Ushtrimi 7.7. – Si ndikon qeveria në jetën tuaj?

Living Democracy » Textbooks » Ushtrimi 7.7. – Si ndikon qeveria në jetën tuaj?
Objektivat mësimore

Nxënësit kuptojnë se qeveria ndikon në jetën tonë në gati çdo drejtim të imagjinueshëm (tua res agitur). Bota ku jetojmë është e përbërë nga njerëzit dhe prandaj varet nga ne se çfarë bëjmë me të.

Vendimmarrja politike e qëllimshme është e nevojshme për shkak të varësinë sonë gjithnjë në rritje ndaj njëri-tjetrit, nga niveli vendor deri në atë botëror.

Demokracia mund të marrë më së mirë parasysh interesat konkurruese dhe t’i përfshijë në një kompromis të kënaqshëm – me kusht që të dëgjohen gjitha grupet.

Burimet Asnjë.

Procedura

  1. Nxënësit duhet të kuptojnë se, deri në çfarë mase, jeta e tyre ndikohet nga qeveria. Për t’i ndihmuar në këtë drejtim shërbejnë pyetjet e mëposhtme; nxënësit mund t’u përgjigjen atyre në klasë ose në grupe të vogla; përfundimet do t’i paraqiten në seancën plenare.
    • Tregoni një histori tuajën të kohëve të fundit: ku shkuat, çfarë veshët, çfarë patë, çfarë hëngrët, çfarë thatë, çfarë mësuat dhe çfarë bëtë. Tregoni në listën e gjërave të  lartpërmendura ato që, sipas mendimit tuaj,  janë ndikuar nga qeveria, qoftë ajo kombëtare, rajonale dhe/ose lokale.
    • E zëmë sikur qeveria juaj është demokratike dhe të gjithë qytetarëve u është dhënë mundësi e barabartë që të marrin pjesë, pa u shkelur të drejtat e tyre të njeriut. Cila nga pikat e jetës tuaj të përditshme, që ju përmendët në listë si të ndikuar nga qeveria,  mendoni se do duhet të ndryshojë? Shpjegoni arsyen  pse ato duhet të ndryshojnë.
  2. Ka shumë mundësi që nxënësit të shtrojnë pyetjen se si njerëzit mund të marrin pjesë në qeverinë demokratike. Mësuesi duhet të japë disa të dhëna për këtë qëllim, nëpërmjet leksioneve, duke u mbështetur te ndonjë libër mësimor ose fletë pune.Rezultati mund të jetë si vijon: shumë njerëz besojnë se mundësia më e madhe për të marrë  pjesë në qeveri jepet në një demokraci të lirë dhe të hapur. Kjo lloj qeverisjeje nënkupton që njerëzit e fitojnë vetë pushtetin dhe zakonisht qeverisin përmes sundimit të shumicës. Disa vende janë demokraci vetëm sa për emër dhe njerëzit nuk  lejohen realisht të marrin pjesë.  Qytetarët, në një sistem demokratik, mund të zgjedhin midis mënyrave të ndryshme të pjesëmarrjes dhe disa, madje, mund të vendosin të mos marrin pjesë në të.

    Demokracia mund të marrë më së miri parasysh interesat e ndryshme dhe konkurruese dhe të kërkojë të gjejë zgjidhje të kënaqshme – me kusht që të gjitha grupet të kenë artikuluar pikëpamjet e tyre. Vëmendje e veçantë u duhet kushtuar grupeve më të dobëta, të cilat nuk janë në gjendje të ushtrojnë trysni e prandaj interesat e tyre kanë prirjen të shpërfillen (problemi i përjashtimit).