Ushtrimi 3.1. – Afishja e të drejtave të njeriut

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 3.1. – Afishja e të drejtave të njeriut
Objektivat mësimore Nxënësit kuptojnë aspektet e mëposhtme të të drejtave të njeriut: struktura e tyre themelore (kush i gëzon të drejta e njeriut – përmbajtjen e secilës prej tyre – mjetet e vënies së tyre në jetë); problemi i shkeljes të të drejtave të njeriut; mjetet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Nxënësit  ushtrojnë aftësitë e tyre të leximit.
Nxënësit zhvillojnë aftësitë e tyre krijuese.
Burimet Tabakë të mëdhenj letre, letra me madhësinë A4, me ngjyra të ndryshme, markera, gërshërë, ngjitës, gazeta dhe revista të vjetra, piktura dhe fotografi; tekstin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ose të Deklaratës Universale e të Drejtave të Njeriut.

Procedura

  1. Nxënësit formojnë grupe me nga katër veta.
  2. Mësuesi cakton një nen që paraqet një prej të drejtave të njeriut. Nxënësit më të rritur mund të vendosin vetë se me cilin nen dëshirojnë të merren dhe të shpjegojnë zgjedhjen e tyre (shih hapin 4).
  3. Secili grup përgatit një afishe për një të drejtë njerëzore. Afishja përbëhet nga pjesët e mëposhtme:
    a. emërtimi i caktuar për një nga të drejtat e njeriut;
    b. teksti i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut ose i Deklaratës Universale të të Drejtave të njeriut;
    c. një fotografi që simbolizon një nga të drejtat e njeriut (p.sh., një makinë mund të paraqitë lirinë e lëvizjes ose dera kryesore e shtëpisë, e mbyllur,  mund të shprehë jetën private);
    d. analiza e strukturës të të drejtave të njeriut (për klasat e larta), në lidhje më:
    – personat që e gëzojnë këtë të drejtë;
    – përmbajtjen (atë që mbron ose plotëson kjo e drejtë);
    – mjetet e plotësimit ose të zbatimit;3
    e. një simbol (p.sh., një rrotë për lirinë e lëvizjes ose buzët për lirinë e shprehjes).
  4. Grupet paraqesin dhe shtjellojnë afishet e tyre në klasë.

Zgjerim

Afishja mund të përmbajë edhe shembuj të shkeljeve të të drejtave të njeriut në fjalë dhe si mund  ose duhet të zbatohet.

Variacion

Siç tregohet më sipër, përmbajtja e afishes mund të ndryshohet në përputhje me grupmoshën dhe njohuritë e nxënësve për të drejtat e njeriut. Ushtrimi mund të shërbejë si hyrje ose si zbatim.

Për klasat e përparuara, ushtrimi mund të përfshijë aspekte të tilla si: tipi i së drejtës së njeriut (dhënia e lirisë individuale, mbrojtja e barazisë, zbatimi i të drejtave shoqërore). Këto mund të kenë lidhje me «brezat» e të drejtave të njeriut.

Ky ushtrim, në vetvete,  mund të çojë në një qasje të veçuar akademike, që përqendrohet vetëm në një të drejtë njerëzore. Për këtë arsye, këshillohet që ky ushtrim të ndërthuret bashkë me të tjerët,  që bëjnë fjalë për procesin e të drejtave të njeriut, për shembull, me përvojën vetjake e nxënësve, me çështjen e shkeljes dhe zbatimit të të drejtave të njeriut dhe me shtjellimin e  natyrës universale të të drejtave të njeriut.

3. Shiko Yves Lador, Teaching Guide to Europian Convention on Human Rights, Gjenevë/Strasburg, 1997, f. 53f (Si krijohet një e drejtë njerëzore?)..