Mësimi 4: Çështja jonë e parë!

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 4: Çështja jonë e parë!

Cilët janë hapat e ardhshëm?

Objektivi i mësimnxënies Nxënësit janë në gjendje të drejtojnë një diskutim të hapur dhe ata bëhen të vetëdijshëm për implikimet dhe pasojat e vazhdimit të projektit të gazetës. Ata
janë në gjendje të marrin një vendim dhe të marrin përgjegjësi për të.
Detyrat e nxënësve Nxënësit duhet të krijojnë opinionet dhe të vendosin për përfshirjen e tyre në të ardhmen në një projekt pasues.
Burimet Dërrasa e zezë apo tabela shfletuese (flip chart).
Metoda Diskutim plenar.

Të  mësuarit  konceptual

Diskutimi (një shkëmbim i argumenteve, që rrjedh nga latinishtja, discussio) është një formë specifike e komunikimit verbal në mes të dy apo më tepër personave, në të cilin trajtohet një apo më shumë çështje, ku secila palë paraqet argumentet e veta. Diskutimi duhet të mbahet në frymën e respektit të ndërsjellë. Një mënyrë e mirë e diskutimit kërkon që folësit të lejojnë, madje dhe të inkurajojnë, shprehjen e synimeve dhe të opinioneve të të tjerëve, duke i shqyrtuar ato me kujdes dhe jo duke i refuzuar menjëherë. Kualitetet personale siç janë qetësia, vetëpërmbajtja dhe mirësjellja do të jenë dobiprurëse për të dyja anët. Mënyra më e mirë e diskutimit shpie në zgjidhjen e një problemi apo në kompromis, të cilin çdokush që është i përfshirë në atë diskutim mund ta pranojë.

Në shoqëritë moderne, diskutimet janë mënyrë e civilizuar, d.m.th., mënyrë e padhunshme  e trajtimit të polemikave dhe konflikteve e qëllimeve të interesit. Konfliktet nuk frenohen, por zgjidhen. Duke i ushtruar shkathtësitë e tyre për diskutim, nxënësit mësojnë mjetin themelor për të punuar në drejtimin të arritjes së paqes dhe ruajtjes së saj në shoqëri.

Mësimi

Pasi që ekipet e redaktorëve t’i kenë ngjitur artikujt e tyre në mur dhe të kenë raportuar shkurtimisht për përvojën e tyre të punës, në vazhdim përqendrohen në çështjen nëse do të vazhdojnë me projektin e gazetës së murit. Tani që të gjithë nxënësit pak a shumë e dinë kohën që do t’ju nevojitej për këtë aktivitet dhe problemet organizative të cilat duhet zgjidhur, ata mund të zhvillojnë diskutime reale për çështjen e vazhdimit të gazetës.

Mësimdhënësi mund të ndihmojë në dhënien e sqarimeve dhe përcaktimin e strukturës së diskutimit të nxënësve, duke i ofruar ato më posht në tabelën shfletuese ose në dërrasën e zezë.

Organizimi Aspektet personale Bashkëpunimi Menaxhimi i kohës
Nëse ne vazhdojmë:

  • Çka duhet të marrin parasysh?
  • A do të jetë koha problem?
  • Çfarë mjetesh teknike kemi?
  • Si mund ta parandalojmë që gazeta jonë të mos vandalizohet?
  • Çfarë mjetesh financiare do të na nevojiten? Si mund të mblidhen fondet?
Kush është i interesuar?

  • Kryeredaktori?
  • Komiteti i redaktorëve?
  • Cili është roli dhe pozicioni i mësimdhënësit?
  • Emrat:
  • Si mund të tërheqim interesimin e nxënësve të tjerë?
  • Cilët mësimdhënës të tjerë do të dëshironim ne t’i bashkëngjiten projektit tonë?
  • A mund të caktojmë vizita në zyrat lokale redaksionale  (mediat e shkruara, transmetimin ose mediat elektronike)?
  • A mund të intervistojmë një gazetar si ekspert?

 

Posa mësimdhënësit të fillojnë një projekt siç është ky, ata do të kuptojnë se nuk mund të planifikohet çdo gjë. Për këtë nevojitet një proces i reflektimit të vazhdueshëm nga të gjithë pjesëmarrësit. Është një proces energjik, magjepsës, por edhe i vështirë dhe ndonjëherë madje edhe frustues.

Mësimdhënësit të cilët kanë përvojë në punë me projekte me klasë, do t’i dinë rrjedhat e hapave të cilat nevojiten, dhe ata gjithashtu e dinë se një udhëheqësi e fuqishme është e domosdoshme. Mirëpo, po të mos kemi kujdes, një udhëheqësi e fuqishme e tepruar mund, natyrisht, edhe të thyej motivimin dhe iniciativën e nxënësve. Pjesëmarrja në projekte të tilla është në dobi të nxënësve, sepse ata fitojnë një përvojë të rëndësishme në edukimin qytetar dhe në atë të të drejtave të njeriut.

Mësimdhënësit duhet të ushtrojnë shkathtësitë e tyre të udhëheqësisë për të siguruar që, deri në fund të këtij mësimi, të merren vendime të qarta dhe të caktohet një kornizë adekuate kohore për hapat e ardhshëm.