Prospektet për nxënës 3.1: Shkolla në skaj të pyllit

Living Democracy » Textbooks » Prospektet për nxënës 3.1: Shkolla në skaj të pyllit

Na ishte njëherë një komunitet i njerëzve të cilët jetonin në pyje të dendura buzë një vargmali. Ata ishin njerëz religjioz të cilët fëmijët e tyre i edukonin në mënyrë të rreptë për të admiruar perënditë e popullit të vet. Sipas religjionit të tyre besohej se nuk ka dallime në mes të burrave dhe grave.

Ndërmjet maleve dhe skajit më të largët të vendit ndodhej një hapësirë e madhe fushore. Në atë hapësirë fushore jetonte një komunitet tjetër i njerëzve. Ata nuk kishin asnjë fe, por punonin shumë për njëri tjetrin. Ata ishin luftëtar të fortë dhe meshkujt ishin gjinia dominuese. Femrat respektoheshin por nuk mund të arrinin të bëheshin udhëheqëse.

Njerëzit e pyllit nuk kishin asgjë të bënin me njerëzit e fushave. Ata e urrenin dhe frikoheshin nga njëri tjetri. Ndonjëherë kishte pasur edhe luftëra në mes tyre.

Një ditë, një i ri arriti në skaj të pyllit. Ai lajmëroi se dëshironte të ndërtojë një shkollë atje, ashtu që fëmijët e të dy komuniteteve të mund të arsimohen së bashku, që në mes të këtyre dy popujve përfundimisht të mbizotërojë paqja.

Nuk kaloi shumë kohë, një objekt i thjeshtë nga druri ishte i gatshëm, dhe erdhi dita kur mësimdhënësi e hapi shkollën e tij për herë të parë. Pak fëmijë nga të dy komunitetet erdhën që të shohin se si do të jetë kjo shkollë. Prindërit dhe udhëheqësit e të dy komuniteteve e vëzhgonin me shqetësim.

Në fillim kishte probleme në mes të fëmijëve. Ata fyenin njëri tjetrin dhe shpesh kishte përleshje mes tyre. Por fëmijët e kuptonin vlerën e ardhjes në shkollë dhe gjërat gradualisht filluan të qetësohen. Mësimdhënësi ishte i rreptë por i drejtë dhe të gjithë nxënësit e tij i trajtonte në mënyrë të barabartë. Ai tha se i respektonte të dyja mënyrat e jetesës dhe se fëmijët i mësonin për mënyrat e tyre të ndryshme të jetesës.

Gjithnjë e më shumë fëmijë filluan të jenë të pranishëm në shkollën në skaj të pyllit.

Mirëpo, pas një kohe u bë e qartë se, në këtë shkollë të pranishëm ishin më shumë fëmijë nga viset fushore. Fëmijët e pyllit tani përbënin vetëm çerekun e nxënësve të shkollës. Mësimdhënësi bisedoi me prindërit e të dy anëve për t’i inkurajuar dhe siguruar ata.

Por një mëngjes, mësimdhënësi erdhi për të parë se dikush e kishte djegur shkollën rrafsh me tokën.

(Bazuar në një tregim të Ted Huddleston nga Fondacioni i Qytetarisë)