Prospektet për nxënës 9.1: Mbretëria Sikkal

Living Democracy » Textbooks » Prospektet për nxënës 9.1: Mbretëria Sikkal

Sikkal është një shtet që ndodhet lart në male. Me shekuj të tërë ka pasur pak kontakte me pjesën tjetër të botës.

Edhe pse Sikkal është vetëm një mbretëri e vockël, kohët e fundit ka tërhequr interesimin e shumë njerëzve. Kjo është kryesisht për shkak të mënyrës së pazakonshme në të cilën është e organizuar shoqëria atje.

Pikësëpari, askush në Sikkal nuk është i uritur. Populli Sikkalese e prodhon gjithë ushqimin e vet, dhe ky ushqim u ndahet të gjithë atyre që kanë nevojë për të. Çdo familjeje i është siguruar shtëpi pa pasur nevojë të paguaj qira. Madhësia e shtëpisë varet nga numri i anëtarëve në familje. Lënda djegëse për nxehje dhe përgatitje të ushqimit sigurohet falas, si dhe shërbimi për meremetimet e rregullta. Nëse ndokush ndonjëherë sëmuret, mjeku gjithmonë është afër. Çdo gjashtë muaj çdokujt i ofrohet një kontrollim mjekësor falas dhe personeli për përkujdesje bën vizita të rregullta tek njerëzit e moshuar, familjet me fëmijë të vegjël dhe te çdokush tjetër i cili ka nevojë për përkujdesje shtesë.

Në Sikkal gjërat e mira në jetë u janë vënë në dispozicion të gjithëve. Çdo familjeje i jepet një bllok me kuponë të cilët ata i këmbejnë çdo vit për sende të ndryshme luksoze, siç janë parfumet, mobiliet ose erëzat. Kuponët mund të këmbehen menjëherë ose të ruhen për një periudhë kohore për diçka të veçantë.

Si kanë mundur populli Sikkal t’i organizojnë të gjitha këto gjëra? Me aq sa mund t’i kujtohet ndokujt, Sikkal është udhëhequr nga një familje mbretërore. Udhëheqësi aktual është Mbreti Sik III. Ai vendos për numrin e punëtorëve që janë të nevojshëm për secilën punë, siç është kultivimi i ushqimit, ndërtimi i shtëpive ose për kujdesin shëndetësor. Njerëzit të cilët i kryejnë këto punë zgjidhen në moshën pesëvjeçare dhe dërgohen në shkolla speciale për aftësim. Bujqit dërgohen në shkolla bujqësore, ndërtuesit e shtëpive në shkolla teknike, punëtorët shëndetësorë në shkolla mjekësore, e kështu me radhë. Çdokush tjetër i moshës së aftë për punë punësohet nga Mbreti Sik në njërin nga pallatet e tij mbretërore.

Gjëja më mahnitëse për Sikkal është se atje nuk ekziston paraja. Askush nuk ka nevojë për pagë sepse çdokush i ka të gjitha gjërat që i nevojiten!

Ju mund ta pyesni veten nëse ndokush në Sikkal ankohet ndonjëherë për këto rregullime. Në të vërtetë, kjo ndodh shumë rrallë. Ata pak njerëz të cilët ankohen kontrollohen në spitale të siguruara mentale. Në fund të fundit, duhet të jeni i çmendur të ankoheni për jetën në një shoqëri sikurse kjo, apo jo?