1.2 Demokracia

Living Democracy » Textbooks » 1.2 Demokracia

1.2.1 Parimet themelore

Në vitin 1863, Abraham Linkoln e përcaktoidemokracinë si: “qeverisje e popullit, nga populli, për popullin”.  Si mund të kuptohet përmbajtja e kësaj thënieje të famshme?

  • Qeverisje e popullit do të thotë që pushteti buron nga populli. Populli është bartës i  sovranitetit, që  ushtron pushtetin  ose jep mandatin për ushtrimin e  këtij pushteti, dhe të gjithë ata që janëpjesë e  këtij pushteti janë edhe përgjegjës  përpara popullit.
  • Qeverisje nga populli do të thotë që pushteti ushtrohet nga përfaqësuesit e zgjedhur ose drejtpërdrejt prej qytetarëve.
  • Qeverisje për popullin do të thotë që pushteti ushtrohet për t’i shërbyer interesave të popullit, domethënë, të mirës së përbashkët.

Këto përcaktime mund të kuptohen dhe të ndërlidhen në mënyra të ndryshme. Mendimtarët politikë  të traditës së Rusoit ngulin këmbë në sundimin e drejtpërdrejtë nga qytetarët (identiteti i të qeverisurve dhe qeveria). Populli vendos për gjithçka dhe nuk kufizohen nga ligjet. Mendimtarët politikë të traditës së Lok-ut  theksojnë konkurrencën ndërmjet interesave të ndryshme në një shoqëri pluraliste; në kuadrin e një kushtetute ata duhet të merren vesh për vendime që i shërbejnë të mirës së përbashkët.

Demokracia nuk vjen vetvetiu, pavarësisht nga tradita demokratike e një vendi dhe nga mënyra si ajo ëshë zhvilluar. Në çdo vend, demokracia dhe kuptimi i të drejtave të njeriut duhet të jenë përherë në zhvillim.Vetëm në këtë mënyrë, ajo do t’i japë çdo brezi mundësitë për të zgjidhur sfidat  me të cilat përballet, ndërkohëqëai  ka detyrën të edukohet për demokracinë dhe për të drejtat e njeriut. 

1.2.2 Demokracia si një sistem politik

Një demokraci kushtetuese bashkëkohore përfshin elementë të tillë, si:

  • Kushtetuta, zakonisht e shkruar, përcakton kuadrin institucional për demokracinë, që në disa vende, mbrohet nga një gjykatë e lartë e pavarur;  të drejtat e njeriut, që mbrohen (zakonisht jo të gjitha) si të drejta civile;
  • Të drejtat e njeriut shpallen në kushtetutë dhe konkretizohen  si të drejta civile që garantohen nga kushtetuta. Qeveritë që kanë firmosur konventat e të drejtave të njeriut  janë të detyruar të mbrojnë të drejtat që kanë ratifikuar, pavarësisht nëse  ato përfshihen apo jo  në kushtetutë.  
  • Statusi i barabartë ligjor i të gjithë qytetarëve: të gjithë qytetarët mbrohen në mënyrë të barabartë nga ligji përmes parimit të mosdiskriminimit dhe duhet të përmbushin detyrimet e tyre ligjore.
  • E drejta universale e votës:Kjo u jep qytetarëve të rritur, burra e gra, të drejtën për të votuar për partitë ose kandidatët në zgjedhjet parlamentare. Përveç kësaj, disa sisteme përfshijnë referendumin ose plebishitin, domethënë, të drejtën e qytetarëve për të marrë vendime për çështje të caktuara përmes votës së drejtpërdrejtë.
  • Qytetarët gëzojnë të drejta njerëzore që u garantojnë atyre mundësi të madha për pjesëmarrje. Këtu përfshihet liria e medias nga censura dhe kontrolli shtetëror, liria e mendimit, e shprehjes dhe e grumbullimeve paqësore, e drejta  e lirisë së veprimit tëpakicave dhe të  kundërshtarëve politikë.
  • Pluralizmi dhe konkurrenca e interesave dhe e objektivave politikë: qytetarët e veçantë dhe grupet mund të formojnë ose të bashkohen në parti ose grupe interesi, organizata joqeveritare etj., për të nxitur interesat ose objektivat e tyre politikë. Konkurrenca në nxitjen dhe zhvillimin e interesave dhe shpërndarja e pabarabartë e pushteteve dhe e shanseve për realizimin e tyre janë gjithmonë të pranishme në shoqëri.
  • Parlamenti: organi i përfaqësuesve të zgjedhur ka pushtet ligjëvënës, domethënë, për të miratuar ligjet, të cilat, në përgjithësi, kanë karakter detyrues. Autoriteti i parlamentit qëndron në vullnetin e shumicës së votuesve. Nëse shumica e votuesve  në një sistem parlamentar zhvendoset nga një zgjedhje në tjetrën, kjo sjell edhe një qeveri të re.  Në një sistem presidencial, kryetari i qeverisë- presidenti -zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë.
  • Sundimi i shumicës: shumica vendos, pakica duhet të pranojë vendimin. Kushtetuta përcakton kufijtë për sundimin e shumicës, kështu mbron të drejtat dhe interesat e pakicave. Numri më i vogël i anëtarëve të parlamentit, i detyrueshëm për të votuar, mund të ndryshojë në varësi të çështjes për të cilën votohet. Për shembull, për të votuar për kushtetutën kërkohen dy të tretat  e parlamentarëve.
  • Kontrolli dhe kufizimi i pushtetit: demokracia harmonizon dy parime: autoriteti për të ushtruar forcë i takon shtetit. Kjo shtrihet deri të “çarmatosja e qytetarëve”.4 Megjithatë,  për të parandaluar shndërrimin e pushtetit për të ushtruar forcë në një sundim autokratik ose dikatorial, tëgjitha demokracitë  zbatojnë parimin e kontrollit dhe tëbarazpeshës së pushteteve. Modeli klasik endan pushtetin në tri degë: në pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor (dimensioni horizontal).  Shumë sisteme marin masa të mëtejshme: një sistem legjislativ të përbërë nga dy dhoma, autonomi federale ose kantonale, që ngrihet deri në dimensionin vertikal të kontrollit dhe tëbarazpeshës së pushteteve (Zvicër, SHBA ose Gjermani).
  • Autoriteti i përkohshëm: një mjet i mëtejshëm i kontrollit të pushtetit është dhënia e pushtetit për një kohë të shkurtër. Ky është tipar i çdo zgjedhjeje dhe, në disa raste, e tërë periudha e mbajtjes së pushtetit mund të kufizohet, si në rastin e presidentit të SHBA, i cili mund të zgjidhet vetëm për dy periudha katër vjetore. Në Romën e lashtë, konsujt zgjidheshin me radhë dhe duhet të linin postin pas një viti.

