2.2 Dimensioni kulturor i të drejtave të njeriut

Living Democracy » Textbooks » 2.2 Dimensioni kulturor i të drejtave të njeriut

Të drejtat e njeriut të natyrës civile dhe politike shpallin natyrën e proceseve demokratike në praktikë, duke përfshirë këtu lirinë e mendimit dhe të shprehjes, lirinë e medias (domethënë, ndalimin e censurës), të drejtën e votës dhe parimin e barazisë dhe të mosdiskriminimit që zbatohet në  interes të çdo qënieje njerëzore. Kur vendet ratifikojnë një traktat të të drejtave të njeriut, ata premtojnë,me vullnetin e tyre të lirë, të harmonizojnë legjislacionin dhe praktikat  e tyre të brendshme me standardet ndërkombëtare. Çfarë ndodh nëse një shtet dështon në përpjekjet tij për t’i mbajtur premtimet për të drejtat e njeriut? Për këtë ekzistojnë mekanizmat e ndryshëm për  mbrojtjen e të drejtave   të vendosura nga Kombet e Bashkuara ose nga institucionet rajonale,  qëhartojnë ligjet rajonale të të drejtave të njeriut që mund të firmosen nga qeveritë. Për shembull, në  Europë ekziston Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila përqëndrohet në të drejtat civile e politike. Qeveritë mund të nënshkruajnë edhe Kartën Sociale Europiane, e cila përfshin të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore. Nëse një qeveri e ka ratifikuar Konventën, por nuk e zbaton atë, atëherë qytetarët  e shteteve anëtarë të Këshillit të Europës (në të vërtetë çdo person brenda juridiksionit të një shteti)mund të paraqesin një ankesë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Strasbourg.

Në pjesën më të madhe të rasteve, gëzimi i të drejtave të njeriut realizohet nëkuadrin e qeverive të organizuara si demokraci kushtetuese, përmes mekanizmave të zakonshëm të proceseve demokratike. Këta mekanizma përfshijnë zhvillimin e ligjeve, të kulturës së pjesëmarrjes dhe të përkushtimit qytetar.

 Demokracia dhe të drejtat e njeriut varen nga kuadri institucional i përbërë nga dy pjesë: nga një numër rregullash dhe parimesh të vendosura në sistemin ligjor dhe kushtetues dhe nga kultura politike. Demokracia dhe të drejtat e njeriut mishërohen në një numër parimesh, vlerash dhe përgjegjësish. Demokracia dhe të drejtat e njeriut lejojnë qëndrimet e kundërta për çështje të caktuara, por ato mund  ta bëjnë këtë gjë vetëm në kuadrin e një mirëkuptimi dhe pranimi të fortë që lejon, mbron, por edhe kufizon liritë.  Ju mund të mos jeni dakord në të gjitha pikat, por një qëndrim i tillë funksionon vetëm nëse të gjithë identifikohen me sistemin që lejon mosmarrëveshjet dhe kundërshtimet.