7.4 Të mësuarit në bazë të detyrës është të mësuar në bazë problemi

Living Democracy » Textbooks » 7.4 Të mësuarit në bazë të detyrës është të mësuar në bazë problemi

Përvoja ka treguar se nxënësit vlerësojnë shumë lirinë që ata gëzojnë në mjedise të tilla dhe besimin që mësuesi ka tek ta në përdorimin me efektshmëri të kohës. Nxënësit mësojnë të marrin përsipër përgjegjësi vetëm  nëse atyre u jepet dhe liria për këtë qëllim. Rreziku i dështimit është gjithmonë i pranishëm, por pa rreziqe nuk ka progres. Mund të ndodhë që nxënësit  të arrijnë rezultate që nuk përputhen me shpresat e mësuesit, por mësuesi fiton ide të vlefshme për zhvillimin e nivelit të kompetencës së nxënësit dhe nevojat për të mësuarit e tyre në të ardhmen. Procesi i të mësuarit është po aq i rëndësishëm sa rezultati i tij.

Në të mësuarit në bazë detyre, nxënësit përballen me probleme, jo vetëm me ato që lidhen me përmbajtjen dhe lëndën, por edhe me organizimin e punës së tyre. Ata duhet të njihen me to, për të gjetur edhe zgjidhjet personale. Në sajë të sfidës për të zgjidhur probleme, çdo formë e të mësuarit me bazë detyre, ofron mundësi të pasura për  formimin e aftësive, për shembull,  për menaxhimin e kohës, për planifikimin e punës, për të bashkëpunuar në grup, për të siguruar materiale dhe përzgjedhur informacione, për të gjetur dhe për të përdorur  vegla të ndryshme etj. Të mësuarit në bazë detyre është fleksibël, pasi nxënësi mund të  përshtasë detyrën  në përputhje me aftësitë e tij.