1.2.3 Një keqkuptim i të drejtave të njeriut dhe i demokracisë

Demokracia bazohet në standardet dhe parimet e të drejtave të njeriut. Të drejtat e njeriut shpesh keqkuptohen si një sistem në të cilin individët gëzojnë liri të plotë. Megjithatë, çështja nuk qëndron kështu:

 Të drejtat e njeriut pranojnë të drejtat dhe liritë individuale, të cilat janë pjesë e qenësishme e qenieve njerëzore.  Megjithatë këto të drejta nuk janë absolute. Të drejtat e të tjerëve  duhet të respektohen. Ndonjëherë ato hyjnë në konflikt me njëra-tjetrën. Proceset demokratike ndihmojnë proceset që, nga njëra anë, lehtësojnë lirinë e njerëzve dhe, nga ana tjetër, vendosin kufizime te nevojshme për to. Për shembull, në një klasë të EQD/EDNJ zhvillohen diskutime. Për t’u dhënë të gjithë nxënësve mundësinë për të shprehur opinionin  e tyre, vendosen kufij të kohës së të folurit. Koha e të folurit në debatet parlamentare ose në programet telvizive kufizohet për të njëjtën arsye. 

Shumë rregulla të qarkullimit në autostradë, kufizojnë lirinë tonë të lëvizjes: kufizimi i shpejtësisë në qytet, ndalesat në semafore etj. Është e qartë që këto rregulla janë vendosur për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve.

Demokracia  mundëson   liri më të madhe për njerëzit dhe për individët se sa sistemet e tjera të qeverisjes. Këtë ajo e bën në kuadrin e një rendi të caktuar, domethënë, në mënyrë të institucionalizuar dhe ajo zbatohet si e tillë. Për të funksionuar si duhet, demokracia duhet të mbështetet në një shtet të fortë të së drejtës dhe të arrijë të sigurojë një shkallë të pranuari të drejtësisë  për të gjithë. Një shtet i dobët ose sundimi i paktë i ligjit, do të thotë një qeveri që nuk është në gjendje të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore.

1.2.4 Anët e forta dhe të dobëta

Në përgjithësi, tipat e ndryshëm të demokracive kanë të përbashkëta disa anë të forta dhe të dobëta:

a. Anët e forta të demokracive

  • Demokracia siguron kuadrin dhe mjetet e duhura për zgjidhje të qytetëruara e paqësore të konflikteve; dinamikat e konfliktit dhe pluralizmi janë mbështetje për zgjidhjen e problemeve.
  • Demokracitë janë “pacifiste të fuqishme”, si në shoqëritë e tyre, ashtu edhe në politikat ndërkombëtare.
  • Demokracia është i vetmi sistem që lehtëson ndërrimin e drejtuesve në pushtet, pa ndryshuar sistemin e qeverisjes.
  • Demokracitë janë komunitete që mësojnë. E mira e përbashkët përcaktohet me marrëveshje dhe nuk imponohet nga ndonjë pushtet autokratik.
  • Të drejtat e njeriut e forcojnë demokracinë, sepse ato sigurojnë kuadrin ligjor për proceset politike që bazohen në  dinjitetin njerëzor. Përmes ratifikimit të traktateve të të drejtave të njeriut, një qeveri mund të rritë premtimet që kanë të bëjnë me ruajtjen e lirive personale dhe me të drejta të tjera.

b. Probleme dheanë të dobëta

  • Partitë dhe politikanët priren të sakrifikojnë objektivat afatgjatë në interes të suksesit në zgjedhje. Demokracitë krijonë motive për politika dritëshkurtëra, për shembull, në kurriz të mjedisit ose të brezave të ardhshëm (duke “turbulluar ujërat”)
  • Qeverisja për një popull është qeverisje brenda kufijve të shtetit. Rritja e ndërvarësisë globale, si në zhvillimet ekonomike dhe mjedisore, e kufizon sferën e ndikimit të vendimarjeve demokratike në një shtet.

1.2.5 Përfundime

Demokracitë varen nga qytetarët e tyre në shkallën që shpalosen anët e forta të saj, ndërkohë që mbahen në kontroll anët e dobëta. Demokracitë janë sisteme qëbazohen nëpërfshirjen aktive dhe në mbështetjen e qytetarëve të tyre – në besnikërinë e vetëdijshme dhe kritike.

Në demokracitë e konsoliduara dhe në ato të reja, EQD/EDNJ luan rol vendimtar nëkulturën politike, të cilën demokracitë duhet ta rrënjosin  për të lulëzuar e mbijetuar.

4. Ekziston një shembull shumë kuptimplotë se si ky parim i çarmatosjes së qytetarëve, ka ndryshuar për shembull, në SHBA.