Ushtrimi 5.5. – Perspektivat për drejtësi

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 5.5. – Perspektivat për drejtësi
Objektivat mësimore

Nxënësit kuptojnë se mund të ketë perspektiva të ndryshme në çështjet e drejtësisë.

Nxënësit marrin një kuptim të qartë të drejtpeshimit mes të drejtave dhe detyrimeve.

Burimet Grupe me fletë pune që përmbajnë perspektivën A ose B.

Procedura

  1. Zgjidhet një nga të drejtat që do të shqyrtohet.
  2. Klasa ndahet në grupe me nga katër apo gjashtë veta.Gjysma e secilit grup merr fletën A, gjysma tjetër fletën B.

    Çdo nëngrup përgatit sa më shumë argumente të mundë, në mbrojtje të deklaratës së paraqitur në fletën e tyre.

  3. Grupet bashkohen. Anëtarët e nëngrupit A i paraqitin pikëpamjen e tyre anëtarëve të nëngrupit B, të cilët duhet të dëgjojnë me vëmendje dhe të marrin shënime.Pastaj radhën e ka nëngrupi B.

    Paraqitja e argumenteve mund të pasohet nga një kohë e caktuar, gjatë së cilës anëtarët e nëngrupeve të ndryshme i drejtojnë pyetje njëri-tjetrit.

  4. Nëngrupet A dhe B këmbejnë rolet. Ata nuk duhet informuar paraprakisht për këtë pjesë të ushtrimit.Atyre u jepen disa minuta për të rishqyrtuar argumentet e tyre.
  5. Grupet përpiqen të miratojnë një qëndrim të përbashkët me shkrim për problemin që po diskutohet.
  6. Pyetje për t’u marrë parasysh:
  • Me çfarë vështirësish jeni përballur tek përpiqeshit të arrinit një qëndrim të përbashkët?
  • Këmbimi i roleve jua bëri më të lehtë apo më të vështirë arritjen e një qëndrimi të përbashkët?

Zgjerim

Mësuesi (ose nxënësit) kujtojnë raste ku liria e shprehjes (ose puna që kryejnë fëmijët)  është  një çështje kundërshtuese

  • Si mund të baraspeshohen të drejtat dhe detyrat?
  • A ka detyra – ose të drejta – që vënë kufizime mbi disa të drejta të tjera?

Për studimin e rasteve në fjalë duhet të përdoret informacioni i dhënë në media. Hulumtimi mund të zgjerohet për të përfshirë të drejtat e tjera të njeriut, p.sh. lirinë e lëvizjes ose të drejtën e pronës.

Materialet

Këndvështrimi  A: Liria e shprehjes

Në një shoqëri të paanshme, liria e shprehjes është një e drejtë themelore e njeriut që nuk duhet kufizuar. Shqyrtoni pikat e mëposhtme:

  • pasojat negative të censurës;
  • nënkuptimet politike të kufizimit dhe disidencës së saj;
  • rrethanat në të cilat vendet e tjera e kufizojnë atë;
  • rëndësia që liria e shprehjes ka për demokracinë;
  • çdo problem tjetër që ka lidhje me të

Këndvështrimi  A: Puna e fëmijëve

Ligjet kundër punës së fëmijëve duhet të zbatohen me rreptësi në mënyrë që të mbrohet e drejta që kanë fëmijët për të luajtur, mësuar dhe për t’u bërë rritur të shëndetshëm. Shqyrtoni pikat e mëposhtme:

  • mungesa e arsimit që vjen kur fëmijët janë të detyruar të punojnë;
  • fakti që fëmijët shpesh punojnë në kushte jo të shëndetshme;
  • shpesh puna e fëmijëve shfrytëzohet ngaqë ata nuk organizohen në protesta kundër trajtimit të padrejtë;
  • çdo problem tjetër i rëndësishëm.

Këndvështrimi  B: Liria e shprehjes

Nganjëherë, në një shoqëri të drejtë, lind nevoja për të kufizuar lirinë e shprehjes në mënyrë që të mbrohen të drejtat e njerëzve. Shqyrtoni pikat e mëposhtme:

  • pasojat e vërejtjeve raciste për pakicat;
  • mënyra e të folurit që mund të përdoret  për të nxitur dhunën;
  • mungesa e kufizimit, në disa vende, të lirisë së shprehjes çon në shkeljen të drejtave;
  • nevoja për të nxitur jo vetëm detyrat, por dhe të drejtat;
  • çdo problem tjetër i rëndësishëm.

Këndvështrimi  B: Puna e fëmijëve

Fëmijët, për të ndihmuar familjet që të mbijetojnë në rrethana të vështira ekonomike, dhe për t’i ndihmuar ata që të luajnë një rol më aktiv në shoqëri, duhet të jenë në gjendje të punojnë e ndihmojnë familjet e tyre. Shqyrtoni pikat e mëposhtme:

  • fakti që punësimi, në disa shoqëri, është i rrallë, fëmijët mund të jenë burimi i vetëm i të ardhurave për familjen;
  • fakti që, në shumë shoqëri, fëmijët tradicionalisht kanë punuar më shumë se të rriturit;
  • mendimi që pengimi i fëmijëve për të mos u marrë me punë prodhuese shpie në veçim të pavlefshëm nga bota e të rriturve;
  • fakti që puna mund të jetë një përvojë që i formon fëmijët;
  • çdo problem tjetër që ka lidhje me të.