesim që të japin pikëpamjet e tyre personale për të tjerët. Përkundrazi, ata duhet të përfytyrojnë se çka mund të thonë ose mendojnë shoqëria, fqinjët ose mediet për grupet që u janë caktuar atyre në këtë detyrë.

Nxënësit përpiqen të bëjnë dallimin në mes të stereotipave  dhe paragjykimeve, duke zbatuar atë që e kanë dëgjuar nga mësimdhënësi në fillim të mësimit.

Mësimdhënësi mund tu jep disa udhëzime në dërrasën e zezë dhe nxënësit i përgatisin prezentimet e tyre për rezultatet e veta në formë të një liste. Përvoja ka treguar se një listë e përgatitur paraprakisht (shih shembullin më poshtë) do të ndihmojë nxënësit për të shënuar ide që më vonë t’i përdorin në diskutime.

Pas ligjëratës fillestare të mësimdhënësit për stereotipat dhe paragjykimet, nxënësit punojnë në grupe me tre apo katër vetë për rreth 15 minuta, që të reflektojnë për detyrën e sipërme. Mësimdhënësi me kujdes duhet të vlerësojë se cilin nga shembujt e sipërm të ofrojë. Varësisht nga situata politike në shtetin përkatës, mund të jetë e mundshme të zgjidhen shembuj të afërt me përvojën personale të nxënësit. Në anën tjetër, mësimdhënësi duhet të përmendi grupet etnike që jetojnë në atë shtet apo komunitet vetëm nëse, me një zgjedhje të tillë, nuk lëndohet askush, dhe vetëm nëse asnjë diskutim apo mosmarrëveshje që mund të dalë jashtë kontrollës të mos ketë gjasa të nxisë konflikt.

Diskutimet e grupeve dhe rezultatet duhet të paraqiten në sesion plenar. Çdo grup zgjedh një përfaqësues, i cili paraqet rezultatet e grupit duke ndjekur strukturën e kritereve vijuese:

  • shteti jonë, grupi jonë, prejardhja jonë etnike, profesioni jonë;stereotipat e shprehura nga grupi;
  • paragjykimet e shprehura nga grupi;
  • supozimet tona pse grupet kanë pikëpamje të tilla;
  • opinionet tona, duke përfshirë edhe ndryshimet e mundshme të opinioneve.

Mësimdhënësi i ndihmon nxënësit duke regjistruar rezultatet e çdo grupi (në formë të shënimeve) në tabelën shfletuese (flip chart).

Shembull se si duhet shënuar rezultatet për të ndihmuar nxënësit:

Grupi Shteti /njerëzit e profesionit/grupi Stereotipat Paragjykimet Komentet
1
2
3
4
5

Në  fund,  mësimdhënësi  e  bën  përmbledhjen  e  mësimit,  duke  iu  referuar  edhe  procedurës  edhe rezultateve, dhe njofton klasën për hapat e ardhshëm.