Mësimi 1: Si mund të jetojnë njerëzit së bashku?

Living Democracy » Textbooks » Mësimi 1: Si mund të jetojnë njerëzit së bashku?

Si mund të ndikojë arsimi në rritjen e tolerancës dhe të kuptuarit13?

 

Objektivat
e mësimnxënies
Nxënësit janë në gjendje të:
– shqyrtojnë çështjet të cilat paraqiten kur komunitetet me vlera dhe
besime të ndryshme mundohen të jetojnë së bashku në paqe;
– marrin parasysh rolin e edukimit në rritjen e mirëkuptimit në mes të
njerëzve me kultura të ndryshme;
– gjykojnë nëse individët, në mënyrë të pavarur, mund të ndikojnë në
shoqëri.
Detyrat e nxënësve Nxënësit diskutojnë për çështje që lidhen me një tregim.
Nxënësit angazhohen në të menduarit kritik.
Ata këmbejnë ide.
Nxënësit luajnë role për të eksploruar një çështje.
Burimet Kopje të prospekteve për nxënës 3.1.
Metodat Diskutim.
Të menduarit kritik.
Ngritja e hipotezave.
Luajtja e roleve.

 

Mësimi

Mësimdhënësi i paraqet objektivat e mësimit dhe klasës ja lexon tregimin “Shkolla në skaj të pyllit” (prospekte për nxënës 3.1).

Mësimdhënësi i ul nxënësit në një rreth dhe i pyet ato të tregojnë se çka u është dukur e çuditshme ose interesante në tregimin dhe pse. U jep dy minuta në “grupe pëshpëritëse” (çifte) për të biseduar me shokun para se t’i shkëmbejnë pikëpamjet e tyre me tërë grupin.

Mësimdhënësi e përkujton klasën se në një diskutim “të bazuar në pyetje”qëllimi është të shkëmbehen idetë dhe ato ide të elaborohen së bashku. Nuk ka përgjigje të sakta apo të pasakta.

Mësimdhënësi pastaj kërkon që: “Të gjithë të mendojmë për sa më shumë njerëz që të munden, të cilët ndoshta kanë pasur dëshirë ta djegin shkollën (shembuj mund të jenë: disa nga fëmijët, disa nga prindërit, një pjesëtar i komunitetit siç është prifti ose hoxha). Çfarë motivesh kanë mundur të kenë ata? Kush do të përfitojë dhe kush do të humbë nëse shkolla nuk rindërtohet? (Për shembull, nëse nxënësit nuk shkojnë në shkollë, a është fitim apo humbje për ata )”

Kjo mund të bëhet në formë tabelore si më poshtë:

Emri i palës Fitimet Humbjet
Nxënësit
Prindërit
Prifti ose Hoxha
Tërë komuniteti
Të tjerë?

 

Mësimdhënësi tani i udhëzon nxënësit që të përqendrohen në rolin e mësimdhënësit në këtë tregim. Së pari, një pyetje e përgjithshme – “Cili është opinioni juaj për mësimdhënësin?” – i nxit nxënësit të paraqesin idetë e tyre. Pyetje të tjera pasuese mund të jenë:

  • A ishte ai budalla, idealist apo guximtar?
  • A e admironi apo urreni për atë çka tentoi të bëjë?
  • Cilat mendoni se ishin motivet e tij?
  • Ku mendoni se i ka fituar vlerat e tij shoqërore?
  • Çka duhet të bëjë ai tani dhe pse? (Të tentojë sërish apo të dorëzohet?)
  • Po të ishit nxënës në këtë shkollë, çka do të dëshironit të bënte mësimdhënësi?

Pastaj mësimdhënësi i ndihmon nxënësit që të lidhin problemet e tregimit me komunitetin e tyre. Pyetje të mundshme përfshijnë:

  • Mendoni se ku jetoni ju.
  • A mendoni se ekzistojnë njerëz si ky mësimdhënës?
  • A është e mundshme që individët të bëjnë ndryshime në shoqëri në mënyrë  individuale? Mendoni për shembuj.

Çështje të tjera që dalin nga ky tregim përfshijnë:

  • Deri në ç’shkallë vërtetë mund të arrihet paqe në mes të dy popujve përmes edukimit të fëmijëve bashkërisht?
  • Cilat janë problemet me të cilat përballen shkollat dhe mësimdhënësit, kur nxënësit me vlera dhe religjione të ndryshme edukohen bashkërisht? Si mund të zgjidhen këto probleme?
  • Ky mësim mund të rrumbullakohet me luajtje të roleve. Parafytyroni se, para se të digjej shkolla, disa prindër të nxënësve nga viset fushore kishin ardhur tek mësimdhënësi për të bërë një ankesë. Ata thanë:“Në këtë shkollë ka më shumë nxënës nga viset fushore se sa nxënës nga viset malore, kështu që ne mendojmë se nxënësit tanë nuk duhet t’i mësoni për religjionin e popullit të viseve malore. Kjo mund të bëjë që ata të ngrenë krye kundër popullit të vet.”

Mësimdhënësi është i brengosur për këtë. Në çifte, përgatitni një bisedë në mes të një prindi dhe mësimdhënësit. Paraqitni këtë bisedë para klasës.

13. Bazuar në një mësim të zhvilluar nga Fondacioni i Qytetarisë, Londër.