2.3 Mësimdhënia përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut- kultura demokratike në shkollë

Living Democracy » Textbooks » 2.3 Mësimdhënia përmes demokracisë dhe të drejtave të njeriut- kultura demokratike në shkollë

Nuk ka demokraci pa demokratë të përkushtuar.

Çdo brez trashëgon demokracinë e tij dhe ndoshta arrin ta kuptojë, ta vlerësojë dhe  të mësojë ta vërëatë në shërbim të tij në mënyrë aktive. Detyra e EQD/EDNJ dhe e arsimit në përgjithësi është të mbështesë e të  nxitë të rinjtë të bëhen demokratë aktivë dhe të përkushtuar.

Përvoja historike e shumë vëndeve dëshmon se traditat kulturore  që mbështesin demokracinë zhvillohen ngadalë. Projektet për ndërtimin e kombeve në shoqëritë e pas luftës, në kushtet e mungesës së traditave të kulturës demokratike, përballen me pengesa shumë të mëdha. Mund të importohet një model institucionesh demokratike, por nuk nuk mund të importohen rrënjët kulturore të demokracisë.  Ato duhet të burojnë nga trashëgimia kulturore e shoqërisë.

Kultura politike mund të kuptohet në kuadrin e kategorive konstruktiviste. Ajo fitohet përmes proceseve të të mësuarit dhe të shoqërizimit. Për këtë arsye, nga fakti nëse shkolla qeveriset në mënyrë demokratike apo autokratike, varet edhe ajo që pritet prej tyre: të mësojnë si të jetojnë në ose nën atë formë qeverisjeje në të cilën ata kanë jetuar deri tani. 

Shkolla, si mikro shoqëri, mund të mbështesënxënësit e saj të përvetësojnë dhe të vlerësojnë elemente të një kulture demokratike dhe të të drejtave të njeriut, domethënë, që ata të aftësohen:

  • Të njohin dhe të shprehin interesat dhe pikëpamjet e tyre me vetbesim.
  • Të trajtojnë njeri-tjetrin me respekt të ndërsjellë, duke përfshirë këtu të dëgjuarit dhe empatinë, domethënë, vullnetin dhe aftësinë për të vënë veten në vend të tjetrit.
  • Të zgjidhin konfliktin në rrugë dhe me mjete paqësore, domethënë të bëjnë marrëveshje dhe kompromise.
  • Të vlerësojnë funksionet e strukturave funksionale që mbrojnë dhe kufizojnë liritë individuale. Në këtë mënyrë ata shtojnë shpirtin e tyre, si element i kulturës politike, në strukturat ekzistuese zyrtare të rregullave e ligjeve.
  • Të vlerësojnë politikën si përpjekje praktike që synon të zgjidhë problemet që kërkojnë vëmendjen e duhur dhe marrjen e një vendimi.
  • Të marrin pjesë në procesin e zgjedhjes së përfaqësuesve dhe në proceset e vendimmarrjes.
  • Të përpiqen të ndikojnë në vendimmarrjet, përmes rrugëve të tilla, si: rritja e vetëdijes, pjesëmarrja aktive, grupet e interesit dhe menaxhimi i problemeve nga vetë nxënësit.
  • Të marrin përsipër përgjegjësinë për vendimet dhe zgjedhjet e tyre, duke vlerësuar edhe ndikimin që ato kanë për vete dhe për të tjerët.
  • Të kuptojnë që nëse nuk marrin pjesë në vendimet që kanë pasoja për jetën e tyre, të tjerët do ta bëjnë një gjë të tillë e, në këtë rast, pasojat mund të jenë jo në interesin e tyre.

Kultura politike lidhet ngushtë me qëndrimet dhe vlerat që qytetarët e rinj i formojnë përmes procesit të shoqërizimit, duke përfshirë këtu edhe përvojën shkollore. Të tjerë faktorë që ndikojnë nëkëtë proces janë: familja, bashkëmoshatarët dhe media. Nga ana tjetër, komuniteti i shkollës i ofron fëmijëve dhe adoleshentëve shanset e para për të ushtruar ndërveprimin në shoqëri dhe në mjedise publike; që këtej buron edhe roli i rëndësishëm i shkollës për mënyrën si trashëgimia demokratike kalon te brezi i ri. Përmes të mësuarit dhe përvojës në mjediset shkollore, të rinjtë mund të zhvillojnë qëndrime dhe aftësi për t’iu përkushtuar, gjatë gjithë jetës, proceseve demokratike dhe vlerave të të drejtave të njeriut, si përmes proceseve zyrtare të vendimmarrjes, ashtu edhe në bashkëveprimet e jetës së përditshme.